Sport

Tifozi me ‘fytyrën flamur’ bën parashikimin: 3-1 për Shqipërinë! Detajet në veshjen e tij që tërheqin vëmendjen (VIDEO)

7 Qershor, 14:15| Përditesimi: 7 Qershor, 15:55

  • Share

Besmir Limani, tifozi "unik" i Kombëtares shqiptare dhe i njohur si "fytyra me shqiponjë” ka folur nga Vlora, nga ku ka parashikuar edhe një rezultat 3-1 për Shqipërinë përballë Serbisë. 

Shqiptari nga Struga, që jeton në Zvicër, ashtu sikurse çdo ndeshje, edhe për sfidën e sotme ka “ngjyrosur” fytyrën kuq e zi, mban veshur atlete me flamurin e stampuar, me një triko ku shkruhet ‘Veç bashkim’, në dy anët e së cilës është stampuar edhe ‘gegë’ dhe ‘toskë’.

Ai tregon se janë 52 ndeshje, që nga përballja Zvicër-Shqipëri vite më parë, që shkon në stadium kuqezi. Ai tregon se që kur ishte i vogël e ndiqte me pasion futbollin dhe se ideja për t’u veshur kuqezi lindi u zhvillua ndeshja mes Zvicrës dhe Shqipërisë vite më parë.

“Sot është ndeshja e 52-të, e veçantë se pata fatin të vij në Vlorë. Aq më tepër i gëzuar dhe vlerësuar nga ana e bashkisë që pata të drejtën të hyj brenda në shtëpinë ku u dha betimi dhe u krijuar gjithçka që të mbaj të ngjyrosur këtë flamur të bukur që kemi. Kam hyrë kështu në shtator 2012 në ndeshjen Zvicër-Shqipëri.”, u shpreh tifozi.

Ai thotë se duhet të mendohet fitorja ndërsa bën edhe një parashikim se si do të dalë rezultati sonte.

“Nëse ua duam të mirën shqiptarëve në Amerikë dhe nëse kemi dëshirë t’i vizitojmë ata në kampionatin botëror 2026, duhet të lëmë anash gjithçka, edhe pse nuk është e lehtë. Por duhet të fitojmë sonte, ne të mbështesim me atë që mundemi. Të shkojë gjithçka në rregull dhe besoj se do të gëzohen shumë, veçanërisht fëmijët në Amerikë. Vetëm tre pikë na interesojnë dhe asgjë tjetër. Edhe pse nuk është fare e lehtë, me të gjithë rrethanat.

Kam thënë edhe në të kaluarën, më doli nami që jam i lidhur me bastonët. Besoj se tre me 1 do të dalë për ne. Siç e thashë jetoj në Zvicër, që në vitet ’97. Ideja ka lindur duke ndjekur kombëtaren nga TV kur isha i vogël. Mbaj mend ndeshjen e famshme Gjermani-Shqipëri kur na rrahën 4-3. Jam me origjinë nga Struga, duke mos të të lënë dikush të duash diçka, aq me tërheqëse bëhet. Ideja ka lindur duke ditur që do të luhej Shqipëri me Zvicrën. Thosha si me e marrë flamurin me vete, mos e harroj këtu dhe vendosa të ngjyros fytyrën. E bëj thjesht për qejfin tim, të bashkoj shqiptarët dhe t’u jap fëmijëve një dashuri kuq e zi. “, thotë ai.

Në Vlorë ai bëri një vizitë në muzeun e Pavarësisë por edhe pritje gjatë ditës nga bashkia. Për bluzën me mbishkrimin “Veç bashkim”, ai thotë:

“Nuk jam vetëm i Strugës. Sa jam nga Prishtina jam nga Vlora, saç jam nga Delvina, jam edhe nga Tuzi. Prandaj kam këtu toskë dhe gegë, nuk kemi ndarje kur jemi për çështjen e flamurit dhe kombit. Pavarësisht bindjes politike apo fetare, jemi një.”, u shpreh ai.

Besmiri me ngjyrat kuqezi dhe flamurin në fytyrë është bërë simbol i gjithë shqiptarëve prej vitesh. Nga Vlora do të niset drejt Tiranës në përkrahje të Kombëtares në një ndeshje që e cilëson historike dhe të veçantë për të gjithë shqiptarët.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Botërori 2026, si e parashikoni përballjen Shqipëri-Serbi?