Java e 14 e Superligës do të ngre sot siparin me Dinamo-Vllaznia që luhet në orën 19:45 në ‘Elbasan Arena’. ‘Nëndetësja’ e Bledi Shkëmbit vjen pas një moment tejet negative, pasi në 3 ndeshjet e fundit ka 3 humbje dhe kriza është evidente. Ndërkohë Vllaznia do përpiqet të mos i shpëtojë 3 pikëshi, pasi është në ndjekje të Tiranës për kreun e Superligës.
Thomas Brdaric, trajner i Vllaznisë: “Ndoshta fakti që ata pas kaq shumë muajsh nuk e kanë gjetur veten mund të krijojë një avantazh për ne. Por për ne mbetet ajo që thashë, nuk duhet të jemi të frikësuar për këtë përballje, duhet të shkojmë t’i shkaktojmë humbjen e radhës Dinamos dhe të marrim tre pikët në shtëpi."
Fjoart Jonuzi, futbollist i Vllaznisë: “Kur ekipi i Dinamos nuk është në gjendje të mirë, do vijë e motivuar sepse duhet të bëjë kthesën. Do vi një moment që duhet të tregojë dhëmbët për këtë arsye duhet ta vlersojmë shumë këtë pjesë. Unë e mendoj dhe e parashikoj që do jetë shumë e vështirë.”
Ndërkohë të shtunën në program është Skënderbeu-Kastrioti, ndërsa java mbyllet të dielën me ndeshjet Kukësi-Partizani, Tirana-Teuta dhe Egnatia-Laçi.