Claudia Villafañe, ish-bashkëshortja e legjendës Diego Armando Maradona, ka ndarë një sërë kujtimesh të jashtëzakonshme nga vitet që kaluan së bashku në Napoli, në një intervistë emocionuese përpara rikthimit të saj në Itali.
Me buzëqeshje, Claudia rrëfen një episod të paharruar: “Ishim në një dyqan për fëmijë për të blerë një dhuratë, kur qindra tifozë nisën të grumbulloheshin jashtë. Goditën xhamat dhe njëri prej tyre u thye. U detyruam të iknim me vrap, por gjithmonë e kujtoj me të qeshura, në Napoli nuk ishim kurrë vetëm”.
Sipas saj, dashuria e napoletanëve për Maradonën nuk kishte kufij: “Edhe kur dilnim në det, na ndiqnin me gomone dhe barka të vogla, vetëm për ta përshëndetur. Ishte çmenduri e bukur”.
Villafañe rikthehet shpesh në qytetin që e shndërroi Maradonën në një ikonë të përjetshme: “Napoli është i vetmi vend ku Diego nuk është larguar kurrë. Ai është aty, në rrugë, në murale, në historitë që njerëzit tregojnë. Çdo rikthim është si kthim në shtëpi”.
Ajo kujton edhe ditën e prezantimit historik në “San Paolo”, më 5 korrik 1984: “Stadiumi ishte i mbushur, njerëzit nuk ndaleshin së bërtituri. Ai doli në fushë, bëri disa goditje dhe tha vetëm: ‘Buonasera napoletani’. Lotët nuk ndaleshin”.
Ndërsa për golin më të bukur, Claudia nuk zgjedh atë kundër Anglisë në Botëror: “Për mua ishte goditja e dënimit kundër Juventusit në ‘San Paolo’. Topi u ngrit dhe përfundoi në rrjetë në një mënyrë që sfidonte çdo ligj të fizikës. Maradona ishte i papërsëritshëm”.
E emocionuar, ajo tregon se mungesa e tij ndihet çdo ditë: “Do të kisha dashur që të shihte nipërit e tij duke u rritur. Benjamin luan futboll si ai, ndërsa Azul flet për të, edhe pse nuk e ka njohur kurrë. Ishte një gjysh i mrekullueshëm. Ky është hidhërimi im më i madh”.
Në fund, kur e pyesin çfarë do t’i thoshte Diegos po të ishte ende gjallë, Claudia thotë: “Ai i di të gjitha. Flas me të gjithmonë. Jam e bindur që më dëgjon”.
Komente
