Themelimi i Asociacionit, profesori britanik: Serbia drejt njohjes së Kosovës

28 Tetor 2023, 14:30| Përditesimi: 28 Tetor 2023, 15:12

  • Share

Profesori britanik, James Ker-Lindsay, e sheh Asociacionin e komunave me shumicë serbe si një pikë të mundshme kthese në procesin e zvarritur të dialogut Prishtinë-Beograd.

Ai mendon se nëse Kosova pranon ta themelojë Asociacionin, atëherë ky do të krijonte një argument dhe hapësirë për ndërkombëtarët që të ushtrojnë hapur presion ndaj Beogradit. Nëse “sigurohet autonomia, mbrojtja për serbët e Kosovës dhe për objektet fetare”, atëherë sipas tij Serbia do të detyrohet të shkojë drejt njohës së pavarësisë, edhe pse një gjë e tillë sigurisht, siç thotë eksperti britanik, nuk mund të arrihet brenda natës.

“Kjo është ajo që po përpiqet të bëjë bashkësia ndërkombëtare. Nëse Kosova pajtohet me këtë, krijon argument për Perëndimin që shtojë trysninë  ndaj Beogradit. Padyshim që bëhet fjalë për një proces me faza, por që nga diku, duhet të fillojë”, tha Ker-Lindsay.

Ai theksoi edhe në profilin e tij në platformën X (ish-Twitter) se proceset e paqes shpesh herë kanë të bëjnë me renditjen dhe zhbllokimit të hapave në rendin e duhur, teksa i mëshon idesë se krijimi i Asociacionit është një hap vendimtar drejt njohjes eventuale nga Serbia.

Një ditë më parë, krerët evropianë, i drejtuan Kosovës një apel të qartë që të nisë procedurat për Asocacionin dhe Serbisë të përgatitet për njohjen de-fakto të Kosovës. Thirrja u bë nëpërmjet një deklarate të përbashkët të Presidentit francez Emmanuel Macron, Kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe Kryeministres së Italisë Giorgia Meloni. Deklarata pason takimet e veçanta me Kryeministrin e Kosovës Kurti dhe Presidentin e Serbisë Vuçiç në Bruksel, të tre udhëheqësve evropianë.

Në takime morën pjesë edhe Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Josep Borrell, si dhe Përfaqësuesi i Posaçëm të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë Miroslav Lajçak.

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?