Thoma për Report Tv: Ja si bëhet komunikimi psikiatër dhe mjek te 2 spitalet COVID! Virusi ndikon dhe te sistemi nervor

3 Shtator 2020, 13:40| Përditesimi: 3 Shtator 2020, 16:22

  • Share

TIRANË- Nisur nga dy ngjarjet tronditëse ku dy pacientë me COVID u vetëvranë, mjekja psikiatër, Irena Thoma ka sqaruar me detaje për Report Tv se si është komunikimi në raste të tilla mes mjekëve përgjegjës dhe atyre psikiatërve. Ajo ka deklaruar se në dy spitalet COVID, Infektivi dhe "Shefqet Ndroqi" nuk ka psikiatër që kryejnë shërbim 24 orë, por ato thirren kur mjeku përgjegjës e vlerëson të nevojshme. Që do të thotë, nëse gjatë vizitave mjeku vë re se pacienti, përtej COVID-it, shfaq probleme emocionale, atëherë kërkohet ndihma e psikiatërve.

"Ngjarja të trondit, të shqetëson nuk është diçka e lehtë, por me masat që merren këto probleme mund të minimizohen. Në rastin e pacientëve aty, në dijeninë time, nëse mjeku kurues apo persona që janë në shërbim të këtyre pacientëve, mund të konstatojnë probleme shëndetësore, thirret mjeku psikiatër që jep ndihmën e duhur. Mjeku thërret një ekspert psikiatër, qoftë edhe një psikolog. Dhe kështu funksionon. Kemi mjek që janë të atashuar në klinika përkatëse për të mbuluar shërbimet e pacientëve. Dhe aty thirren në varësi të nevojës. Gjë që saktësohet nga ana e mjekut kurues, kur e konstaton që krahas COVID ka dhe shqetësime emocionale, thërret mjekun", tha Thoma për Report Tv.

Në intervistën me gazetaren Doris Sallaku, ajo nuk e ka përjashtuar mundësinë që COVID të sjellë ndikim edhe në sistemin nervor.

"Një pjesë e mirë e pacientëve e përjetojnë në mënyrë të ekzagjeruar, ndërkohë që ka persona të tjerë që e neglizhojnë, idealja është që problemi të shihet siç është e vërtetë, dhe kjo bëhet duke dëgjuar këshillat e mjekëve. Një pjesë e pacientëve e përjetojnë ndryshe. Mund të kenë ndikime dhe në sistemin nervor. Por mund të bëhet shkak që COVID të shkaktojë sistemin nervor, se janë disa simptomat si humbja e nuhatjes apo e shijes që tregojnë se sëmundja ka ndikuar në sistemin nervor. Mungesa e oksigjenimit, bëhen shkak dhe për vuajtje trumore që shoqërohet me gjendje delizoze dhe të shfaqë rregullime të sjelljes dhe mundës së të menduarit. Nëse nga ana psikologjike je i ngarkuar psikologjikisht pengon shërimin nga problemet e tjera dhe e kundërta", tha psikiatrja.

Për mjeken, një nga shkaqet që pacientët e përjetojnë keq sëmundjen, është edhe fakti që nuk i kanë pranë familjarët e tyre.

"Është e vështirë të kalosh një situatë të tillë pa pasur familjarë afër, mirëpo këtij fakti di e përjetojmë si në të gjithë botën. Prandaj ajo që duhet bërë është se këta individë duhet të zbatojnë këshillat e mjekëve specialist dhe ta pranojnë këtë fakt, se murit me kokë nuk i bihet, të pranosh realitetin siç është dhe të përshtatesh me atë lloj realiteti", tha ajo.

Në fund, Thoma ka dhënë edhe një mesazh për të infektuarit me COVID që po e kalojnë sëmundjen në shtëpi.

"Të merret sa më shumë informacion rreth këtij problemi, të njihet mirë si problem nga ana e qytetarëve dhe të bëjnë përpjekje maksimale për të ruajtur shëndetin emocional. Të zbatojmë të gjitha rregullat, të flemë dhe të zgjohemi në të njëjtën orar, një ushqyerje sa më të shëndetshme, të shprehim shqetësimet tona. Të kërkojmë ndihmë nëse konstatojmë probleme shëndetësore. Në çdo lagje ka specialist të të gjitha fushave. Të kërkohet ndihma. Të njihet sëmundja siç është e vërtetë, të mos ekzagjerohet por as të mos neglizohet", përfundon Thoma.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?