Pas zbulimit të naftës së pastër që nuk ka nevojë për rafinim në malin e Shpiragut, rezervave të mëdha të hidrogjenit në Bulqizë dhe ujërave termale në Leskovik nga shkencëtarët çekë, në prag të zgjedhjeve të majit, një ekip kërkuesish nga Instituti i Studimeve Gjeologjike i Varshavës ka bërë një zbulim të rëndësishëm në fushën e gjeomorfologjisë dhe hidrologjisë malore. Ata kanë identifikuar Liqenin Akullnajor të Gramozit, një formacion unik ujëmbledhës i vendosur në një nga majat më të larta të Shqipërisë. Ky zbulim ka lënë pa fjalë vendasit në të dy anët e kufirit Shqipëri-Greqi dhe ka nxitur interesin e komunitetit shkencor ndërkombëtar, pasi ky liqen përfaqëson një rast të rrallë të një formacioni karstiko-alpin që ruan karakteristika akullnajore edhe në kushtet e një klime mesdhetare.
Shkencëtarët polakë zbuluan se Liqeni Akullnajor i Gramozit ndodhet në një lartësi prej 2,400 metrash mbi nivelin e detit, pranë fshatit Starje, në bashkinë Kolonjë. “Është shumë interesante," – tha një nga anëtarët e ekspeditës shkencore polake – "që ky liqen përfaqëson një formacion akullnajor-karstik, i cili është formuar gjatë epokës së fundit të akullnajave si rezultat i shkrirjes dhe erozionit të shtresave të akullit që dikur mbulonin këtë rajon.”
Për të kryer matjet, shkencëtarët polakë përdorën një teknologji shumë të avancuar dhe zbuluan se liqeni ka një sipërfaqe rreth 0.4 hektarë, me një formë pothuajse eliptike dhe një thellësi që varion në varësi të reshjeve dhe temperaturave sezonale.
Por zbulimi më i madh i shkencëtarëve polakë është fakti se liqeni ushqehet kryesisht nga reshjet atmosferike, duke përfshirë borën dhe shiun, si dhe nga rrjedhjet sipërfaqësore të vogla që formohen gjatë shkrirjes së dëborës në pranverë dhe fillim vere. Për shkak të lartësisë dhe klimës alpine, ai mbetet i ngrirë gjatë shumicës së muajve të dimrit, me një trashësi akulli që mund të arrijë nga disa centimetra deri në një metër.
Ferre Dumi, një çoban nga Starja, u shpreh i habitur dhe shumë falënderues për shkencëtarët polakë. “Me qindra herë kam kaluar në majën e Gramozit dhe asnjëherë nuk më ka shkuar në mendje që ai grumbull uji i ngjashëm me një rezervuar të ishte liqen,” – tha ai, duke falënderuar ekipin polak për zbulimin.
Kryetari i ekipit të shkencëtarëve polakë i tha kryetarit të Bashkisë së Kolonjës, se “Ky liqen është një ekosistem unik që mbështet një florë dhe faunë të specializuar alpine. Për shkak të temperaturave të ulëta dhe kushteve të rrepta klimatike, në zonën përreth tij rriten bimë tipike të tundrës alpine, ndërsa në ujërat e tij të pastërta mund të gjenden mikroorganizma të përshtatur ndaj temperaturave ekstreme.”
Gjeologët besojnë se ky formacion paraqet një rast studimi të rëndësishëm mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike në rajonet malore. "Formacionet akullnajore si ky na ofrojnë një dritare të qartë për të kuptuar historinë klimatike dhe proceset e erozionit që kanë ndikuar në formësimin e Alpeve Ballkanike," – shpjegon profesori Andrzej Kowalski, udhëheqësi i ekspeditës shkencore polake.
Përveç vlerës shkencore, Liqeni Akullnajor i Gramozit ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik dhe sportiv. Me peizazhe mahnitëse dhe një ambient të paprekur natyror, ai do të tërheqë alpinistë, eksplorues dhe adhurues të natyrës. Rajoni ofron mundësi për alpinizëm, ecje malore dhe kamping në kushte të egra, duke u bërë një destinacion i rëndësishëm për aventurierët që kërkojnë një përvojë të veçantë në natyrë.
Pas publikimit të raportit shkencor mbi këtë formacion të rrallë, interesimi për këtë destinacion është rritur ndjeshëm. Kryeministri i Shqipërisë, e ka cilësuar Liqenin Akullnajor të Gramozit si një “thesar të fshehur” dhe një “pasuri natyrore të jashtëzakonshme për turizmin malor të Shqipërisë.” Në një postim në rrjetet sociale, ai shprehu mbështetjen për përfshirjen e tij në itineraret turistike dhe zhvillimin e infrastrukturës për ta bërë më të aksesueshëm për vizitorët.
Postimi u ripostua me shpejtësi nga i gjithë rrjeti i Rilindjes, me shënimin: “#S’ka kohë për pushim. Përpara!”
Lajme edhe më të mira vijnë nga Bashkia e Beratit. Sipas burimeve jozyrtare, një grup shkencëtarësh sllovakë kanë zbuluar në afërsi të qytetit të lashtë të Beratit një mal të lartë, i cili ndoshta mund të jetë një nga malet më të larta në Shqipëri. Ekspedita sllovake, e financuar nga Fondacioni Tomorr, ka deklaruar se nëse ky zbulim konfirmohet, mali do të quhet "Mali i Tomorrit."
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)