Vladimir Putin dhe Donald Trump

Opinion

Thoma Gëllçi: Kronikë negociatash dhe deklaratash

18 Gusht, 15:44| Përditesimi: 18 Gusht, 15:45

  • Share

Disa ditë më parë gjithë bota priste me ankth. Presidenti Trump u nis drejt Alaskës me një vetëbesim që mund të shkrinte akullnajën siberiane. “Sa të takohem unë me Vladimirin kësaj lufte i vjen fundi”— deklaroi me zë të fortë, duke pritur që vetë ushtarët rusë dhe ukrainas ta dëgjonin në transmetim live dhe të hidhnin armët nga gëzimi.

Para nisjes tha me solemnitet që “pa një armëpushim do të jem i zhgënjyer”, gjë që bëri Zelenskyy të vërë shënim në fletoren e tij diplomatike: “Nëse Presidenti amerikan zhgënjehet, humbim pikë në lojën e madhe.”

Avioni presidencial fluturoi mbi qiellin e Alaskës si një shqiponjë paqedashëse që mbante një degë ulliri në sqep . I shoqëruar nga dy bombardues strategjikë B2 , ngazëlleu gjithë botën , sepse do t’i tregonte Putinit dhëmbët dhe atij do t’i dridheshin gjunjët.

E dimë që ka qejf tja tregojë çdo diktatori “bishën” , makinën e tij të blinduar, siç ja tregoi edhe Kimit të Koresëmsë Veriut. E mori Vladimirin në makinë dhe i buzëqeshur përshëndeti gazetarët. . Ashtu si ndodh gjithmonë në skenat tragjikomike, mjaftoi një shtrëngim duarsh prej pesë sekondash dhe Trump harron fjalën “armëpushim”. Tani fjala magjike kishte ndryshuar: “marrëveshje përfundimtare”. A thua me një mossukses diplomatik mund të hapësh një proces paqeje që s’e kanë arritur as njerëzit që flasin rusisht e ukrainisht bashkë?

Ndërkohë, në Kiev, Zelenskyy gjithë ankth shikonte live në TV  pritjen e Vladimirit dhe mendja i shkoi tek   incidenti televiziv i shkurtit, kur Trump i tha në mes të kamerave, “Ti nuk ke letrat e duhura”. Që atë ditë  presidenti ukrainas kishte blerë gjithë librat e pokerit, shahut dhe kartë-mesazheve diplomatike, të përgatitej për çdo lëvizje. Gazetarët evropianë shkruajtën se ai ishte gati të bënte lëshime, por vetëm me kusht që “lufta të ndalet”. Evropianët e pëlqejnë këtë lloj qasje – aq sa kanë bërë një sport të ri: sanksione artistike, të cilat Putin i var në mur si medalje dekorative.

Putini, i ulur përballë Trumpit në Alaska, ofroi “versionin e tij të sinqertë” të paqes: Ukraina duhet të heqë dorë nga ca territore që ende nuk i ka humbur, të premtojë se NATO-n do ta shikojë vetëm në televizor, dhe të reduktojë ushtrinë në madhësinë e një ekipi të rinjsh nën 18 vjeç. Trump, duke tundur kokën me mirëkuptim të thellë, tha se “kjo ka kuptim praktik”. Paqja, mendohet, është një lojë ku njëra palë dorëzon gjithçka, dhe tjetra ofron një përqafim filozofik.

Në Evropë, ndërkohë, Ursula von der Leyen njoftonte se “armëpushimi është i domosdoshëm për të filluar diplomacinë” dhe kërkonte një “proces të strukturuar për garanci sigurie”. Kjo frazë u përkthye menjëherë nga një portal i Kievit: “Ne do t’ju mbështesim, por mos na fusni në luftë.” Dhe Zelenskyy buzëqeshi me edukatë diplomatike – mënyra e vetme për të mos ulëritur.

Sapo Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë, merr penën sikur të ishte  Heminguey dhe shkruan në rrjetet sociale: “Të gjithë të pranishmit ranë dakord se vetëm një marrëveshje paqeje e madhe dhe e përhershme do të ndalë luftën — jo një armëpushim i përkohshëm.” Askush nuk e kundërshton atë postim – ndoshta nga frika se rrezikojnë të etiketohen si “kundër paqes”. Putin heshti me kënaqësi; Zelenskyy heshti me parandjenjë të keqe; ndërsa Ursula nxori një deklaratë të re që thoshte diçka si: “Ne do të vazhdojmë të kërkojmë… çfarëdo që të kërkojë Amerika.”

Në Kiev vazhdojnë rëniet e raketave gjatë natës. Ushtria ukrainase shpjegon publikisht se “pa një armëpushim, negociatat do të kthehen në biseda filozofike ndërsa njerëzit vdesin çdo ditë.” Nga ana tjetër, Putin mendon se paqeja është e mundur vetëm pasi Ukraina të mësojë të thotë “po” me gramatikë të saktë ruse.

Ndërsa Zelenskyy udhëtoi sot drejt Amerikës, ishte e para herë që dëshironte të udhëtonte me tren për në Uashington (trenat në këto distanca  janë simbol i durimit). Ai e di që do të përballet me një President që i kërkoi minerale në këmbim të ndihmës.

Dhe kështu, epopeja diplomatike vazhdon:

Trump udhëton për paqe dhe kthehet me një manual për negociata të përhershme.

Putini lutet për “shkaqet rrënjësore”, që janë pikërisht ato që ai vetë krijoi.

Zelenskyy kërkon armëpushim që të mos bëhet armëfikje.

Evropianët ofrojnë deklarata poetike dhe kujdesen që askush të mos i përfshijë direkt në zjarr.

Në këtë dramë të madhe ndërkombëtare, kauza e vetme që ka vërtet një shans për paqe është… lodhja kolektive. Ndoshta vetëm kur të gjithë të lodhen nga fjalët dhe deklaratat, do të thonë të vërtetën më të thjeshtë: “T’i nënshtrohemi logjikës së jetës dhe të ndalojmë së vrari njëri-tjetrin.”

Deri atëherë, paqja do të vazhdojë të fluturojë herë drejt Alaskës, herë drejt Brukselit, duke humbur rrugën dhe duke u rrëzuar gjithnjë në oborrin e Shtëpisë së Bardhë – ku askush nuk e fut brenda pa firmosur një kontratë për minerale, tokë ose “koncesione diplomatike të sinqerta”. Dhe bota pret përsëri me ankth.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimet e Trump me Putin e Zelenskyn do sjellin paqen në Ukrainë?