'Thinjat e Atdheut' saga e një 'brezi të humbur'

9 Qershor 2019, 07:50| Përditesimi: 9 Qershor 2019, 07:56

  • Share

Vëllimit tim i kam dhënë titullin “Thinjat e Atdheut”. Thinjat normalisht tek njerëzit janë sinonime të kohës që kalon, janë gjurmët më të dukëshme të viteve që shkojnë e që paralajmërojnë fundin e përvojës tokësore mbi këtë rruzull e afrimin e një tjetër jete për ata që e besojnë e të “hiçit që rrotullohet rreth hiçit”, për ata që përtej vdekjes shohin asgjënë.

Metafora e titullit e shtrin qëllimin e dukurisë në një spektër më të gjërë. Nga thinjat e njeriut tek thinjat e Atdheut, sepse ashtu sikurse individi ka një ecuri që kalon nëpër të gjitha stinët e jetës, ashtu edhe Atdheu, Kombi, bashkësia e krijesave njerëzore që njëjtësohen në gjuhën, zakonet, historinë, përvojën jetësore, kanë jetën e tyre që është shumatorja e jetës së brezave dhe ndihmesës së tyre në historinë e botës.

Ndryshimi ndërmjet nesh si individë dhe Atdheut e kombit tonëështë se ndërsa ne i nënështrohemi ligjeve biologjike të jetës dhe ndërrimit të saj, ky i fundit ka një jetë shumë të gjatë e, ndoshta nuk njeh vdekje kurrë. Por ashtu si ne që shpesh thinjemi para kohe nga problemet e ndryshme me të cilët përballohemi, edhe Atdheu, si pasojë e rrebesheve të historisë, mund të thinjet nga mundimet e dertet e pazakonta që shoqërojnë ecjen e tij të gjatë. Dertet e Atdheut janë ata të bijve të tij, ka një lidhje të çuditëshme mes tyre, të padukëshme, por tepër qenësorë.

Në një Vend të ndrydhyur nga pesha e derteve vështirë se mund të ketë njerëz të lumtur dhe, anasjelltas, lumturitë individuale i japin forcë e frymëmarrje kurmit të Atdheut. Historia e jonë, si popull e si komb, fatkeqësisht ka qënë shumë dorështrënguar n’atë drejtim. Shekuj të gjatë pushtimesh të huaja e paaftësie endemike për të krijuar bashkësi të organizuara e të zhvilluara, të shoqëruar nga një fatalitet historik e kanë shtyrë anijen tonë të lundronte në gjysmën e errët të botës, larg asaj të dritës, një gjëndje të cilën na e jep me pak fjalë njëri ndër personazhet madhorë të kulturës sonë, Imzot Fan Noli, në poezinë “Anës lumenjve”, ndoshta aktuale dhe sot e kësaj dite.

     Pushtimet, tiranitë e diktaturat kanë shtuar thinjat e Atdheut, po ashtu si kanë bërë të mbijnë ato në lulen e rinisë tek bijtë e tij. Ngjyra e bardhë mbi kryet e njerëzve është ajo më e parapëlqyera në mendësinë e tyre. Në librin tim ka një shkrim për Dedë Gjomarkajn, një njeri i thinjur në pak kohë në një birucë të Sigurimit të shtetit, edhe se nuk kishte mbushur moshën 27-vjeçare, si pasojë e një arrestimi të fshehtë për të cilin nuk dinte asgjë askush. Me shakanë e një stoiku të vërtetë ai thonte më vonë “U zbardha sepse nuk munda të skuqem”. Thinjat e tij, ashtu si edhe të shumë të tjerëve në kushtet e tij apo të ngjajshme me të, ishin dhe thinjat e Atdheut, sepse flijimi i bijve të tij për idealet e rrugës së nderit e të luftës për lirinë e tij, i shtonin atij krenarinë, por edhe dhimbjen, sepse thinjat janë pasqyrë e dhimbjeve fizike e shpirtërore.

     Thinjat e Atdheut i kam parë në mundimet e vuajtjet e atyre që i kanë kushtuar atij të gjithë jetën e veprën e tyre, shpesh të pakuptuar, të mallkuar, të përdhunuar madje edhe deri tek eshtrat e varreve. I kam gjetur në vepra të ndryshme letrare, kryesisht të realizmit mbas komunist, në dëshmitë tragjike e dramatike të një përndjekjeje të pashembulltë gjysëm shekullore, të pasqyruar në shkrimet e Visar Zhitit, të Fatbardha Saraçi Mulletit, të Elena Mirakaj Lulit, të Tomë Mrijës, të Aldo Terruzit, të Albert Frashërit, të Kurt Kolës, të Lekë Përvizit.

     Thinjat e Atdheut ishin në sfondin e jetëve të mbaruara, apo të gjymtuara të bashkëvuajtësve në kampet e internimit, të cilëve u kam kushtuar shkrimet e mija in Memoria. Kanë nota të theksuara dhimbjeje ata shkrime kur i kushtohen atyre që ndërronin jetë para kohe, siç është rasti i Manjolës, një luleje të lindur në kampin e Gradishtit e që prehet e qetë në Nju Jorkun e largët.

     Me një respekt të veçantë e një brengë të madhe në shpirt, në këtë libër i janë kushtuar dy shkrime një djaloshi idealist, Atjon Zhitit, që në agun e jetës u kthye (citoj) në një “meteor që do të ndriçojë gjithmonë qiellin tonë të hirtë, i ngulitur thellë në kujtesën tonë, i përkëdhelur gjatë në shpresat tona, për të patur një ditë një Atdhe të bashkuar, bashkëkohor, evropian, të qytetëruar, siç e përfytyronte, e konceptonte dhe e donte Ai”.

(Pjesë nga fjala e mbajtur nga aurtori, gjatë promovimit të librit “Thinjat e atdheut”, 31 maj 2019)

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?