Lajme të mira

Tirana International Airport mirëpret Forumin Europian të Lidershipit dhe Burimeve Njerëzore të ACI Europe

10 Tetor, 16:07| Përditesimi: 10 Tetor, 16:49

  • Share

Shqipëria u bë këtë javë qendra e ekspertizës europiane në fushën e lidershipit dhe menaxhimit të burimeve njerëzore në aviacion, teksa Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) mirëpriti Forumin e 25-të të Lidershipit dhe Burimeve Njerëzore të Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve për Europën – ACI Europe, që u zhvillua në datat 8–10 tetor 2025 në Tiranë.

Ky forum i rëndësishëm mblodhi përfaqësues nga mbi 20 aeroporte evropiane, drejtues të lartë të sektorit dhe ekspertë të burimeve njerëzore dhe lidershipit nga organizata si Këshilli Evropian i Aeroporteve, Këshilli Botëror i Aeroporteve, Universiteti Cranfield, Aeroporti London City, Aeroportet Ndërkombëtare të Athinës, Milanos, Mynihut, Stambullit, Napolit e shumë të tjerë.

Zgjedhja e Shqipërisë si vend pritës për këtë edicion është një vlerësim i drejtpërdrejtë për zhvillimin e jashtëzakonshëm që ka njohur TIA në vitet e fundit – aeroporti me rritjen më të madhe të trafikut të pasagjerëve në Evropë, që tashmë i konsideruar si një histori suksesi për rajonin.

Forumi u hap me një tur të posaçëm në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen nga afër me investimet e fundit infrastrukturore: modernizimi i terminalit, zgjerimi i kapaciteteve, sistemet e reja të sigurisë dhe emergjencës, si dhe rritja e standardeve të përvojës së pasagjerëve.

Në vijim, sesionet e forumit u zhvilluan, duke adresuar temat më të rëndësishme të menaxhimit modern të burimeve njerëzore në sektorin e aviacionit.

I ftuar në hapjen e punimeve të forumit, Z. Maksim Et’hemaj, Drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil, foli mbi përparimin e Shqipërisë në sektorin e aviacionit dhe integrimin e tij me standardet europiane.

Gjatë dy ditëve të forumit, u mbajtën mbi 20 sesione pune, prezantime të ndryshme dhe grupe pune mbi qëndrueshmërinë, programet e shkëmbimit të përvojave dhe përputhshmërinë digjitale.

Pjesëmarrësit ndanë praktikat më të mira për zhvillimin e karrierës, planifikimin e drejtuesve të së ardhmes, si dhe për sfidat në menaxhimin e burimeve njerëzore në aviacion që nga periudha Covid-19.

Forumi u ndërthur më së miri me aktivitete kulturore dhe udhëtime turistike në Berat dhe Vlorë, duke i dhënë mundësi pjesëmarrësve të njohin më nga afër Shqipërinë, dhe promovimin e saj si një destinacion turistik në rritje.

Rritja e numrit të pasagjerëve, destinacionet e reja të hapura në vitin 2025, si dhe zgjerimi i shërbimeve të TIA e kanë pozicionuar Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës si një nyje strategjike në rrjetin ajror të rajonit.

Këto zhvillime, që vijnë pas investimeve të mëdha të Grupit Kastrati gjatë 5 viteve të fundit në TIA, e bëjnë Shqipërinë një shembull të transformimit pozitiv në industrinë e aviacionit, duke e kthyer tashmë edhe në vend mikpritës të forumeve të tilla prestigjioze të organizatës më të rëndësishme të aviacionit.

SI.E./I.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Kushtetuesja pezullon dekretin për zgjedhjet në Tiranë, si e vlerësoni?