‘Tingujt e kujtesës’, përshpirtje për viktimat në diktaturë, pianistja Dakoli dhe sopranoja Katroshi kujtojnë të afërmit e vrarë! Andrea: Përballja me të shkuarën e domosdoshme

31 Maj 2022, 18:52| Përditesimi: 31 Maj 2022, 21:40

  • Share

Me historitë personale që mbeten në udhëkryq, për të parët që nuk kanë ende një vend që të prehen, tri artiste gra kujtojnë viktimat e komunizmit…

“Nuk është e lehtë të përballesh me të shkuarën, por është e domosdoshme, për të mos i dënuar ato viktima për të dytën herë me harresë”, thotë aktorja Ema Andrea.

Në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse, pianistja Elida Dakoli me dy gjyshërit e vrarë në diktaturë, e sopranoja Alisa Katroshi stëmbesë e Mit’hat Vorpsit të zhdukur pa gjurmë në ’51-shin, trokasin në përvuajtjet e komunizmit përmes “Tingujve të kujtesës”.

“Im atë, xhaxhai im, më kanë treguar histori të ndryshme, tepër të dhimbshme që më kanë prekur shumë, por edhe më kanë nxitur që unë të bëj më shumë për viktimat e komunizmit, për familjen time, sepse sot unë e kam mundësinë”, thotë pianistja Dakoli. 

“Dua t’ia dedikoj këtë mbrëmje mamasë sime që prej diktaturës ajo nuk arriti të ndiqte dot ëndrrën e saj që të bëhej balerinë, por vajza e saj sot ia doli jo vetëm në Shqipëri por edhe në EVropë”, thotë sopranoja Katroshi.

Ndërsa aktorja Ema Andrea edhe kësaj here bëhet zëri i atyre që nuk munden më të rrëfejnë se ç’pësuan në gjysmë shekulli diktaturë, si poeti Havzi Nela.

Koncerti memorial për viktimat e komunizmit i mbajtur nga Fondacionet Kujto dhe Konrad Adenauer, i ngjan një përshpirtje, ku arti është gjuha e komunikimit që kujton të mos harrojmë ç’ka ndodhur, për të gjetur mekanizma demokracie për të ndërtuar të ardhmen.

“Raporti që krijuam dhe mbajtëm me regjimin komunist dhe krimet e tij nuk është thjesht një nga gjërat që nuk bëmë mirë në këto 30 vjet liri. Në lidhje me zbardhjen, dënimin dhe kujtesën e krimeve të komunizmit, në thelb ne nuk kemi bërë pothuajse asgjë krahasuar me pritshmëritë” thotë Agron Shehaj themeluesi i Fondacionit Kujto.

“Ndarja e përvojës sonë gjermane në përballjen më të kaluarën dhe angazhimi me ish të përndjekurit politik këtu është një fushat kryesore me të cilat merret Fondacioni Konrad Adenauer”, thotë Tobias Rüttershoff, drejtor i zyrës për Shqipërinë i fondacionit Konrad Adenauer.

Dakoli sot një pianiste e njohur në Amerikë, ndërsa emri i Katroshit po lë gjurmë ne skenat Evropiane, të dyja i përbashkojnë rrënjët, e jo vetëm që përçojnë muzikën shqiptare përtej kufijve, por rikthehen me kontribute e mesazhe të forta.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?