Në muajin Mars të këtij viti, emisioni Stop në TV Klan njohu publikun me rastin e familjes Çokaj, e cila jetonte në kushte ekstreme varfërie.
Me tu informuar për situatën e motrave Çokaj, Presidenti i Grupit BALFIN, Samir Mane, mori nismën që ti siguronte një shtëpi të re dhe afër spitalit të Shkodrës.
Motrat Çokaj jetonin në një banesë të rrënuar, në Grudë Fushë të Malësisë së Madhe. Mungesa e mjeteve minimale të jetesës ndikonte drejtpërdrejt në keqësimin e shëndetit të tyre. Pamundësia e plotë ekonomike ua rëndonte situatën dhe motrat nuk kishin gjetur rrugëzgjidhje.
Me nismën e Presidentit të Grupit BALFIN, z.Samir Mane, familja Çokaj tashmë është sistemuar në një apartament në qytetin e Shkodrës. Shtëpia e rinovuar ndodhet në afërsi të spitalit të qytetit, në mënyrë që zonjat të marrin lehtësisht shërbimin mjekësor që ua bën të nevojshëm gjendja e tyre.
Procesin e mundësoi Tirana Bank, si pjesë e Grupit BALFIN. Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Tirana Bank, z.Dritan Mustafa, dorëzoi shtëpinë me urimin për ta gëzuar sa më gjatë dhe me shëndet sa më të mirë.
“Sot mbështesim familjen Çokaj, si shembull i angazhimit tonë për të përmirësuar jetesën e grupeve në nevojë të shoqërisë. Së bashku, të gjithë jemi më të fortë”, u shpreh ai.
Tirana Bank është pjesëmarrëse në projekte të ndryshme që kontribuojnë për një ndryshim cilësor në komunitet, sipas drejtimeve të përcaktuara në politikat e përgjegjshmërisë sociale të saj.
Në këtë link mund të shihni të plotë rastin e trajtuar nga emisioni “Stop”:
https://www.youtube.com/watch?v=rzoNSE82gx8