Pas votimit nga Kolegji Elektoral si presidenti i ardhshëm i SHBA, Joe Biden ka filluar të marrë mesazhe urimi edhe nga Republikanët.
Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell, ka qenë ndër të parët që ka uruar Biden, i cili theksoi se edhe pse ka shpresuar për një rezultat tjetër të zgjedhjeve të 3 nëntorit, “Kolegji Zgjedhor ka folur”.
“Sot, dua të uroj presidentin e zgjedhur, Joe Biden. Të gjithë amerikanët duhen të ndjehen krenarë që vendi ynë ka zgjedhur edhe gruan e parë zëvëndëspresidente”, tha McConnell, duke uruar zëvëndëspresidenten e zgjedhur, Kamala Harris.
Kolegji Zgjedhor konfirmoi të hënën fitoren e Bidenit kundrejt Trumpit, megjithatë presidenti në largim vazhdon ta refuzojë rezultatin dhe vazhdon të ngrejë pretendime të pabazuara për mashtrim në zgjedhje.
McConnell është zyrtari më i lartë i Partisë Republikane që uroi Bidenin.
Biden ka fituar zgjedhjet e nëntorit me 306 vota të Kolegjit Zgjedhor, duke e mundur presidentin aktual, Trump, i cili ka fituar 232. Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara do të inaugurohet më 20 janar, pas vërtetimit të rezultatit nga Dhoma e përfaqësuesve në 6 Janar.