Nëse do të kishim bërë një sondazh në Tiranë përpara se Shqipëria të votonte në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në vitin 2012 për statusin e Palestinës, shumica e njerëzve do të kishin thënë: “Ore, sigurisht që Shqipëria do të votojë pro Palestinës, e kemi njohur që në 1988, kur s’kishim as bukë për të ngrënë, por kishim parime për të shpallur.” Mirëpo politika nuk është as sondazh, as histori romantike. Është një shfaqje pragmatizmi ku edhe po-ja, edhe jo-ja mund të të sjellin telashe, ndaj shpesh zgjidhet rruga e tretë: “po-ja e heshtur”, ose më saktë abstenimi.
Shqipëria e ka njohur Palestinën qysh më 1988, në ditët e fundit të regjimit komunist. Atëherë, Tirana zyrtare shfaqej si kampion i popujve të shtypur, edhe pse vetë shqiptarët ishin të shtypur deri në palcë nga regjimi. Dhe për të qenë e qartë: për regjimin e Hoxhës, SHBA ishte imperializmi vetë, djalli që sundonte botën me bazat e tij ushtarake, me CIA-n dhe me dollarin. Izraeli ishte “vegla” e këtij imperializmi , koburja e imperializmit amerikan, në Lindjen e Mesme. Ironia më e madhe është se, pas 1990-s, e njëjta Shqipëri e bëri Amerikën “mik të madh” dhe shpëtimtar të saj, ndërsa Izraeli u shndërrua nga demon në partner të nderuar. Ky është kapitulli më i paparashikueshëm i diplomacisë sonë: një kthesë 180 gradëshe, nga djalli në shenjtor.
Në vitet ’90 dhe 2000, Palestina mbeti një kujtim i largët. Shqipëria kishte halle më të mëdha: mbijetesën, Kosovën, integrimin euro-atlantik. Palestina nuk zhdukej nga fjalimet, por as nuk zinte vend në tryezën ku vendosej fati i vendit. Dhe kur në 2012 erdhi votimi për statusin e Palestinës në OKB, Shqipëria zgjodhi formulën klasike: abstenim. As po, as jo. Një “po-jo” që s’ngroh, por as nuk djeg.
Por bota nuk ka mbetur aty. Dy vjet luftë në Gaza, mbi 60 mijë të vrarë, miliona të zhvendosur, një uragan shkatërrimi që ka prekur çdo ndërgjegje, kanë kthyer çështjen palestineze në temën e ditës. Dhe ja ku, në Nju Jork, përpara Asamblesë së Përgjithshme, Franca dhe Arabia Saudite bashkëorganizuan një samit që u shndërrua në tribunën më të madhe të mbështetjes për shtetin palestinez. Emmanuel Macron e tha prerë: “Franca e njeh Palestinën.” Sala shpërtheu në duartrokitje, palestinezët u ngritën në këmbë, ndërsa ambasadori izraelit shtrëngonte nofullat para kamerave.
Por Macron nuk ishte vetëm. Pas tij erdhën deklarata nga Britania, Kanadaja, Australia, Portugalia, Belgjika, Japonia, Danimarka, Holanda – një listë që zgjatej si një roll-call i ndërgjegjes perëndimore. Disa e formalizuan menjëherë, të tjerë premtuan se “është vetëm çështje kohe.” Në këtë atmosferë, edhe Antonio Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, nuk kurseu fjalët: “Njohja është një e drejtë, jo një shpërblim.”
Ndërkohë, SHBA mbeti e vetme në skajin tjetër të sallës, duke e parë botën të largohej nga ajo. Trump ,e quajti njohjen “shpërblim për Hamasin”. Zëdhënësja e tij, Karoline Leavitt, u përpoq ta paketojë me retorikë: “nuk çon as te lirimi i pengjeve, as te mbyllja e luftës.” Por kushdo e kupton se pengjet dhe lufta janë thjesht preteksti i fundit në një listë të gjatë justifikimesh për të thënë jo.
Izraeli, nga ana e tij, nuk e fshehu zemërimin. Netanyahu shpalli sërish: “Shtet palestinez përtej lumit Jordan nuk do të ketë kurrë.” Ambasadori Danon tha me sarkazëm se gjithë ky samit ishte “teatër”. Dhe ndoshta kishte të drejtë: ishte teatër, por teatër ku rolet po ndryshojnë. Dhe në teatër, edhe kur dikush përplas derën, dikush tjetër fiton duartrokitjet.
Në këtë realitet të ri, Shqipëria gjendet përballë një dileme edhe më të madhe. A mund të vazhdojë të abstenojë pafund? Kur 150 vende e kanë njohur Palestinën dhe çdo ditë shtohen të tjerë, a mund Tirana të fshihet pas një “po-jo-je” që s’i kënaq më askënd? Abstenimi mund të funksiononte në vitin 2012, kur bota ishte më e ndarë. Por në 2025, kur Britania, Franca, Japonia dhe të tjerë po vendosin në tavolinë njohje formale, një abstenim shqiptar nuk tingëllon më si neutralitet i mençur, por si mungesë guximi.
Sigurisht, Shqipëria ka arsyet e saj. SHBA është aleati strategjik, garant i sigurisë kombëtare. Izraeli është partner që mbështetet mbi kujtesën e shpëtimit të hebrenjve. Por edhe bota arabe dhe islame është akoma e rëndësishme, sidomos për Kosovën. Ndaj, si gjithmonë, diplomacia shqiptare është në pozitën klasike: një akrobat mbi tel, që lëkundet nga era e fuqive të mëdha. Vetëm se telit po i afrohet fundi dhe abstenimi nuk është më trampolina që shpëton.
Në Nju Jork, Macron tha: “Duhet të hapim rrugën për paqe.” Në sallë, Abbas foli me video sepse SHBA nuk i dha vizë: “E ardhmja jonë dhe e juaja varet nga paqja. Mjaft luftë.” Dhe në krah, Zelensky i Ukrainës kërkonte presion mbi Rusinë. Kjo është bota e sotme: një arenë ku krizat mbivendosen, por ku Palestina ka rifituar qendrën e skenës.
Për Shqipërinë, pyetja është e thjeshtë: a do të vazhdojë të thotë “abstenoj”, kur edhe zëri i saj i vogël mund të bëhet pjesë e një kori global që kërkon një zgjidhje? Apo do të vazhdojë të ulë kokën dhe të shpresojë që askush të mos e pyesë?
Dhe kështu, ndërsa bota grindet për Lindjen e Mesme, Shqipëria mbetet me buzëqeshjen e saj diplomatike, të gatshme të thotë çdo gjë që nuk zemëron askënd. Një buzëqeshje që në vitin 2012 dukej pragmatike, por në vitin 2025 rrezikon të duket thjesht si e vakët. Abstenimi ishte një strategji e mençur për një vend të vogël; tani, në një botë ku edhe të mëdhenjtë po marrin guximin e njohjes, ai fillon të duket si një tregues frike. Dhe kjo është më e rrezikshme sesa një votë “po” apo “jo”.
Komente
