‘TIMS’/ Balla, Rrumbullaku e Ervin Muça 12 orë dëshmi me dyer të mbyllura! Salianji: Zbuluam të dhëna befasuese, i publikojmë shumë shpejt

5 Qershor, 08:53| Përditesimi: 5 Qershor, 10:17

  • Share

TIRANË- Mbledhja me dyer të mbyllura dhe marrja në pyetje e 3 dëshmitarëve në Komisionin Hetimor të TIMS ka zgjatuar deri në orën 03:30 të mëngjesit të sotëm, 5 qershor. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe ish-drejtori i IT në Polici, Ervin Muça dëshmuan për 12 orë në mbledhjen me dyer të mbyllura, pasi të gjithë deputetët u pajisën me certifikatë të përkohshme sigurie.

Mbledhja me dyer të mbyllura shkaktoi debat të ashpër mes opozitës dhe mazhorancës, ndërsa edhe në përfundim të marrjes së dëshmive, kryetari Ervin Salianji në një video të ndarë në Facebook shigjeton sërish socialistët duke thënë se kufizuan mbledhjen me votë arbitrare.

“Pas orësh debate dhe marrjesh në pyetje të 3 dëshmitarëve, Ministrit të Brendshëm, drejtorit të Policisë së Shtetit dhe Ervin Muçës, pas orësh e orësh, ora 3 e 26 e  mëngjesit kemi përfunduar seancën e pyetjeve bashkë me kolegët. Do jeni në dijeni për shumë çështje që janë diskutuar në këtë komision që u kufizua nga vota arbitrare e PS për të bërë mbledhje të mbyllur”, shprehet Salianji.

Pas marrjes së dëshmive, Salianji thotë se kanë arritur që të zbulojnë të dhëna befasuese për hetimin parlamentar dhe shumë shpejt do i bëjnë publike.

“Kemi arritur të zbulojmë të dhëna befasuese në lidhje me hetimin parlamentar, që shumë shpejt do t’i bëjmë publike për të gjithë. Pavarësisht përpjekjeve të PS për të bllokuar këtë hetim ne po i shkojmë drejt fundit për ta ndriçuar plotësisht të gjithë këtë situatë të errët që ka ndodhur me të dhënat e sistemit TIMS”, thotë Salianji.

Dëgjesave për disa orë me radhë, i parapriu debati mes Ervin Salianjit që kërkonte mbledhje të hapur me socialistët që insistonin që komisioni duhej të mbyllte dyert në ruajtje të sekretit hetimor. Ky fakt u pohua edhe nga Rrumbullaku, që tha se dëshmia e tij përmbante sekrete hetimore. 

Edhe 2 javë më parë, konkretisht më 15 maj, Balla, Rrumbullaku e Muça dëshmuan para deputetëve në Komisionin Hetimor të TIMS.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?