'Tifozët pa pasion për kombëtaren, janë huliganë', Eneo Bitri zbulon Çekinë: Shqipëria ka shanse për në Europian, Sylvinho më la në pritje

5 Shtator 2023, 13:09| Përditesimi: 5 Shtator 2023, 13:39

  • Share

Kombëtarja shqiptare e futbollit do luajë dy ndeshjet e radhës kualifikuese për grupin E të Europianit 2023. Në 7 shtator kuqezinjtë do luajnë në "Fortuna Arena" të Pragës kundër Çekisë (20:45) kryesuese të grupit, ndërsa në datën 10 tanët presin në Tiranë skuadrën e Polonisë.

Përpara dy sfidave që janë vendimtare për fatet e grupit, foli edhe mbrojtësi Eneo Bitri. I lënë në listën e pritjes nga trajneri Sylvinho, 27-vjeçari në emisionin "Sot Live në Shqipëri" me gazetarin Andi Kapxhiu në Report TV "zbuloi" skuadrën çeke, duke qenë se deri një muaj më parë ishte pjesë e Banik Ostrava në këtë ligë.

Për Bitrin, Kombëtarja shqiptare ka më shumë cilësi dhe shanset janë të mëdha për një vend në finalen e "Gjermani 2024". Beratasi pret më shumë tifozë kuqezinj në stadiumin e Pragës, pasi çekët nuk ndjekin kombëtaren njëjtë si ekipet e ligës, duke e kthyer mbështetjen për ta deri në huliganizëm.

"Si ju duket Çekia? Isha para një muaji në kampionatin çek dhe ata që luajnë në atë kampionat që janë të grumbulluar i njoh. Shoh një ndeshje të vështirë pasi janë ekip fizik. Ne kemi më shumë kualitet në ekip, që t'i ndëshkojmë në momentet tona më të mira. Atmosfera në stadium? Mund të them se tifozët çek nuk janë shumë të apasionuar me ekipin, më shumë ndjekin klubet dhe janë huliganë në rolin e vet. Tifozët tanë do jenë më shumë se ata, ka shumë shqiptarë në Çeki dhe kam informacion se do jenë të shumtë", tha Bitri.

Më pas ish-mbrojtësi i Partizanit foli edhe për mënyrën sesi shihet kombëtarja jonë në Çeki dhe formën e kuqezinjve.

"Interesi në Çeki dhe vendi i dytë për ne në grup? Na shohin si kundërshtar të fortë, paçka se në Çeki media i bën gjërat për lajm. Na njohin cilësitë dhe kualitetin. Ata nuk do e marrin lehtë, dinë t'i vlerësojnë ndeshjet e forta. Na konsiderojnë si një ndër ekipet më të forta. Forma e Kombëtares dhe kualifikimi? Kemi shanse të mira për në Evropian, kemi grupin dhe kualitetin. Lojtarët tanë luajnë në nivele të larta në Evropë. Të shfrytëzojmë shanset. Një pjesëmarrje në Euro 2024 do na rriste shumë në futboll. Dëshira ime është që kundër Çekisë të fitojmë, mendoj se do bëjmë rezultat pozitiv", tha 27-vjeçari.

Eneo Bitri më pas u ndal edhe te ftesa nga Sylvinho, me mbrojtësin që zbuloi se është në listën e pritje, me grupin e madh të lojtarëve që shkon deri në 25 emra.

"Kontaktet me Sylvinhon? Jo, trajneri nuk më ka kontaktuar. Kam qenë në listën e pritjes për tani. Është vendimi i tij dhe e respektoj. Kur të vendosë trajneri, jam gati për kombin dhe mezi e pres këtë ftesë", tha futbollisti.

Më pas lojtari që ka luajtur tre ndeshje me Kombëtaren tregoi se përse një muaj më parë la Çekinë për të kaluar te Valerenga në Norvegji.

"Largimi nga kampionati çek dhe kalimi te Valerenga në Norvegji? Në Çeki më donin shumë, kam pasur respekt. Klauzola që kisha në Çeki u ble nga klubi norvegjez. Ka kushtuar 500 mijë euro. Doja të lëvizja sepse nga liga norvegjeze ke më shumë mundësi për në Europë", tha Bitri.

Beratasi është i njohur në vendin tonë për aktivizimin te Partizani, teksa u shpall kampion me të kuqtë në 2019.

S.Dh//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?