Këtë të martë (5 gusht) në orën 20:00 e gjithë vëmendja e tifozëve shqiptarë do jetë në Shkup, aty ku Shkëndija e Tetovës, klubi shqiptar që është kampion në Maqedoninë e Veriut, do përballet në raundin e tretë kualifikues të Champions League kundër azerëve të Qarabag.
Jo vetëm për tetovarët, por për një pjesë të mirë të tifozëve shqiptarë të futbollit, Shkëndija është parë shpesh si një 'kombëtare e vogël' përtej kufirit, në një vend ku shqiptarët kanë qenë përherë shtetformues dhe nuk i kanë fryrë zjarreve nacionaliste. Në një realitet të ri, Shkëndija e Tetovës ka fituar pesë herë titullin kampion në Maqedoninë e Veriut, të gjitha në 14 vitet e fundit, si për të treguar se shqiptarët janë aty, të gatshëm të rivalizojnë me rregullat e barabarta dhe të shkëlqejnë, për të mbajtur gjallë edhe emrin e shtetit, pasi edhe pse me ngjyrat kuqezi, ata përfaqësojnë në arenën ndërkombëtare futbollin e Maqedonisë së Veriut.
Ndryshe nga shumë klube maqedone, Shkëndija nuk ka bërë përjashtime. Aty bëjnë pjesë legjenda Besart Ibraimi, djaloshi nga Tirana Klinsman Cake, mëngjarashi Vane Krstevski dhe emra të tjerë futbollistësh nga Maqedonia e Veriut, që kurrë nuk kanë ndjerë presion prej prejardhjes apo kombësisë.
Në fundjavë, konkretisht të dielën, në Sallën Sportive të Kumanovës; gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, grupimi "Kumani" lëshoi thirrje antishqiptare në sallë, duke dashur"prerjen dhe therrjen e shqiptarëve".
Më i rëndë ishte fakti që në sallë ndodheshin disa nga figurat më të larta të shtetit fqinj, si kryeministri Hristjan Mickoski, zëvendëskryeministri Ivan Stoillkovic, ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski dhe kryetari i Komunës së Kumanvoës, Maksim Dimitrievski. Pas reagimit të shtetit shqiptar, edhe pala maqedone dënoi aktin dhe tha se do hapte hetime, njësoj si FIBA (federata botërore e basketbollit).
Ndryshe nga tifozët maqedonë në Maqedoninë e Veriut, tifozët shqiptarë të Shkëndijës, Shkupit, Strugës apo edhe ekipeve të tjera shqiptare, në asnjë rast nuk janë bërë protagonistë me thirrje raciste kundër bashkëjetuesve që fati dhe historia i ka lidhur.
Njësoj nuk do bëhen as sot, kur 'flaka' e Shkëndijës do mbledhë së bashku në Shkup shumë shqiptarë, jo vetëm nga Tetova, në mbështetje të kuqezinjve që kërkojnë të bëjnë një arritje historike në Evropë.
Në fund të ditës secili mbahet mend për sjelljen dhe edukatën e tij, ndaj racizmi i një grupi ultrasish nuk mund të kthehet me të njëjtin çmim, pasi siç thotë populli; 'pyll pa derra nuk ka'.
Komente
