SHBA - TikTok duhej të ndalohej më 19 janar, por u shpëtua në minutat e fundit me urdhra ekzekutivë. Për muaj të tërë nuk pati asnjë informacion mbi marrëveshjen që do të lejonte funksionimin e aplikacionit në Shtetet e Bashkuara, pas ligjit të vitit 2024 që parashikonte ndalimin e tij, nëse kompania nuk shitej tek një blerës perëndimor.
Sot, presidenti Donald Trump foli më hapur, edhe pse nuk e përmendi me emër aplikacionin, duke lënë të nënkuptohet se është arritur një marrëveshje me Kinën për të garantuar vazhdimin e aktivitetit të tij.
«Kemi arritur gjithashtu një marrëveshje me një “kompani të caktuar” që të rinjtë në vendin tonë donin me çdo kusht ta shpëtonin. Do të jenë shumë të lumtur», tha Trump, duke folur njëkohësisht edhe për takimin e tij me autoritetet europiane lidhur me çështjen e tarifave doganore. Ai shtoi gjithashtu: «Do të flas me Presidentin Xi të premten, marrëdhënia mbetet shumë e fortë».
Edhe sekretari i Tregtisë, Jamieson Greer, konfirmoi njoftimin e shpërndarë nga Trump në rrjetin e tij social Truth: «Kemi arritur një marrëveshje për çështjen komplekse dhe të ndjeshme të TikTok». Në të njëjtën linjë edhe sekretari i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi: «Kemi vendosur një kornizë me Kinën për TikTok», duke shtuar se termat tregtarë të marrëveshjes nuk do të bëhen publikë.
Komente
