Prishtinë- UEFA do të ketë dy ankesa, nga dy federatat shqiptare lidhur me përdhosjen e simboleve kombëtare dhe thirrjet raciste që u shfaqën gjatë ndeshjeve të Ligës së Kombeve
Federata e Futbollit të Kosovës dënon ashpër shfaqjen e banderolave me hartën e Kosovës, të mbuluar me flamurin serb dhe mbishkrimin “S’ka dorëzim”, si dhe thirrjet kundër Kosovës dhe shqiptarëve, që u dëgjuan gjatë ndeshjeve të Ligës së Kombeve, Serbi-Zvicër dhe Çeki-Shqipëri.
“Këto akte të papranueshme, e të cilat po ndodhin në vazhdimësi nga tifozë serbë dhe tifozë të disa vendeve tjera që janë të afërta me grupet e tilla serbe, nuk kanë vend në futboll dhe në asnjë arenë sportive, pasi përhapin urrejtje dhe përçarje mes popujsh e shtetesh”, shkruan FFK në një deklaratë zyrtare të publikuar sot (13 tetor) në faqen e saj online.
Federata rikujton se incidente të tilla janë në kundërshtim të plotë me vlerat që UEFA dhe komuniteti ndërkombëtar i futbollit përfaqësojnë prandaj ka përgatitur ankesë zyrtare për në UEFA.
“Rikujtojmë se incidentet e tilla janë në kundërshtim të plotë me vlerat që UEFA dhe komuniteti ndërkombëtar i futbollit përfaqësojnë. Futbolli duhet të shërbejë si platformë e fuqishme për promovimin e paqes, bashkëjetesës dhe vlerave të barazisë kudo.
“FFK, si anëtare e barabartë me federatat e shteteve tjera, ka përgatitur ankesën zyrtare për në UEFA, me dëshmitë e të gjitha shkeljeve e ofendimeve që u bën ndaj shtetit të Kosovës, duke kërkuar që të ndërmerren masa të menjëhershme për të dënuar në mënyrë sa më të ashpër skenat e tilla dhe për të parandaluar përsëritjen e tyre në të ardhmen”, vijon reagimi.
Një ditë më parë edhe Federata Shqiptare e Futbollit në Tiranë deklaroi se do të përgatisë një note proteste në UEFA për të kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për thirrjet e tifozëve çekë dhe përdhosjen e simboleve kombëtare gjatë ndeshjes së vlefshme të Ligës së Kombeve, Çeki - Shqipëri mbrëmjen e 11 Tetorit.
Pas përdhosjes së simboleve kombëtare në stadiumin "Epet Arena", në Pragë të Çekisë pati dhe përleshje mes tifozave kuq e zi dhe atyre çekë. Nga pamjet e publikuara në rrjete dukej qartë se ka pasur një përleshje në stadium dhe jashtë tij pas ndeshjes, duke u dashur ndërhyrja e policisë dhe sigurisë për të qetësuar situatën.
Stadiumet e futbollit duhet të shërbejnë si arena spektakli për tifozët e mirëfilltë e jo si vend për të shpërfaqur irredentizëm, racizëm e ofendime të llojllojshme.