Foto Ilustruese

Opinion

Thoma Gëllçi: Zhvillimi shkencor dhe sfidat e reja të imigracionit studentor në SHBA

31 Maj, 07:50| Përditesimi: 31 Maj, 07:55

  • Share

Në një shkrim para disa ditësh në Neë York Times bëhet fjalë për Qian Xuesen, një inxhinier raketash kinezo-amerikan, që në vitet 1950 po luante një rol kyç në zhvillimin e motorëve reaktivë dhe raketave balistike. Ai bashkëpunoi edhe në projektin Manhattan, si dhe udhëhoqi “Jet Propulsion Laboratory” (paraardhësi i NASA-s). Megjithatë, në kulmin e karrierës ai u arrestua dhe iu revokua leja e qëndrimit nën dyshimet për “spiunazh” gjatë histerisë së McCarthy-t, pavarësisht mungesës së provave. Pas pesë vjetësh nën arrest shtëpiak, Qian u shkëmbye në vitin 1955 me disa robër amerikanë dhe u kthye në Kinë. Atje, ai themeloi programin e armëve moderne dhe drejtoi ndërtimin e raketave kineze, duke çuar në testimin e parë të tyre më 1960 dhe, deri në vitin 1980, në aftësinë për t’i goditur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Sovjetik. Ky veprim shpërfaqi një gabim strategjik amerikan: humbja e një talenti që mund ta kishte avancuar SHBA-në edhe më tepër në garën hapësinore.

Autori i këtij artikulli lidh këtë histori me vendimet e fundit të qeverisë amerikane për të “revokuar në mënyrë agresive” viza studentësh kinezë, duke paralajmëruar se një qasje ksenofobe dhe përjashtuese mund të dëmtojë avantazhin strategjik që SHBA fiton nga pritja dhe arsimimi i mendjeve të shkëlqyera të huaja. SHBA, dikur simbol i hapjes akademike ndaj të rinjve nga e gjithë bota, po përballet me një kthesë të fortë në politikën e saj të imigracionit studentor. Së fundmi, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi se “nën drejtimin e Presidentit Trump” Departamenti i Shtetit do të bashkëpunojë ngushtë me Departamentin e Sigurisë Kombëtare për të rishikuar dhe, në disa raste, revokuar vizat e studentëve ndërkombëtarë. Krijimi i kriterëve më të rreptë dhe rritja e kontrolleve, duke përfshirë shqyrtimin e profileve në rrjetet sociale para intervistave, synojnë të përforcojnë mbikëqyrjen ndaj çdo kërkuesi, pa dallim shtetësie.

Ndër rreth 1 milionë studentëve ndërkombëtarë që studiojnë në universitete amerikane, studentët nga Kina përbëjnë thuajse një të katërtën e tyre (rreth 277,000 në vitin akademik 2023–2024), por së bashku me grupet më të vogla nga India, Koreja e Jugut, Arabia Saudite dhe Brazili, ata kanë kontribuar mbi 45 miliardë dollarë në buxhetet e institucioneve arsimore gjatë të njëjtës periudhë. Prej vitit 2019 e këtej, numri i studentëve kinezë ka rënë me rreth 25%, por duke llogaritur të gjithë studentët ndërkombëtarë, shifra totale mbetet pranë niveleve historike, falë rritjes së aplikimeve nga vendet e tjera dhe programeve bursash të përshtatura për talente globale. Prania e studentëve të huaj në kampuset amerikane ka rrënjë që nga pas Luftës së Dytë Botërore, me themelimin e programit Fulbright në vitin 1946. Gjatë dekadave të mëvonshme, liberalizimet ekonomike dhe politikat e vizave të lehta inkurajuan flukse të vazhdueshme nga Europa Lindore, Azia, Lindja e Mesme dhe Amerika Latine. Ndërsa tensionet tregtare dhe sfidat e pandemisë ngadalësuan së fundi disa prej këtyre flukseve, universitetet amerikane vazhdojnë të jenë destinacioni kryesor për studentët që kërkojnë arsim cilësor, hulumtim të avancuar dhe mundësi profesionale.

Edhe sot, pas rënies së numrit të studentëve kinezë me rreth 25% që nga 2019, universitetet amerikane përfitojnë nga prania e shkencëtarëve dhe sipërmarrësve të ardhur nga jashtë, të cilët vazhdojnë të formojnë epokën e re të teknologjisë: Elon Musk, i lindur në Afrikën e Jugut dhe i shkolluar në SHBA, që themeloi SpaceX dhe Tesla Motors; Sergey Brin, një rus i lindur në Moskë dhe i shkolluar në Amerikë, që solli kërkimin inteligjent të Google në çdo cep të globit; Satya Nadella, CEO i Microsoftit me origjinë indiane, që rifreskoi strategjitë drejt cloud computing dhe inteligjencës artificiale; Ajay Banga, ish-CEO i Mastercard dhe tani President i Bankës Botërore, që avancoi pagesat dixhitale dhe përfshirjen financiare globale; Dina Katabi, e lindur në Siri dhe profesoreshë në MIT, e cila zhvilloi teknologji për monitorim shëndetësor në distancë. Këta shtetas-emigrantë janë dëshmi se fuqia punëtore me perspektiva të ndryshme kulturore dhe filozofike është pikërisht diversiteti intelektual që nxit inovacionin. Nëse bëhet një kërkim i thjeshtë në internet, do të shohësh se në SHBA një pjesë shumë e madhe e drejtuesve ekzekutivë (CEO) të kompanive Fortune 500 janë emigrantë.

Në mesin e tyre janë emra si Jensen Huang i NVIDIA-s, i lindur në Tajvan; Sundar Pichai i Alphabet/Google nga India; Arvind Krishna i IBM, gjithashtu indian; Shantanu Narayen i Adobe nga India; Lisa Su e AMD-së nga Tajvani; Hock Tan i Broadcom nga Malajzia; Eric Yuan i Zoom-it nga Kina; Tony Xu i DoorDash-it me origjinë kineze; Jayshree V. Ullal e Arista Netëorks, e lindur në Mbretërinë e Bashkuar e rritur në Indi; Revathi Advaithi, CEO e Flex, nga India; Jane Fraser e Citigroup, me rrënjë skoceze dhe qytetare amerikane; dhe, dukshëm, Mira Murati, shqiptare që u bë CTO e OpenAI dhe tani ka themeluar sërish një kompani në fushën e inteligjencës artificiale, “Machine Thinking Lab”. Këta njerëz të ditur, por edhe shumë të tjerë, përfaqësojnë sot ndikimin thelbësor që kanë emigrantët në ekonominë dhe teknologjinë amerikane.
Pavarësisht se, nga pikëpamja ligjore, legjislacioni i imigracionit ja delegon Kongresit fuqinë për të vendosur kriteret e vizave, administratat shpesh përdorin urdhra ekzekutivë për ndryshime në SEVIS (Student and Exchange Visitor Information System). Ka pasur shumë raste kur studentët sfidojnë vendimet administrative për revokim në gjykatat amerikane, duke argumentuar shkelje procedurale apo nevojën për transparencë.

Nga ana socio-ekonomike, ndikimet janë të thella në të gjithë zinxhirin arsimor: me vështirë do ta kenë kolegjet e vogla private në Vermont e Maine, të cilat mbijetojnë nga tarifat e studentëve të huaj, dhe që tani rrezikojnë të mbyllen apo të thithen nga universitete më të mëdha. Por probleme hasin edhe universitetet kërkimore, të cilat mbështeten shumë në doktorantët ndërkombëtarë për projektet në fusha strategjike si aeronautika, inxhinieria e gjysmëpërçuesve dhe inteligjenca artificiale. Mungesa e diversitetit kulturor dhe intelektual vë në rrezik edhe cilësinë e dialogut akademik, pasi perspektivat e ndryshme të sjella nga studentë nga Afrika e Jugut, Brazili, Turqia apo Bangladeshi sfidojnë dhe pasurojnë debatet në auditore.

Në planin global, SHBA-ja po humb terren si qendër e lirive akademike, teksa vendet pritëse të tjera — si Kanadaja, Australia dhe Gjermania — ofrojnë programe tërheqëse me lehtësira më të mëdha vizash dhe mundësi pune pas diplomimit. Në Kanada psh,  studentët e huaj përfitojnë leje qëndrimi deri në tre vjet pas diplomimit, Australia ofron deri në katër vjet, dhe Gjermania kombinon arsimin pa tarifa me programe punë-arsim. Këto vendime kanë tërhequr mijëra studentë që më parë do të kishin zgjedhur SHBA-në, duke ulur gradualisht pjesëmarrjen e tyre në kampuset amerikane. Për më tepër, kanë pasur edhe reagime “reciproke” nga Kina, India dhe Bashkimi Evropian. Kina, p.sh., ka rritur kontrollet mbi studentët amerikanë në universitetet e saj; India ka krijuar programe subvencionimi; dhe Gjermania po shqyrton “green card” akademike.
Në pamje të parë duket sikur universitetet amerikane përgatisin studentë për Kinën dhe vendet e tjera, kur në fakt deri tani ka qenë e kundërta. SHBA-ja ka qenë atraktive për talentet shkencore nga vendet e ndryshme dhe i ka tërhequr këtu përmes një sistemi të përparuar shkollor, duke i përgatitur më së shumti për veten e saj.

Sipas të dhënave nga një studim kombëtar, rreth 41% e të diplomuarve ndërkombëtarë në universitetet amerikane mes viteve 2012–2020 jetonin ende në SHBA në vitin 2021. Tek ata që kishin fituar doktoratë në fushat e shkencës dhe inxhinierisë, shkalla e qëndrimit ishte edhe më e lartë, me rreth 83% që vazhduan të jetonin në SHBA pesë vjet pas përfundimit të studimeve. Madje, një analizë tjetër ka treguar se afërsisht 90% e të diplomuarve kinezë në programet kembimit te studenteve ,ndërmjet viteve 2000 dhe 2015, kishin zgjedhur të bënin karrierë në SHBA. Gjatë vitit akademik 2021–2022, mbi 51,000 studentë kinezë morën autorizime për të punuar ne SHBA pas diplomimit, duke i renditur ata të dytët pas Indisë për sa i përket numrit të autorizimeve të reja. Megjithatë, mungesa e vizave H-1B dhe kufizimet në kartat e qëndrimit afatgjatë pengojnë shumë prej tyre të sigurojnë qëndrim perhershem, veçanërisht ata që kanë përfunduar vetëm studimet bachelor. Në fakt, vetëm rreth 17% e të diplomuarve me bachelor mbetën në SHBA, krahasuar me 50% të atyre me master dhe 75% të doktorantëve.

Këto shifra tregojnë se politikat më të ashpra të revokimit të vizave, si ato të propozuara së fundmi, mund të nxisin largimin e talenteve të shkëlqyera dhe të dekurajojnë studentët  qe jane shkencetaret e ardhshëm. Duke pasur parasysh se një pjesë e madhe e shkencëtarëve dhe inxhinierëve huaj planifikonin të qëndronin në SHBA për të ndërtuar karrierën e tyre, një atmosferë pasigurie mund të ulë ndjeshëm kontributin e tyre në kërkim dhe zhvillimin amerikan. Efektet afatgjata të politikave të ashpërsimit të vizave për universitetet amerikane mund të jenë të thella. Humbja e diversitetit kulturor do të dobësojë shkëmbimin e ideve brenda auditoreve, ndërsa ulja e të ardhurave nga tarifat e plota mund të kërcënojë financat e kolegjeve dhe universiteteve si  dhe projekteve kërkimore në fusha strategjike. Pa talentin e huaj, universitetet e SHBA-së rrezikojnë të humbasin epërsinë në inovacion dhe pozicionin e tyre si lidere botërore në arsim.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • petri: 31/05/2025 09:45

    o Thoma, per Ameriken eshte e mire vetem ajo qe eshte e mire per Trampin! njesoj dhe per Salen; per Salen jane te mire ata qe i sherbejne Sales se per PD atij as qe i behet vone, prandaj ai futi ne listen e mbyllur vetem debilet, qe i bejne dem PD-se por qe i bejne mire hallit te Saliut!

    Përgjigju
  • Iliri: 31/05/2025 08:19

    Te shkolluarit votuan kunder Trump, pra jane kunder tij. Pra Tramp s'ka nevoje per njeres te shkolluar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Cilat duhet të jenë prioritetet e mandatit të katërt të qeverisë Rama?