Thomas Muller ka vendosur të flasë hapur për herë të parë pas largimit nga Bayern Munich, duke konfirmuar se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli i luajtur dhe se karriera e tij do të vazhdojë. Në një intervistë për gazetën 'BILD', legjenda e klubit bavarez zbuloi vendimin e tij për të vijuar rrugëtimin në fushën e blertë, edhe pse ndoshta jo më në futbollin evropian elitar.
“Unë ende dua të luaj futboll dhe për këtë arsye kam vendosur të vazhdoj. Do të jem ende futbollist”, tha Müller, duke hedhur poshtë zërat për një tërheqje të mundshme nga aktiviteti.
Veterani gjerman nënvizoi se dëshira për konkurrencë dhe adrenalinën që sjell loja janë ende të gjalla te ai.
“E dua skenën e futbollit dhe presionin për të dhënë maksimumin. Derisa trupi të më lejojë, do ta shfrytëzoj këtë mundësi për të luajtur në nivel të lartë, edhe nëse nuk do të jem më në Evropë apo në Champions League”, vijoi ai.
Një ndër destinacionet më të përfolura për Muller është Major League Soccer, që sipas tij është gjithnjë e më tërheqëse, veçanërisht për shkak të Kupës së Botës që do të zhvillohet në SHBA vitin e ardhshëm.
“MLS është një ligë interesante, sidomos në prag të Botërorit që do të mbahet atje. Ka potencial dhe një ambient që më ngacmon”, deklaroi ai.
Sipas 'BILD', 34-vjeçari është në fazën përfundimtare të vendimit dhe pritet të zgjedhë destinacionin e ri brenda 7-10 ditëve të ardhshme. Një nga opsionet më të përfolura është Los Angeles FC, një klub me lidhje të ngushta me Bayern Munich, që shihet si favorit për të siguruar firmën e tij.
Komente
