Foto ilustruese

Bota

‘T’i vendosim kufij Inteligjencës Artificiale’, thirrja e mbi 200 shkencëtarëve, politikanëve dhe fituesve të Çmimit Nobel: Rrezikojmë të humbasim kontrollin

3 Tetor, 17:23| Përditesimi: 3 Tetor, 17:27

  • Share

Nëse vendet nuk arrijnë të bien dakord mbi atë çfarë të bëjnë me inteligjencën artificiale, të paktën duhet të bien dakord mbi atë çfarë AI nuk mund të bëjë

Kjo është premisa e një thirrjeje të nënshkruar nga mbi dyqind persona — përfshirë nëntë ish-kryetarë shtetesh dhe dhjetë fitues të Çmimit Nobel — e prezantuar nga Maria Ressa, fituese e Çmimit Nobel për Paqe, gjatë sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Mes nënshkruesve janë Geoffrey Hinton dhe Yoshua Bengio, fitues të Çmimit Turing dhe pionierë të inteligjencës artificiale; Giorgio Parisi, fitues i Nobelit për Fizikë; Joseph Stiglitz, fitues i Nobelit për Ekonomi; historiani Yuval Noah Harari; shkencëtarë nga OpenAI, Anthropic dhe Google; si dhe politikanë si Yanis Varoufakis, ish-kryeministri Enrico Letta dhe ish-ministrja e Universitetit dhe Kërkimit Maria Chiara Carrozza.

Iniciativa kërkon një marrëveshje globale deri në fund të vitit 2026 për të vendosur kufij të kuq që nuk duhet të tejkalohen.

Rreziqet e AI të pakontrolluar

Sipas thirrjes: “AI ka një potencial të madh për të përmirësuar mirëqenien njerëzore, por rruga aktuale e zhvillimit përmban rreziqe pa precedent.” AI mund të tejkalojë aftësitë njerëzore dhe të forcojë kërcënime si pandemitë e inxhinieruara, dezinformim masiv, manipulim i njerëzve në shkallë të gjerë — përfshirë të miturit — rreziqe për sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare, papunësi masive dhe shkelje sistematike të të drejtave të njeriut.

Problemi ekziston tashmë: disa sisteme të avancuara AI kanë treguar sjellje mashtruese dhe të dëmshme, por atyre u jepet gjithnjë e më shumë autonomi për të vepruar dhe marrë vendime në botën reale.

Rastet e fundit tragjike të lidhura me AI — zhgënjime të shkaktuara nga sisteme të avancuara, madje edhe vetëvrasje — janë vetëm sinjale të para të rreziqeve shumë më të mëdha që na presin, paralajmëron komunikata. Shumë ekspertë theksojnë se pa një qeverisje adekuate, “në vitet e ardhshme do të bëhet gjithnjë e më e vështirë të sigurohet një kontroll efektiv njerëzor mbi inteligjencën artificiale.”

Linja e hollë e kuqe

Zgjidhja duhet të kalojë përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare me kufij të qartë dhe të verifikueshëm, për të parandaluar rreziqe universalisht të papranueshme, dhe me mekanizma kontrolli që vlejnë për të gjithë ofruesit e AI të avancuar.

Thirrja nuk specifikon kufijtë e saktë, por jep disa shembuj: ndalimi i AI për të imituar njerëzit, parandalimi i riprodhimit autonom të sistemeve, dhe përjashtimi i inteligjencës artificiale nga lufta bërthamore.

AI si energjia bërthamore

Pse duhet një institucion global dhe nuk mjaftojnë politikat e kompanive të veçanta? Hulumtimet tregojnë se shumë prej tyre favorizojnë fitimin mbi sigurinë, dhe politikat e tyre të brendshme “nuk zbatohen realisht”.

Stuart Russell, profesor i informatikës në Universitetin e Berkeley dhe njëri nga nënshkruesit, e shpjegon kështu: kompanitë mund të veprojnë “duke mos ndërtuar inteligjencën artificiale të përgjithshme derisa të dinë si ta bëjnë të sigurt… ashtu si zhvilluesit e energjisë bërthamore nuk ndërtuan kurrë centrale bërthamore derisa nuk kishin një ide se si të parandalonin shpërthimin e tyre.”

Yuval Noah Harari shkon edhe më tej: “Për mijëra vjet, njerëzit kanë mësuar — ndonjëherë në mënyrë të dhimbshme — se teknologjitë e fuqishme mund të kenë pasoja po aq të rrezikshme sa edhe përfitimet. Me AI, mund të mos kemi mundësinë të mësojmë nga gabimet tona, sepse AI është teknologjia e parë që mund të merr vendime vetë, të krijojë ide të reja vetë dhe të shpëtojë nga kontrolli ynë.”

Thirrja mbyllet me një kërkesë të qartë ndaj qeverive: të arrijnë një marrëveshje ndërkombëtare mbi kufijtë e AI deri në fund të vitit 2026, duke garantuar zbatimin e saj efektiv përmes mekanizmave të fortë kontrolli dhe vënies në praktikë./ Corriere della Sera

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si ju duket?