Denion Meidani
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka reaguar për incidentin në Kumanovë, ku ndeshja e basketbollit u dominua nga kore raciste ndaj shqiptarëve.
Gjuha e urrejtjes nuk ka vend në sport, as në shoqëri, thotë ai në deklaratën publike për ngjarjen, teksa kërkon reagimin e autoriteteve.
“Thirrjet fyese në Kumanovë janë alarm për të gjithë ne. Bashkëjetesa kërkon angazhim të përditshëm, respekt për rregullat e lojës dhe për njëri-tjetrin — jo vetëm në tribuna, por kudo. Po ndjek me vëmendje reagimet institucionale dhe pres që autoritetet më të larta të Maqedonisë së Veriut të flasin qartë, fort dhe me përgjegjësi”, shkruan ambasadori.
“Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket. Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”, thërrisnin një pjesë e tifozëve në tribunë.
Thirrjet dhe refrenet u dëgjuan gjatë gjithë ndeshjes. “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” ishte një tjetër thirrje që brohoritej nga tifozët si dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, duke iu referuar asaj që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore ndaj hebrenjve.
Lajmi kryesor:
Skandal në ndeshjen Maqedoni–Rumani, thirrje raciste ndaj shqiptarëve në prani të kryeministrit Mickoski (VIDEO)
K.M/ReportTv.al