Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, thotë se presidenti Donald Trump nuk dëshiron që TikTok të bllokohet. Do të sigurojmë mbylljen e marrëveshjes në mënyrë që populli amerikan të mund të vazhdojë ta përdorë aplikacionin.
Zgjatje e tretë për të shpëtuar TikTok-un nga detyrimi për shitje. Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që shtyn afatin përpara ndalimit të aplikacionit në SHBA. Këtë herë, ai i ka shtuar edhe tre muaj të tjerë "jetë" platformës, e cila, sipas një ligji të nënshkruar nga administrata Biden në vitin 2024, duhej të ndalohej përgjithmonë në vend.
"Presidenti Trump do të nënshkruajë këtë javë një tjetër urdhër ekzekutiv për ta mbajtur TikTok-un aktiv dhe funksional," kishte deklaruar zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
"Siç e ka thënë disa herë, presidenti Trump nuk dëshiron që TikTok të bllokohet. Kjo zgjatje do të zgjasë 90 ditë, kohë gjatë së cilës Administrata do të punojë për të siguruar mbylljen e marrëveshjes, në mënyrë që populli amerikan të mund të vazhdojë ta përdorë TikTok-un me bindjen se të dhënat e tyre janë të sigurta dhe të mbrojtura. Ndërkohë, nga ByteDance vjen konfirmimi se një marrëveshje ende nuk është arritur:
"Ka çështje kyçe që duhet të zgjidhen," shkruan kompania në një komunikatë për shtyp.
Fillimisht ishte vendosur që rrjeti social të mbyllej më 19 janar, nëse nuk do të arrihej një marrëveshje që do ta detyronte ByteDance të shiste produktin te kompani amerikane. Para se ndalimi të hynte në fuqi "nga pala amerikane", ishte vetë kompania që ndërpreu aksesin në aplikacion për përdoruesit amerikanë. Por me ardhjen e administratës së re republikane, për TikTok-u kjo u kthye në një çështje mbijetese me anë të urdhrave ekzekutivë. I pari zgjati afatin deri më 5 prill. Më pas, Trump nënshkroi një tjetër urdhër, duke e shtyrë sërish deri në mesin e qershorit, raportojnë mediat.
Tani, në përfundim të zgjatjes së dytë dhe pa një marrëveshje në horizont, presidenti është gjendur përballë nevojës për të gjetur një zgjidhje alternative për të shpëtuar aplikacionin, i cili pas sulmeve gjatë mandatit të tij të parë është shndërruar në një kalë beteje për fushatën zgjedhore të verës së kaluar.
Komente
