Foto ilustruese

Opinion

Thoma Gëllçi: Arti delikat i vetëshkatërrimit

1 Tetor, 22:04| Përditesimi: 1 Tetor, 22:09

  • Share

Demokracia është shpikja më madhështore e njeriut, pas rrotës dhe rakisë. Dhe ashtu si rrota dhe rakia, edhe ajo mund të të çojë përpara, ose mund të të rrokullisë poshtë një përrua ku s’të gjen më njeri. Ajo na jep lirinë e madhe — të zgjedhim. Dhe, meqë jemi kaq të mençur, shpesh zgjedhim pikërisht atë që do ta shkatërrojë vetë lirinë tonë.

Është një spektakël i çuditshëm: populli e voton njeriun që i thotë hapur: “Do t’ju mbyll gojën sapo të më jepni pushtetin.” Dhe populli, me entuziazëm, thotë: “Bravo! Ja ku janë çelësat e shtëpisë, e mos harro të na mbyllësh edhe dritaret!” Ka diçka madhështore në këtë lloj sjelljeje kolektive. Të tjera sisteme qeverisjeje nuk e ofrojnë dot: vetëm demokracia është kaq zemërgjerë, sa të të japë lirinë për t’ia prerë qafën vetes.

Në një mbretëri, të paktën ke një fajtor të qartë: mbretin. Në një diktaturë, e di se kush të shtyp: diktatori. Kurse në demokraci? Aty e ke luksin të fajësosh veten. “Ne e zgjodhëm këtë fat,” thua me krenari, ndërsa numëron taksat, çmimet e rritura dhe premtimet e pambajtura. Nuk është për t’u habitur që popujt e dashurojnë kaq shumë demokracinë: ajo është i vetmi sistem ku rrihesh vetë dhe pastaj duartroket për shijen e shkopit.

Shumica, thonë, ka gjithmonë të drejtë. Kjo është shakaja më e madhe se çdo komedi që kam parë ndonjëherë. Ishte një kohë kur shumica mendonte se toka ishte e sheshtë, se shiu vinte nga perënditë e zemëruara dhe se çdo shtrigë duhej djegur. Shumica është një orkestër që luan gjithnjë me dy nota: frikë dhe entuziazëm. Por, s’ka ndonjë zgjidhje tjetër. Kjo është orkestrën e vetme që luan simfoninë e madhe të demokracisë.

Demokracia është një gjë e brishtë. Është si një qengj që rritet mes ujqve. Të gjithë admirojnë pafajësinë e qengjit, por më shpesh admirojnë edhe shijen që ka mishi i tij Dhe qengji, për habi, ua jep vetë thikën në dorë.

Por këtu fshihet edhe bukuria e saj e madhe. Demokracia nuk është një dhuratë që e merr dhe e vendos mbi raft. Është një fëmijë që duhet ushqyer, edukuar dhe mbrojtur çdo ditë. Po ta lësh vetëm, rritet i brishtë dhe herët a vonë vjen dikush ta grabisë. Po ta dorëzosh te të paaftët dhe maskarenjtë, ata e kthejnë në turmë të verbër që ecën drejt greminës me brohoritje patriotike.

Në fund të fundit, demokracia është si një anije qe nuk ka  shumë timona por ka shume timoniere. Çdokush ka të drejtë të drejtojë. Por tragjedia është kur, në momentin më kritik, timonin e kap ai që nuk di të lexojë as busullën, por ka kurajon të thotë: “Une e di rrugën.”

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si iu duket?