Elbasan- Një 19-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Elbasanit.
Uniformat blu bëjnë me dije se i riu theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe vodhi një automjet, gjatë natës së 14 korrikut në lagjen "Emin Matraxhiu".
19-vjeçari u kap në rrugën "Kastriotët", në Tiranë, ndërsa makina e grabitur u sekuestrua si provë materiale.
Operacioni u kodua “Cooperation”.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, pas njoftimit për vjedhjen e një automjeti, në lagjen "Emin Matraxhiu", kanë reaguar menjëherë për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Në kuadër të operacionit “Cooperation”, si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe i koordinimit të punës mes Policisë së Elbasanit dhe Policisë së Tiranës, në rrugën "Kastriotët", në Tiranë, u bë lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit, shtetasit E. B..
Ky shtetas ka thyer masën e sigurisë "Arrest në shtëpi", të caktuar nga Gjykata e Elbasanit, për veprën penale "Vjedhja" dhe dyshohet se më datë 14.07.2025, gjatë natës, në lagjen "Emin Matraxhiu", ka vjedhur automjetin në pronësi të shtetases Xh. Sh.
Nga verifikimet rezultoi se autori e drejtonte automjetin, pa qenë i pajisur me leje drejtimi.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi i shtetasit E. B., 19 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit", "Vjedhja" dhe "Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt".
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Komente
