Thoma Gëllçi

Opinion

Thoma Gëllçi: Pushim me vendim qeverie

12 Prill, 16:37| Përditesimi: 12 Prill, 16:42

  • Share

Komedi satirike 

Personazhi i vetëm: XHAXHAI GËZIM – burrë në të 60-at, tirons puro, banues i vjetër i lagjes "Ali Demi", i stërlodhur nga lajmet, por me humorin gjithmonë gati.

VENDNDODHJA: Një ballkon i thjeshtë pallati, me në sfond nga njera ane  depozita uji, bidona, oxhaqe, antena dhe ca rroba të varura. Tavolinë e vogël, filxhan kafeje, gazetë, televizor ne sfond nga ana tjeter.

(Skena hapet. Xhaxhai Gëzim është ulur në karrige plastike, në ballkon. Ka gazetën mbi prehër, filxhanin e kafesë në dorë dhe po shikon televizorin ku flitet për samitin e BE-së në Tiranë.)

XHAXHAI GËZIM

(E drejton fjalën nga publiku, si të flasë me komshiun që po nden rrobat matanë ballkonit.)

E shikon? E pamë edhe këtë! Qeveria na dha pushim. Me vendim. Zyrtar. Diten qe behet Samiti do rrime te gjithe neper shtepia dhe do shohim televisor. Do shohim Macronin e Frances, njelloj sikur te shohim Napoleon Bonopartin ne Tirane. Aq me teper , thone se Macroni do kete veshur atlete te bardha qe ja dha ky I yni dhurate. E ka shok. 

15 e 16 maj, pushim, ore! Se vjen Evropa... Po jo ajo e Shengenit dhe e eurove. Vjen ajo Evropa tjeter, ajo me fjalime, me fjali të gjata dhe zero pika konkrete.  Kjo është... Evropa e vizitave! Këta thonë: "Evropa po vjen!" Po Evropa ka ardhur plot herë. Ka ardhur si projekt, si marrëveshje, si raport i KE-së, por kjo është hera e parë që vjen si arsye për pushim. Qeveria do ta shpalle feste zyrtare 15 dhe 16 majin. Do festohet cdo vit pastaj si 28 dhe 29 nentori.

(Ngre gazetën, tund kokën.)

Këtu shkruan "Komuniteti Politik Evropian". Moj nënë, as emrin s'e mbajmë mend! Një shok imi mendoi se ishte ndonjë festival i ri muzikor. Tjetri tha "Qenka si Eurovision, po pa kangë!"

Na thone që do diskutojnë për të ardhmen. Po ne këtu s’kemi zgjidhur të tashmen akoma! Na thonë të besojmë në vlera, kur s’kemi ujë 24 orë. Flasin për demokraci, kur ende vdesim për një vend parkimi.

Po unë nuk jam pessimist?  Jo, jo. Unë jam realist me përvojë. Dhe përvoja më thotë që samitet këtu janë si dasmat: zhurmë, muzikë, veshje të shtrenjta, e në fund ngelëm me borxhe dhe me enët për të larë.

(Hedh sytë nga rruga.)

Rruga? Epo rrugë s'ka. Do bllokohen. Dmth unë do i them komshiut "përshëndetje" nga ballkoni, se s'ka ku të kalojë. Edhe policia qenka gati. Thua se po vjen flota e gjashtë.

(Drejt publikut, i afrohet parvazit si me konfidencë.)

Kam i pyetje: Kur kemi 34 kapituj për të mbyllur me Bashkimin Evropian... pse mbyllim zyrat, o shok? Pse s'punohet dyfish? Pse mbyllet edhe posta, edhe shkolla, edhe tatimet?

Çfarë reformash do shohë Evropa? Qytetarë të rregullt që hanë fara në ballkon, se s'mund të dalin nga pallati?

(Ulet prapë, pi një gllënjkë kafe.)

Po s'ka gjë... Edhe pushimi është e drejtë njerëzore. Thjesht, kur të tërhiqet Evropa mbrapsht, të mos na tërhiqet edhe rroga bashkë me të.

Tani, unë kam vendosur: Më 15 dhe 16 do rri në ballkon me kanatjere dhe shall. Do ngre flamurin në grilën e dritares, do përshëndes ambasadorët me filxhan në dorë.

Nëse ka ndonjë lider që do kafe të fortë, ta dijë: Xhaxhai Gëzim është në shërbim të integrimit!

(Ngrit filxhanin lart sikur po bën "gezuar".)

Për BE-në! Për pushimin! Për teatrin që luajmë të gjithë, pa bileta e pa skenografi!

(Dritat bien ngadalë, Xhaxhai pi kafen me ngazëllim modest.)

FUND.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nisi fushata zgjedhore për 11 majin, si e parashikoni?