VIDEO/ Tifozi simbol, 39 ndeshje 'fytyrë-shqiponjë' pas kuqezinjve: Misioni i madh i Kombëtares që na bashkon të gjithëve! Pengu më i madh? Pasaporta shqiptare

12 Shtator 2023, 13:28| Përditesimi: 12 Shtator 2023, 14:07

  • Share

Në sfidën e së dielës kundër Polonisë ishte hera e 39 që Besmir Limani ndoqi kombëtaren në stadium kështu!

“Sonte ishte ndeshja e 39. Asnjëherë nuk kam hyrë në stadium pa e lyer fytyrën,”-tha fillimisht Besmir Limani, tifoz i kombëtares.

Ka lindur me ngjyrat kuqezi në zemër dhe me kombëtaren e lidhi pazgjidhshmërisht fitorja kundër Greqisë në 2004. Që prej asaj dite Besmir Limani vendosi të anëtarësohet në grupimin më të madh në mbështetje të kombëtares, ‘Tifozët Kuq e Zi’. Në 2016 ‘fytyra flamur’ e i bë tifoz vip i kuqezinjve. Me kombëtaren në Europianin e Francës Besmiri mori vëmendjen e të gjithëve, mediave më të mëdha botërore por edhe të vetë UEFA e cila i bëri homazh me këtë postim.

Besmiri thotë se kjo është një mënyrë për ta pasur flamurin kombëtar gjithmonë me vete pavarësisht se shpenzon nga 4-5 orë për të lyer fytyrën. 36-vjeçari ka lindur në tokë shqiptare, por prej shumë vitesh jeton në Zvicër, ndaj kjo është një mënyrë për të qenë sa më pranë me bashkëkombësit e tij.

“Me origjinë jam nga Struga, Struga Shqiptare. Ka pasur raste që kam takuar struganë te tifozët e kuqezi, që do të thotë se flamuri kuqezi më ka lidhur edhe me bashkëqytetarët e mi ku kam lindur. Pra na bashkon,”-u shpreh Besmir Limani, tifoz i kombëtares.

Edhe pse ndjek kombëtaren në pothuajse të gjithë stadiumet e Evropës prej 18 vitesh Besmir Limani ende s’e ka pasaportën shqiptare, dhe ky është pengu më i madh i tij për momentin.

Megjithatë kjo, por edhe fakti se është bashkëshort dhe baba i dy fëmijëve, nuk e pengon të shpenzojë shumë para për të ndjekur kombëtaren.

“Mos të flasim me shifra, por unë lë mënjanë të tjera gjëra, që dikush tjetër i bën. Unë e ndiej ta bëj këtë për Shqipërinë time,”-tha Besmir Limani, tifoz i kombëtares.

Fitorja kundër Polonisë i ka entuaziazmuar tej mase tifozët shqiptarë, përfshirë këtu edhe 36-vjeçarin nga Struga. Megjithatë për të, kombëtarja përfaqëson për shqiptarët diçka më të madhe sesa 3 pikë në një ndeshje apo kualifikimi në Evropian.

“Unë kurrë se kam ndjerë humbjen, kurrë, kurrë. Sepse nuk shkoj në stadium për këtë qëllim. Mua më gëzon fakti se aty është shqiptari i Gjilanit, i Vlorës, por edhe ai i Ulqinit. Kjo është fitore,”-përfundoi Besmir Limani, tifoz i kombëtares.

Ëndrra më e madhe e Besmirit lidhet pashmangshmërisht më kombëtaren dhe ngjyrat kuqezi., Si baba i dy djemve ai shpreson se një ditë njëri të bëhet futbollist dhe do të ndihmojë kombëtaren, për të arritur qëllime të mëdha.

Ne.k./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?