Kreu i Urgjencës, Skënder Brataj, i cili është i infektuar me COVID-19 dhe i karantinuar në shtëpi, ka postuar një mesazh vlerësimi ndaj infermierëve, që ashtu si mjekët janë të sulmuar, ofenduar dhe të pavlerësuar siç duhet në punën e tyre. Në mesazhin e tij plot mirënjohje e përulje në fakt është edhe përgjigja më e mirë që i ka dhënë disa mediave që zgjodhën të sulmonin ditët e sotmet një nga infermierët e dërguar në Itali, duke e cilësuar si "pompist i veshur si mjek".
"Ti që thua faleminderit edhe kur të ofendojnë dhe familjen shpesh harron, FALEMINDERIT", shkruan ndër të tjera Brataj duke vënë dhe një herë në pah sakrificat që duhet të kalojnë infermierët në profesionin e vështirë, por human që kanë zgjedhur.
Postimi i Skënder Brataj
Ti që përgjigjesh në telefon: urgjenca, si mund t’ju ndihmoj?
Ti që thua faleminderit edhe kur të ofendojnë.
Ti që përgjigjesh faleminderit edhe kur të përgjigjen s’kam nevojë.
Ti që përgjigjesh: po doktor, tani po e përgatis.
Ti që ngre pacientin pa u ankuar se peshon.
Ti që pacientët çdo ditë i ndërron.
Ti që çdo ditë i lan dhe pastron.
Ti që çdo ditë dikush të qorton.
Ti që djersët nga balli i fshin atje në sallë.
Ti që shumë herë kafetë na sjell.
Ti që fëmijët shpesh i abandonon.
Ti që familjen shpesh e harron.
Ti që në krahun tim çdo ditë qëndron.
INFERMIER/INFERMIERE TË QUAJNË!
Ne kemi vetëm një fjalë: JU FALENDEROJMË!