Tirana 100 vjet kryeqytet/Arkitekti boton skicat e vilave të viteve 1920-‘59

5 Gusht 2020, 15:13| Përditesimi: 5 Gusht 2020, 17:34

  • Share

Dekadat e para të Tiranës kryeqytet vijnë përmes 100 skicave. Arkitekti Andi Papastefani ka zgjedhur 100 objekte të ndërtuara gjatë viteve 1920-‘59,  të cilat qëndrojnë ende në këmbë për të rrëfyer punën e bërë teksa ndërtohej shtati i kryeqytetit. Papastefani, duke përdor skicat si gur mozaiku kryesisht të objekteve të ndërtuara në këtë periudhë arrin të realizojë profilin e Tiranës kryeqytet.

Ndërtesat tradicionale të Tiranës, ku dominon qerpiçi dhe skeleti i drurit, shumëllojshmëria e stileve dhe influencave me elementë të stilit barok, ndikimi europiano- qendror, me elementë të arkitekturës apline edhe stil modern apo racionalist ekzistojnë ende, megjithatë Papastefani na rrëfen se ndërtesa më e vjetër, që mendohet të jetë 300-vjeçare e piktorit të njohur Sali Shijaku.

“Është 100-vjetori i Tiranës. Është i rëndësishëm, sepse nga një qytezë me 12 mijë banorë ka arritur 1 mln banorë. U bënë shumë arritje, u hapën shkollat e para të pikturës, arkitektët e parë që studiuan jashtë punuan për vendin e tyre. Themelimi i Tiranës mblodhi si me magnet intelektualët në Shqipëri. U krijua një kolazh interesant gjatë katër dekadave. Ndërsa ndërtesa më e vjetër është shtëpia e Sali Shijakut. Shyqyr që e kemi”, thotë Papastefani.

Arkitekti sjellë në vëmendje edhe parqet, pjesët e gjelbëruara të Tiranës

“Gjelbërimi është një pjesë që ka shumë rëndësi. Këtu jemi në parkun e parë, shatërvani është bërë në vitin 1923 edhe është origjinal. Funksionoi kryesisht për pallatin presidencial, veç këtij u bë dhe Pallati i Brigadave. Kjo është e importuar nga arkitektët italianë, por kanë kontribuar dhe shqiptarët jo vetëm në ndërtim, por edhe nga pjesa skulpturale. Arritja më e madhe është Parku i liqenit Artificial, që është akoma mushkëria e vetme në Tiranë. Ne presim që gjelbërimi të hyjë në gjak”.

Në lidhje me arkitektët vendas dhe të huaj që kanë bërë këto ndërtesa, Papastefani vlerëson veçanërisht punën e arkitektëve vendas.

“Një nga pikat e rëndësishme të këtij 100-vjeçari janë profesionistët shqiptarë që studiuan jashtë dhe kontribuuan në vend. Historianët duhet ta piketojnë se në Shqipëri ka hyrë në vitin 1930 ose në 1932 ndërtesa e parë moderne. Duhet të përmendim dhe inxhinierët e parë që erdhën nga jashtë, si vila “Petrela” apo ish- godina e Oficerëve, më pas ish Lidhja e Shkrimtarëve”, thotë Papastefani.

 Ndonëse vilat janë në periudhën e fundit historike, arkitekti përfundon se shkallët e zhvillimit duhet të ruhen, që vizitorët të arrijnë të kuptojnë ecurinë e qytetit.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?