Themelohet në Tiranë Klubi i Librit ‘Mësojmë nga e kaluara’/ Autoriteti i Dosjeve nënshkruan bashkëpunimin me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit

20 Shkurt, 22:07| Përditesimi: 20 Shkurt, 22:17

  • Share

Autoriteti i Dosjeve zgjodhi simbolikën e 33 vjetorit të rrëzimit të shtatores të diktatorit, si një vijë ndarëse që shënoi fillimin e një epokë të re, pa internime, burgime të padrejta, dhunë, terror e izolim për të themeluar Klubin e  Librit të Tiranës- “Mësojmë nga e kaluara” me leximin e librit të Lekë Tasit, “Grabjani rrëzë kodrave”.

Po me këtë rast, Autoriteti i Dosjeve firmosi me Qendrën Kombëtare të librit dhe leximit marrëveshje bashkëpunimi me kontribut në arritjen e botimeve cilësore me theks në kaluarën historike 1944-1991.

Aktiviteti vijoi me diskutimin e librit “Grabjani rrëzë kodrave” me pjesmarrjen e mësuesve të historisë dhe letërsisë, qytetarisë të arsimit parauniversitar të kryeqytetit, nën moderimin e As.Prof. Dr. Fiona Thodri, Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës dhe shkrimtares për fëmijë, Rovena Rrozhani, AIDSSH.

Në libër flitet për trajtimin çnjerëzor që u bëhej të internuarve politikë. Përveç analizës së ngjarjeve historike, sociale, ekonomike dhe politike, në këtë libër gjenden edhe shkëndijat e rebelimit të fshehtë ndaj diktaturës, sinjalet e para këto të ndryshimeve që do të kulmonin me rënien e shtatores të diktatorit në datën 20 shkurt 1991. Shkëlqen diku shpresa e ndryshimit dhe i çlirimit nga vuajtjet, pastaj zhgënjimi ia zë vendin, por jo përgjithmonë.

Pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte edhe lidhja e librit me arkivën me prezantimi i dokumenteve arkivore nga arkiva e AIDSSh-së, ku moderatorja znj.Rovena Rrozhani, AIDSSH, krahasoi faktet e lexuara në libër dhe atyre të gjetura në dosjet hetimore-gjyqësore dhe dosje formulare të krijuara nga Ish-Sigurimi i Shtetit, mbi përndjekjen që iu bë Lekë Tasit, xhaxhait të tij Akile, babait Koço, nënës Aleksandra, vëllait Napoleon e motrës Tefta.

Kush është Lekë Tasi dhe nga u frymëzua për të shkruar librin “Grabjani rrëzë kodrave”?

Lekë Tasi ishte 38 vjeç kur e pushuan nga puna si violinçelist, në Orkestrën e Radios dhe në Teatrin të Operas, në vitin 1967, për shkak të biografisë. I ati Koço Tasi shpallet kundërshtar i regjimit komunist, dhe dënohet me burg ndërsa xhaxhai i tij, Akile Tasi vdes në burgun e Burrelit pas 17 viteve burg.  

Dhjetë vjet më vonë familja tij, nëna, motra, ai bashkë me të vëllanë, internohen në kampin e punës në Grabjan të Lushnjës, prej viti 1975 deri në vitin 1990.  Të gjithë kujtimet dhe përjetimet e jetës  në këtë kamp ai i hedh në librin e tij, “Grabjani rrëzë kodrave’-, trajtuar në formën e një ditari ku përshkruan me detaje mbi kushtet e jetesës, keqtrajtimit, shfrytëzimit, vuajtjes shpirtërore, fizike dhe psikologjike, duke treguar me detaje një realitet të hidhur dhe pak të njohur në ditët e sotme me skena, personazhe, histori nga fshati i internimit në vitet '70-'80.

Pasi foli për narrativën e përshkruar në librin e tij me nota biografike Tasi tha se: “Duhet theksuar çdo eksperiencë e vjetër, e mirë apo e keqe. Ne duhet të shkruajmë kujtimet. Kujtimet nuk është gjëja më e lehtë që mund të bëhen, por kur fillojnë të shkruhen, të mos pretendojmë të bëjnë letërsi, mjaftojnë të tregojmë faktet si ka ndodhur sepse kështu i shërbejmë memories. Të rinjve do t’u rekomandoja që ta lexonin këtë libër, sepse mund të formojnë ndonjë-farë njohje të së kaluarës siç ka qenë. Dhe sot jam i kënaqur që shoh librat në duart e lexuesve të rinj, të pranishëm. Kjo është një arritje.”

Mësues të letërsisë, historisë dhe qytetarisë, shprehen përpjekjet që ata bëjnë në shkolla për të shpjeguar atë pjesë të errët të historisë së diktaturës dhe e ftuan autorin, por edhe të tjerë dëshmitarë, ish-bashkëvuajtës të tij në internim, të pranishëm  në klub, të bëhen pjesë e bisedave shkollore mbi këtë temë.

Njohja me dokumentet e arkivës së AIDSSH-së si dhe libra të tillë dëshmie janë një burim i pasur për të njohur të kaluarën dhe mësuar nga ajo, duke realizuar përcjelljen e historisë tek brezat e rinj.

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?