Ngjarja kryesore e ditës së sotme, që është arrestimi i ish-ministrit Ilir Beqaj, sipas të gjitha gjasave ka vënë në shock mazhorancën. E cila është vënë para një fakti të kryer mbi një ngjarje të re penale, që natyrisht procesi sapo ka nisur. Por, po sot, kishte si ”garniturë” të përbërsit kryesor, edhe hetimin e policëve të Korçës, si dhe hetimin e Himarës.
Një batare hetimesh, që janë shumë për të reaguar kaq lehtë. Por përveç reagimit të politikës, i cili është gjithmonë i shtyrë nga momenti, duket se as jemi në fillim të rrugës, e ndoshta as në mes të saj.
Krahasuar me zhvillimet analoge, duke krahasuar edhe madhësinë e vendeve ku kanë vepruar prokuroritë speciale në rajon, duket se do të kemi edhe në vijim një uragan hapjesh çështjesh penale ndaj njerëzit më të rëndësishëm të këtij vendi.
Çështje, që do të kenë vijueshmërinë e tyre në gjykatë, ku njerëzit do të mësojnë edhe më shumë për afera, për pasuri, për bashkëpunime, apo për të kundërtën e tyre, nëse të akuzuarit do të rrëzojnë akuzat në sallën e gjyqit.
Megjithatë, ky uragan i SPAK është një lakmues real në pastrimin e politikës, që s’mund të jetë sipërfaqësor.
Siç, nuk mund të jetë një aksion i SPAK i ”mirëseardhur” dhe një tjetër ”tendencioz”, çka e bën prokurorinë speciale dhe kreun e tij, ”celulë kriminale” apo dumduman.
Sipas të gjitha gjasave, fushata e zgjedhjeve të 2025-s, do të jetë pikërisht mbi mënyrën sesi reagon politika ndaj këtij realiteti të ri në vend.
Që tashmë është jo vetëm i fortë, por po kthehet në një uragan që gjasat janë të vijojë të marrë të tjerë të fortë në vend.
E pikërisht reagimi ndaj dosjeve që hap SPAK, ndaj dosjeve të mëdha, duket do të jetë edhe barometri politik i zgjedhjeve të 2025.
Sa për kronikë, SPAK ka hapurë dosjet ndaj një duzine zyrtarësh të lartë të mazhorancës, e nga kreu i saj, përkatësisht kryeministri, Edi Rama, është deklaruar që përkrahet aksioni i prokurorëve pa dallim, siç e ka thënë vetë Rama: ”të nxjerrin ujin e zi”.
Nga ana tjetër, janë hapur dosjet për Sali Berishën, po gjykohet Fatmir Mediu, e duket se po kryhen veprime hetimore edhe për Ilir Metën, gjë që e kanë destabilizuar këtë të fundit.
E çdo hetim tjetër që po hap SPAK, këta të fundit, siç po shikohet edhe në këto orë, po tentojnë ta relativizojnë si ”gjyq për kafe”.
E duket se kjo do të vijojë të ndodhë, nëse ky uragan nuk prek çështjet e mëdha kardinale që peshojnë prej vitesh, e që ose kanë vrasje e marrje jetësh njerëzore, ose korrupsion të nivelit galopant, me të cilin u ndërtuan fshatrat turistike. /Tema/