Në zemër të Alpeve Shqiptare! Thethi nuk është thjesht një destinacion turistik, por një përvojë që mbetet në kujtesë përjetë. Nga Australia në Zelandën e Re, nga Franca në Austri e Gjermani, turistë nga çdo cep i globit e kanë vendosur këtë fshat piktoresk në listën e tyre të vendeve më të dashura, dhe arsyet janë të pafundme. Të pasionuarit pas hiking-ut e gjejnë Thethin si një strehë të përsosur për të eksploruar shtigjet malore. Thethi është një kombinim perfekt i natyrës së paprekur, traditës dhe mikpritjes shqiptare.
“Jam nga Australia, e dua Thethin aq shumë sa kam ardhur në Shqipëri 8 javë më parë dhe, në total, kam kaluar gati një muaj këtu në Theth, duke u larguar dhe kthyer përsëri, sepse e dua aq shumë”, tha një turiste.
“Vij nga Austria, përshtypja jonë e parë për Thethin ishte e mrekullueshme sepse nuk e prisnim këtë lloj lëndine në mes të maleve. Është më thjeshtë, më relaksuese këtu sesa në Austri”, shprehet turisti.
“Është e mrekullueshme, ne po e shijuam shumë të vinim këtu me motocikleta dhe u ndjemë shumë të relaksuar, shprehet një tjetër.
“Ne na pëlqen të bëjmë hiking dhe na pëlqejnë njerëzit këtu, janë shumë të këndshëm dhe të ndihmojnë shumë me çdo gjë”, thotë një turiste tjetër.
“Jam nga Franca, po kërkoja për një vend ku të bëja hiking në malet këtu, pashë këtë dhe disa njerëz ma rekomanduan nga Tirana. Po më pëlqen shumë, është shumë bukur, shiko malet, lumin, isha te Syri i Kaltër sot”, shprehet turisti francez.
Vizitorët vendas nuk mund të mungojnë, ata janë të përhershëm.
Thethi tërheq gjithmonë e më shumë vizitorë, por Paulin Polia, pronari i një prej bujtinave pritëse, shprehet se ka nevojë për një vision të qartë zhvillimi.
Thethi ofron edhe mundësi të reja për aventurierët. Një zip line spektakolar i jep mundësinë vizitorëve të shohin nga lart panoramën e fshatit dhe të ndiejnë adrenalinën mes maleve, duke e bërë përvojën edhe më të paharrueshme.
Komente
