Thirrja për dorëheqjen e Bashës, analisti Hasimja: Nëse largohet, humbje e dyfishtë për të! Do përpiqet të rezistojë

17 Mars 2022, 19:28| Përditesimi: 17 Mars 2022, 19:38

  • Share

TIRANË- Nëse Lulzim Basha do japë dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Demokratike do jetë një humbje  e dyfishtë për të. Kështu tha në Report Tv analisti Ermal Hasimja. Sipas tij, dorëheqja e Bashës do ishte një humbje politike pasi nuk do mund të rikthehet më si kryetar. Për Hasimjen, humbja e dytë është morale, pasi do të dështojë në përballjen me Sali Berishën. Në 'Studio Live' me gazetarët Arbër Hitaj dhe Migena Sotiri, analisti tha se Lulzim Basha përpiqet t'i rezistojë akoma presionit nga deputetët për të dhënë dorëheqjen.

"Do ta kishte humbjen e dyfishtë, përfundimtare në aspektin politik se vështirë se mund të kthehet më si kryetar i PD, nuk e ka fituar me shpatullat e veta, është emëruar nga Berisha, nga ana tjetër është humbja morale. Nisi një betejë me Berishën dhe dorëheqja e tij ndërkohë që Berisha fuqizohet do ishte dështim i plotë në raport me Berishën", tha Hasimja në Report Tv.

Pas gjashtë humbjeve radhazi, analisti thotë se Basha nuk ka më se çfarë t'i japë Partisë Demokratike. Hasimja thotë se duhet t'ia lërë vendin dikujt tjetër që është i gatshëm të përballet me Partinë Socialiste.

"Si kryetar i PD, Basha vështirë se mund të japë diçka më tepër. Duhet pasur parasysh që është përballur me një sistem shumë të vështirë për të luftuar, që përdor administratën për fushatë politike. Nuk është e lehtë të bësh opozitë në situata të tilla apo kur një pjesë jo pak e rëndësishme e elektoratit janë gati ta shesin votën. Nuk ka qenë e lehtë detyra, ai që e merr përsipër këtë lloj roli duhet t'i marrë parasysh këto vështirësi dhe nga ana tjetër duhet t'i lërë vendin dikujt tjetër që është i gatshëm të përballet", u shpreh analisti.

Kriza e thellë brenda PD dhe revoltimi i deputetëve ndaj Lulzim Bashës duke i kërkuar dorëheqjen lindi pasi PD pësoi një humbje të thellë në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, duke mos mundur të marrë asnjërën nga 6 bashkitë.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?