Agron Shehaj

Opinion

Thoma Gëllçi: Agron Shehaj si tregues i dështimit të RTSH në misionin e vet

15 Prill, 07:02| Përditesimi: 15 Prill, 07:08

  • Share

Ka një arsye pse fjala "spektakël" në politikën shqiptare shpesh nuk ka lidhje me teatrot apo ekranin e madh, por me deklarata si ajo e Agron Shehajt. Kryetari i Partisë "Mundësia", me një zell të admirueshëm për të kapur vëmendjen me çdo kusht, propozoi pak kohë më parë mbylljen e Radio Televizionit Shqiptar. Më pas e zbuti tonin dhe e korrigjoi vetveten: nuk kërkon mbyllje, por vetëm që t’i shkurtohet buxheti në 5 milionë euro, që sipas tij mjaftojnë për kostot operacionale të një televizioni publik. Shkurt, një RTSH “light” - pa kripë, pa zë, dhe nëse është e mundur, pa energji elektrike.

Në fakt, ndoshta nuk do ia vlente të merreshe me një propozim të tillë, sidomos në një fushatë elektorale ku çdo replikë e mbështet zhurmën që kërkon protagonisti. Dhe Agroni këtë kërkon: zhurmë. Ai lëshon shifra milionëshe si fishekzjarrë llogaritur në kokë, ndoshta teksa ecën në makinë, duke shpresuar se çdo absurditet i artikuluar me zë të sigurt do të mjaftojë për të bërë “clickbait” politik. E ku ka më bukur sesa të shndërrosh një çështje komplekse si funksioni i shërbimit publik mediatik në një llogari me tre fjalë: “30 milionë euro më pak!”? Madje, siç duket, këto llogari Agroni i bën duke ngarë makinën. Pse të lodhemi me analiza buxhetore kur mund të bëjmë aritmetikë në semafor?

Por hajde t’i lëmë fjalët e zbrazëta dhe të futemi në territorin e ftohtë të shifrave. Sipas buxhetit të planifikuar për RTSH - që është 27 milionë euro - Agroni kërkon të kursejë 30 milionë euro. Një matematikë gjeniale, që mund t’i lërë gojëhapur të gjithë. Madje, edhe vetë Shehaj e kuptoi se diçka nuk i dilte, ndaj vendosi ta lërë RTSH-së një lëmoshë prej 5 milionë eurosh. Zemërgjerësi moderne.

Vetëm për dy zëra kryesorë që lidhen me funksionimin teknik të transmetimeve digjitale, shpenzimet vjetore janë mbi 5.7 milionë euro: 3.5 milionë për pagesat e kredisë dhe 2.2 milionë për kontratën e mirëmbajtjes së rrjetit. Pra, që në start jemi 700 mijë euro në minus. Nëse i shtojmë kostot e energjisë elektrike për 60 transmetues aktivë në të gjithë territorin, depozitat me naftë për gjeneratorët në rast të mungesës së energjisë (në Shqipëri mungesat janë realitet edhe në 2025), dalim thellë në borxh.

Por po ta shohim nga këndvështrimi i Agronit, edhe Orkestra Simfonike e RTSH mund të jetë luks: "Pse duhen tetë violina? Mjaftojnë dy për të bërë zhurmë!" Një logjikë që e ngatërron artin me alarmet e makinës. A e di Agron se për të blerë kampionatin shqiptar të futbollit, RTSH ka lidhur kontratë dhe i paguan Federatës Shqiptare të Futbollit 1.2 milionë euro në vit? RTSH i humbi ndeshjet e kombëtares shqiptare të futbollit sepse nuk pagoi dot çmimin e saj që ishte mbi 1 milionë euro. Po të drejtat e tjera sportive, po kostot për të mbajtur një kanal filmash? A e di Agron Shehaj që RTSH nuk i vjedh filmat që transmeton por blen të drejtat e transmetimit të tyre?

RTSH është larg përkryerjes. Askush nuk e mohon se institucioni ka nevojë për transformim dhe reformim të thellë, të vërtetë, profesional. Por, ai mbart një mision që është shumë më i thellë se çfarë e percepton një politikan i nxituar që mat gjithçka me llogaritë e një biznesi: RTSH ka detyrën të edukojë, të ruajë identitetin kombëtar, të shërbejë si garanci për një hapësirë publike larg vulgaritetit, pornografisë vizuale dhe mediatizimit të injorancës. Në një vend ku "trendi" i ditës është zhveshja si formë rebelimi dhe shalët si simbol kulture pop, RTSH është ndër të paktat hapësira ku mund të ulesh me familjen dhe të mos ndihesh në siklet.

Agron Shehaj nuk e kupton këtë – ose bën sikur nuk e kupton. Dhe ky është tregues i dështimit të RTSH në një nga funksionet e saj më themelore: të krijojë qytetari mediatike, të formojë gjykim kritik, të ndërtojë vlerësim për të bukurën, për të arsyeshmen dhe për të drejtën. Nëse ky mision do të ishte përmbushur me sukses, ndoshta figura si Agroni nuk do të gjenin terren të tillë për të shitur me kaq lehtësi dogma boshe.

Po mirë, edhe ne e dimë që në fushatë duhet të thuash gjëra që kapin veshin e qytetarit të lodhur, por kur propozimet bëhen në nivelin e një basti mes dy çunash te lagjja që pyesin sa lekë do i duheshin një televizioni për të transmetuar gjithë verën vetëm filma me Jean-Claude Van Damme, atëherë kemi një problem.

Sepse Shehaj nuk është thjesht një qytetar që u mërzit me RTSH-në se nuk i dha Festivalin e Fundvitit Elvana Gjatës. Ai është politikan. Dhe kur një politikan nuk kupton rolin e transmetuesit publik - apo më keq, bën sikur nuk e kupton për të fituar pikë politike, kjo është një krizë që meriton më shumë se një meme në Facebook.

Por përtej kritikave politike e buxhetore, Agron Shehaj zgjodhi të më sulmojë personalisht si ish-drejtues i RTSH, duke më quajtur hajdut. Ndaj këtu është e nevojshme një sqarim i plotë, jo për të bërë viktimën, por për të respektuar të vërtetën:

“Agron, më vjen keq që të të them, por përveçse je i paditur dhe mendjelehtë, je edhe gënjeshtar shpifës. Unë nuk jam arrestuar për ndonjë tender, por sepse lidha një kontratë që shtyu pranimin e mallrave që kishte blerë RTSH 14 ditë përtej afatit. Kjo për shkak se nuk kishim paratë për të paguar faturën, pasi Ministria e Financave kishte prerë fondin. Dhe kjo nuk solli asnjë dëm ekonomik - përkundrazi, kurseu penalitete që duhej të paguante RTSH për moszbatim kontrate.

Tani përsa i përket burgut që përmend: kam qëndruar 11 muaj i arrestuar, nën hetim nga SPAK-u i Partisë që kontrolloi çdo dokument të firmosur nga unë - çdo tender, çdo urdhër. Kërkuan me çdo kusht të gjenin diçka për të justifikuar arrestimin tim. Nuk gjetën asgjë tjetër me përjashtim të asaj shtese kontrate që për mendimin tim dhe të specialistëve është komplet në përputhje me Ligjin.

Më kontrolluan edhe shtëpinë, më sekuestruan edhe telefonin dhe gjithë komunikimet zyrtare. Sepse, ndryshe nga ajo që mbase ke menduar ti, nuk jemi të gjithë njësoj. Unë, Agron, nuk shfrytëzova pasaportën amerikane për t’iu shmangur hetimeve dhe të largohesha nga Shqipëria, por u komunikova vetë me organet e Ligjit për t’u paraqitur atje ku kërkonin ata, pavarësisht se në ato momente nuk ndodhesha në Tiranë.

Unë as u bëra i sëmurë, as futa miq, as akuzova kënd dhe, pavarësisht se isha i bindur në padrejtësinë ndaj meje, qëndrova ta përballoja këtë gjë me dinjitet. Unë nuk i përkas “racës” suaj, që e ka për zakon të gjykojë të tjerët sipas vetes. Unë e kam kaluar vetting-un dhe e kam me vendim gjykate që nuk jam hajdut. Po ti Agron, e kalon dot këtë vetting?”

Gjatë pesë viteve të drejtimit të RTSH kaluam një proces transformimi gjigand dhe të gjithanshëm: Nga një kanal me miza që nuk i shihej sinjali as në godinën e RTSH, ndërtuam një platformë mediatike moderne me 17 kanale televizive, gjeneraliste dhe tematike, dhe 11 kanale radioje. Ndryshuam teknologjinë e transmetimeve nga SD në HD, ndërtuam platformën revolucionare OTT “RTSH TANI” që mundësonte të shiheshin programet e saj në të gjithë botën dhe që njerëzit t’i shihnin programet kur të donin, sipas kohës së tyre. E di ti Agron se çfarë të drejtash sportive zotëronte RTSH në kohën kur drejtoja unë?

Pyet njëherë, sepse nëse do filloj të shkruaj këtu, më del lista shumë e gjatë dhe shkrimi shumë i gjatë. Ne treguam, Agron, se RTSH bëhej! Por ishte politika dhe njerëz të racës sate që e ndërprenë këtë punë reformuese, pushuan nga puna më të mirët, përzunë nga vendi inxhinierët, shitën interesat e publikut te privatët dhe vërtiten tani si miza pa kokë me shpresë që do ta rrënojnë RTSH-në nga brenda me qëllim që t’i arrijnë qëllimit final: zhdukjes fare të saj dhe ndërtimit të ca kullave në shesh, ndërtimin aty.

Por, Agroni nuk është problemi - ai është simptoma. Ai është një produkt i boshllëkut të informacionit, i deformimit të perceptimit publik dhe i mungesës së edukimit mediatik. Dhe kur ekrani bosh nuk edukon, do e mbushin të tillët.

Problemi me RTSH-në nuk është që ekziston - problemi është që Agroni nuk e kupton pse ekziston. Dhe kjo është pasojë e një mungese të thellë edukimi mediatik.

Në shumë vende, në shkollë mëson çfarë është një media publike, pse ka rëndësi, çfarë do të thotë pluralizëm, pavarësi editoriale, përgjegjësi qytetare. Agroni ka mësuar të bëjë video në Facebook dhe pastaj t’i thotë medias “Fake news” kur të mërzit.

RTSH nuk është e përkryer. Ka nevojë për reformë. Për profesionalizëm. Për më shumë pavarësi nga politika. Por mënyra për ta rregulluar nuk është ta mbyllësh apo të mundohesh të bësh zhurmë në dëm të imazhit të saj.

RTSH është shtëpia e memories kombëtare. Është vendi ku jetojnë regjistrimet e Festivalit të parë të Këngës, zëri i Ahmet Zogut dhe i Fan Nolit, këngët e Tefta Tashkos dhe Vaçe Zelës, dramat e teatrit të viteve ‘80, koncertet simfonike, gjuha letrare shqipe. Kur thua “le ta mbyllim”, në fakt po thua: “le të harrojmë se kush kemi qenë”.

Agron Shehaj është, në një farë mënyre, një metaforë: simbol i një politike që nuk propozon reformë, por rrënim; që nuk kërkon zgjidhje, por vëmendje; që ngatërron “kursimin” me “zhdukjen” dhe “eficiencën” me “anulimin”. Ai nuk e kupton (ose bën sikur) se RTSH nuk është një institucion për të bërë para, por një investim kulturor e demokratik – një “shpenzim” që ruan identitetin kombëtar në një treg të egër ku vlera matet me klikime.

Agron Shehaj nuk është thjesht një kritik i RTSH. Ai është një simptomë e një mendësie që e sheh çdo gjë publike si barrë dhe çdo shpenzim për kulturë si luks. Një llogari e thatë, e zbrazët nga vizioni, që e mat vlerën e një institucioni vetëm me Excel-in e buxhetit dhe jo me ndikimin që ka në ndërtimin e një shoqërie më të vetëdijshme.

Në këtë logjikë, le të mbyllim edhe Akademinë e Shkencave, Institutin e Gjuhësisë, Qendrën Kombëtare të Librit, Universitetin e Arteve. Se të gjitha “hanë para” dhe nuk sjellin “fitim”. Por shteti nuk është një biznes. Dhe kultura nuk është një artikull që e mbash në raft vetëm nëse shitet shumë.

RTSH mund të mos jetë spektakli më i madh në qytet. Por është skena ku ende dëgjohet një fjalë e arsyeshme, ku ruhet një dokumentar për një këngëtar të harruar, ku transmetohet një koncert klasik pa ndërprerje publicitare për detergjentë. Është një hapësirë ku, edhe nëse ka pluhur, nuk ka zhurmë. Dhe në këtë kohë zhurmash, kjo vlen më shumë se çdo fjalim i Agronit nga makina.

Shehaj, ndoshta pa dashur, na kujton edhe një të vërtetë të hidhur: që RTSH ka dështuar në një pjesë të misionit të saj. Ka dështuar të krijojë një publik të ndërgjegjshëm, të aftë të dallojë mes propagandës dhe politikës, mes bufonëve dhe burrështetasve. Ka dështuar të ndërtojë një shije estetike që të refuzojë populizmin si zë alternativ. Dhe në këtë dështim, nuk ka faj vetëm buxheti. Ka faj ndërhyrja politike, mungesa e vizionit të pavarur, dhe nganjëherë, vetë heshtja.

Por zgjidhja nuk është t’i heqësh zërin RTSH-së. Zgjidhja është të kërkosh që të flasë më mirë, më bukur, më drejt.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • RRTSH: 15/04/2025 14:58

    Thoma Gëllçi bie në kundërshtim me veten: pranon se RTSH ka dështuar në misionin e vet për edukimin mediatik dhe krijimin e gjykimit kritik, ndërsa sulmon ashpër dikë që e artikulon këtë dështim në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në vend që të ofrojë një analizë serioze mbi raportin midis buxhetit dhe prodhimit real, ai shmang thelbin përmes ironisë dhe sulmeve personale. Pyetja që ngrihet – pse duhet të financohet me 30 milionë euro një institucion që nuk arrin objektivat e veta thelbësore – është legjitime dhe kërkon një përgjigje profesionale. RTSH ka nevojë për reformë të thellë, matje të qartë të performancës dhe orientim drejt efikasitetit. Një RTSH më e vogël, por funksionale dhe me ndikim real, mund të jetë më e vlefshme për publikun sesa një strukturë e madhe e cila nuk justifikon financimin që merr.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet t’u jepet mundësia prokurorëve të SPAK të rikandidojnë?