Ju pëlqen disave ose jo, të vetmet ndryshime pozitive të mëdha në Tiranë janë bërë nga dy kryebashkiakë socialistë të saj, Rama në dy mandatet e parë të tij, dhe Veliaj gjatë tetë viteve të fundit. Këtë vetëm një i verbër nuk mund ta shohë.
Këto radhë i shkruaj për ata njerëz, të cilët vetëm ankohen për “shkatërrimin” që i është bërë Tiranës gjatë këtyre dy dekadave të fundit. Njerëz të tillë, në fakt, nuk janë shumë, por zhurma që bëjnë e amplifikon numrin e tyre, edhe pse shumica nuk kanë thuajse asnjë lidhje origjine ose organike me kryeqytetin.
Një pjesë e madhe e tyre janë të ardhur në Tiranë shumë vonë dhe nga shumë larg – nga qytetet më të largët dhe nga fshatrat më të thellë të vendit. Si të tillë, ata nuk i lidh thuajse asgjë me Tiranën e para viteve 1990, nuk kanë asnjë përvojë jetësore dhe asnje kujtesë për të, me përjashtim, ndoshta, të disa vizitave sporadike në kryeqytetin e vendit.
Një kryeqytet metropolitan
Si shumica e bashkëmoshatarve të mi, që sot jetojmë në Tiranë, unë nuk jam lindur në këtë qytet. Prindërit dhe familjet e shumë prej nesh, që u lindëm pas Luftës së Dytë Botërore, në periudhën e socializmit shtetëror, lëviznin (“qarkullonin” ose shpërnguleshin me punë dhe me banim) nga një qytet dhe nga një rreth i vendit në tjetrin.
Prindërit e mi kanë jetuar e punuar fillimisht në Gjirokastër (ku u lind vëllai im i madh); më vonë, për fare pak kohë, në Elbasan (ku u linda unë); pastaj, për dy a tri vite, në Durrës (ku u lindën motrat e mia). Në Tiranë u shpërngulëm kur unë isha 4 vjeç. Në atë kohë, Tirana kishte vetëm 125 mijë banorë.
Në kryeqytet nisa të veja në kopësht kur isha 4 vjeç (Kopshti 16); këtu kreva arsimin fillor (në shkollën 10 Korriku), arsimin e mesëm (në shkollën Petro Nini Luarasi) dhe studimet universitare (në Universitetin e Tiranës). Me Tiranën lidhen vitet më të bukura të fëmijërisë, të adoleshencës dhe të rinisë sime, emërimi im i parë në punë, krijimi i familjes dhe dy djemtë e mi, që u lindën në këtë qytet, kur Tirana nuk kishte më shumë se sa 200 mijë banorë.
Sot, kryeqyteti ynë, Tirana metropolitane, ka rreth 1 milion banorë, pesë herë më shumë sesa kishte 40 vite më parë, kur u lindën djemtë e mi. Unë nuk di ndonjë qytet tjetër në Europë, popullsia e të cilit të jetë rritur pesëfish brenda një peridhe kaq të shkurtër, vetëm 40-vjeçare.
Rritja e popullsisë së Tiranës në këto përmasa të jashtëzakoshme ka kërkuar domosdo zgjerimin e hapësirës jetike në këtë qytet, një hapësirë që do të shtrihej në territore që më parë nuk kishin asnje lidhje me kryeqytetin e vendit, përveçse ishin një periferi rurale e tij.
Kur unë dhe moshatarët e mi ishim fëmijë, Tirana fillonte te Stacioni i Trenit në veri dhe mbaronte te korpusi i Universitetit të Tiranës në jug. Diametri veri-jug i kryeqytetit në atë kohë ishte, pra, sa gjatësia e Bulevardit të Madh (Dëshmorët e Kombit plus Bulevardi Stalin (sot Zogu I), ndërsa ai lindje-perëndim niste në Kinostudio dhe mbaronte te ish-parku i mallrave, dy-treqind metra përtej kryqëzimit të “21 Dhjetorit”, ose, ndoshta, në Kombinat. Linza, Sauku, Shkoza, Lundra, Farka, Paskuqani, Alliasi, Babrruja, Picalla, Yzberishti, Kashari apo zona e “Unazës së Re” përtej Laprakës, deri në Mullet e në Mëzez-Fushë, në atë kohë ishin fshatra të Tiranës; sot të gjitha këto janë pjesë e Tiranës, pjesë e kryeqytetit metropolitan të vendit.
Nostalgji për Tiranën e viteve të fëmijërisë
Si banorë të kryeqytetit në vitet 1960, për ne, fëmijët e asaj kohe, çdo rrugë kryesore e Tiranës dhe çdo landmark i saj ishin shumë mirë të njohura—nga Rruga e Kavajës (me Radio Tiranën e vjetër dhe Parkun e Xha Tomit përballë Stabilimentit Mihal Duri), te Rruga e Durrësit, (me Gastronomin dhe, më vonë, Kafe Florën e deri te Zogu i Zi), te Rruga e Dibrës, që e quanim Broadway (me Mapon e Madhe dhe Selvinë), te Rruga e Barrikadave (me Filatelinë, Bodecin dhe Muzeun e LANÇ-it) dhe, më tej, Rruga e Elbasanit, në kryqëzim të së cilës, pranë urës së Lanës, ndodhej një stadium i vogël i lojrave me dorë dhe arena e boksit.
Bulevardi Stalin, që niste nga Sheshi Stalin (sot Sheshi Skënderbej), Komiteti Ekzekutiv i Tiranës dhe Kisha Ortodokse, vazhdonte me këndin e lojnave dhe postën qëndrore, me dyqanin e pionierëve dhe librarinë e madhe përballë tyre, pastaj me estradën, pallatin e kuturës Ali Kelmendi dhe, pak më tej, në krahun tjetër me ATSH-në e vjetër. Po në atë krah, pasi lije në të majtë Rrugën e Fortuzit, vinte Materniteti dhe, përballë tij Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Brraka, njëra prej lagjet më të vjetra të kryeqytetit.
Qendrën e Tiranës e dominonin kulla e Sahatit dhe xhamia e Et’hem Beut, të ndërtuara thuajse në të njëjtën kohë, në gjysmën e parë të shekullit të 19-të, Pazari i Vjetër (prishja e të cilit, më 1959, për t’i bërë vend ndërtimit të Pallatit të Kulturës, ndodhi pikërisht atë vit që familja ime u vendos në Tiranë), Banka e Shtetit, Kafe Kursal në kryqëzim të Rrugës së Durrësit dhe Rrugës së Kavajës dhe, për ne fëmijët, Teatri i Kukullave.
Pak më tej, pa vajtur te Hotel Dajti në Bulevardin e Madh, ishte Pallati i Pionerëve. Pranë këtij të fundit ndodheshin dy ndërtesa, që ishin njëra Teatri Popullor, dhe tjetra, në krah të saj, Klubi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, para se ky i fundit të shpërngulej, në vitin 1970, në Rrugën e Kavajës. Ky klub më kujtohet fare mirë, pasi gjyshi im, që sapo ishte kthyer në Shqipëri pas 30 vitesh mërgim në Argjentinë, më merret me vete të djelave paradite, kur unë isha 6 apo 7 vjeç, për të takuar shokun e tij Koço Koçi, që punonte në atë klub dhe me të cilin kishin qenë bashkë mërgimtarë në Buenos Aires. Në atë moshë dhe në atë klub mësova të luaj shah.
Pastaj vinin pallatet e Shallvareve dhe pallatet Agimi, ndërtuar thuajse njëkohësisht, në gjysmën e parë të viteve 1950, blloku i udhëheqësve dhe, më tej, Tirana e Re. Ajo pjesë e Tiranës, e cila në atë kohë u quajt Tirana e Re dhe që mbaronte te shkolla Petro Nini Luarasi (ndërtuar po atë vit që familja ime u vendos në Tiranë), sot është një territor fare i vogël i një Tirane të Re që u është ngjitur kodrave në pjesën perëndimore dhe jugperëndimore të kryeqytetit.
Kjo ishte Tirana e viteve kur unë isha fëmijë dhe me të cilën më lidhin kujtimet më të bukura dhe, si një kusht i gjendjes humane, një nostalgji e pashuar.
Një Tiranë e ndryshuar
Tirana në të cilën u lindën djemtë e mi (më 1979 dhe 1983), sigurisht nuk ishte ajo e viteve 1960. Tirana në të cilën është lindur nipi im katërvjeçar është sot një Tiranë krejt tjetër. Unë kam jetuar në Tiranë si fëmijë, si një adoleshent dhe i ri, por edhe si prind i dy fëmijëve të mi dhe tani si një gjysh. E kam njohur, pra, këtë qytet për më shumë se gjashtë dekada dhe kam qenë një prej banorëve të tij në të gjitha periudhat e jetës sime deri më sot. Kjo do të thotë se, ashtu si mijëra të tjerë, që sot kanë moshën time, kam qenë një dëshmitar i gjallë i të gjitha ndryshimeve që kanë ndodhur në Tiranën tonë në çdo dhjetëvjeçar dhe vit pas viti.
A më ka pëlqyer çdo ndryshim që ka ndodhur, çdo prishje që është bërë, çdo ndërtim i ri? Sigurisht që jo. Lagjet e Tiranës, në të cilat familja ime ka jetuar gjatë gjithë këtyre viteve (pesë banesa njëra pas tjetrës në tri lagje të ndryshme) – dy në Bulevardin Stalin, siç quhej Zogu I në atë kohë, vetëm 500 metra larg Sheshit Skënderbej sot, dy në Tiranën e Re dhe sot në kryqëzim të rrugëve Sami Frashëri dhe Gjergj Fishta – kanë ndryshuar shumë.
Përveç Kullës së Sahatit, xhamisë së Et’hem Beut, Bankës së Shqipërisë, godinave të ministrive (njëra prej tyre sot Bashkia e Tiranës) dhe Teatrit të Kukullave, qendra e Tiranës së sotme nuk ruan shumë pak nga Tirana e fëmijërisë sime. Vendin e monumentit të Stalinit e zuri ai i heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, të cilit ky shesh i takon; në vend të Komitetit Ekzekutiv të dikurshëm sot ngrihet Muzeu Historik Kombëtar; Kisha Ortodokse ia la vendin hotelit më të lartë në vend (deri disa vite më parë); Pazari i Vjetër, Pallatit të Kulturës dhe Teatrit të Operas.
Të përshkruash të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur në Tiranë gjatë këtyre gjashtë dekadave, ose edhe vetëm gjatë 30 viteve të fundit, është një detyrë e pamundur dhe unë nuk po rrekem as ta nis përmendjen e tyre. Mjaftohem vetëm duke përsëritur, se Tirana e sotme nuk është ajo Tiranë në të cilën jemi rritur ne, 120 mijë banorët e saj të viteve 1960, as ajo në të cilën janë rritur 100 mijë banorët e saj të lindur në vitet 1970 apo 1980.
Motivi nga nisem
Por çdo të thotë kjo? Këtë pyetje e bëj i nxitur nga deklaratat e disa individëve, që deri pak javë më parë, ndërsa garonin në “primaret” e Partisë Demokratike për të qenë kandidati i kësaj partie për postin e kryebashkiakut të Tiranës në zgjedhjet e ardhshme vendore, nuk lanë gjë pa thënë kundër “shkatërrimit” që gjoja i është bërë kryeqytetit dhe premtuan ta shndërrojnë atë në një qytet modern, ose t’i kthejnë Tiranës identitetin e humbur.
I dëgjova me vëmendje dhe krijova bindjen se, ndryshimet e bëra në Tiranë gjatë këtyre viteve të fundit dhe nevojat e këtij qyteti janë shumë të mëdha për mendjet e tyre të vogla. Natyrisht, jo çdokush mendon njëlloj, ka të njëjtat bindje e shije estetike, të njëjtin vizion për atë se si duhet të jetë kryeqyteti ynë dhe si e ku duhet ndërtuar, por të thuash se Tirana është shkatërruar, se shkatërrimi i saj është “më i rëndë edhe se i pushtuesve”, siç shkruante disa kohë më parë një gazetë, apo se Tirana është betonizuar dhe ka humbur identitetin e saj etj, etj, etj, – këto nuk janë vetëm bindje (edhe pse mund të ketë vërtet njerëz që janë të bindur se është kështu); këto janë, në fakt, qëndrime antagoniste ndaj progresit dhe modernitetit në një shoqëri që modernizohet nga dita në ditë, që është bërë e po bëhet nga dita në ditë pjesë e zhvillimeve globale dhe në një qytet, i cili, ndërsa një shekull më parë ishte pak më shumë sesa një fshat i madh, sot po bëhet një qytet vërtet kozmopolitan.
Këto radhë nuk i shkruaj i motivuar politikisht, por si një qytetar i Tiranës dhe si një sociolog, që pasion dhe profesion ka jetën e shoqërisë dhe studimin e problemeve të saj. I shkruaj edhe si dikush që, pasi ka jetuar, studjuar dhe punuar për gati një të tretën e jetës së vet jashtë Shqipërisë, është kthyer në Tiranë sepse e do këtë qytet.
Le të jem më i qartë për ata që mund të mos më kuptojnë, ose që mund të më kundërshtojnë. Duke e lënë modestinë mënjanë, u them se duke shkruar këto radhë, unë di se përse flas dhe çfarë them. Për gati dy dekada kam jetuar në dy prej vendeve më të zhvilluar, në Hollandë dhe në Shtetet e Bashkuara. Gjatë atyre viteve, por edhe më vonë, më është dhënë rasti të udhëtoj rreth e qark botës dhe të vizitoj qytetet më globalë të këtij planeti – nga Nju Jorku, Londra dhe Tokio, në Singapor dhe në Hong Kong, nga Los Angelos, Çikago, Uashington, Boston, Honolulu Toronto e Vancouver, në Amsterdam, në Berlin, në Paris, në Moskë, nga Meksiko në Panama, në Kuala Lumpur e në Doha. E përsëris, këto i përmend për t’u thënë atyre që i tremb dhe i tmerron “betonizimi” dhe “kullëzimi” i kryeqytetit se në Tiranë nuk po ndodh asgjë që nuk ka ndodhur ose që nuk ndodh askund në botë.
Ç’po ndodh në Tiranë është tregues zhvillimi e qytetërimi
Në Tiranë po ndodh pikërisht ajo që ka ndodhur e po ndodh thuajse kudo në botë qysh nga fundi i shekullit të 19-të, kur në Çikago e në Nju Jork fillimisht dhe, disa vite më vonë, në Roterdam e në Varshavë, në Liverpul e në Mançester, në Barcelonë e në Berlin filluan të ngrihen ndërtesa shumëkatshe. Ndërtimi i “kullave”, një fjalë që mua, nuk e di pse, më tingëllon më mirë në anglisht, towers, ose skyscrapers (ndoshta për shkak se origjina e tyre është pikërisht Amerika), madje edhe në italisht, grattacielo (një gjuhë dhe një fjalë me të cilën na është mësur veshi qysh në fëmijëri), është bërë sot pjesë e kulturës materiale thuajse në çdo shoqëri, jo vetëm në shoqëritë më të industrializuara, por edhe në vendet në zhvillim. Ato i gjen në Amerikë, në Kanada dhe në Brazil, në Angli, në Gjermani, në Hollandë, në Spanjë dhe në Turqi, në Emiratet e Bashkuara, në Etiopi, në Kenia dhe në Afrikën e Jugut, në Sri Lanka, në Malajzi dhe në Indonezi.
Ndërtimi i “kullave” nuk ka qenë e mund të mos jetë kudo i mirëpritur, siç shohim të ndodhë edhe në Shqipëri, por ai, sidoqoftë, ka qenë dhe është një proces, origjina dhe domosdoshmëria e të cilit lidhen me realitetet dhe tendencat globale të industrializimit, të urbanizimit, të modernizimit dhe të globalizimit të shoqërisë.
Përdorimi i hekurit, i betonit të përforcuar dhe i xhamit si materiale ndërtimi dhe, sidomos, zhvillimi i inxhinierisë dhe modernizimi i mekanikës, bënë të mundur ndërtimet në lartësi për shërbime hoteliere, për zyra administrative dhe për banesa. Kjo ka ndodhur edhe në qytete të tillë, si Parisi dhe Londra, të cilët janë zhvilluar historikisht në mënyrë graduale e të ngadalshme dhe që, për këtë arsye, kanë pasur e kanë rregulla shumë strike, duke i rezistuar tendencës së ndërtimeve në lartësi. Sidoqoftë, edhe në këto qytete, sot gjejmë disa dhjetra “kulla” – 23 të tilla (mbi 150 m të larta) në Paris, 118 (mbi 100 m të larta) në Londër, edhe pse ky qytet është ndërtuar mbi tokë argjilore.
Tirana nuk është Athina ose Roma
Unë e kuptoj pse shumë njerëz janë kundër ndërtimit të “kullave”, ose skeptikë ndaj tyre. Shumë prej tyre janë të merakosur se me “kullat” e ndërtuara deri më sot, ose me ato që mund të ndërtohen në të ardhmen, Tiranës i humbet identiteti i saj si qytet dhe si kryeqytet i vendit (të paktën ky është pretendimi i tyre). Por Tirana nuk është Athina ose Roma, qytete këto që kanë ekzistuar “përjetë”, as Londra e Shekspirit, Madridi i Servantesit, Roterdami i Erazmit apo Parisi i Montenjit, qytete që u zhvilluan në mesjetë dhe që u bënë qendra të jetës ekonomike, tregtare e kulturore të Europës në periudhën e Rilindjes së saj, secili me një identitet urbanistik e kulturor të spikatur.
Si për “ironi të historisë”, nëse huazoj një shprehje të Hegelit, e para grattacielo në Europë u ndërtua pikërisht në Roterdam, më 1898, vetëm 13 vite pas ndërtimit të së parës “kullë” në Çikago dhe në botë (1885), dhe shumë kohë më parë se sa Roterdami të rrafshohej (brenda 13 minutash), nga bombardimet e nazistëve gjermanë më 14 maj 1940.
Tirana nuk ka një Partenon, si Athina mbi Akropolin e saj, pamjen e të cilit do e pengonin 10 ose 13 kulla të larta, nëse këto do të ngriheshin në qendër të atij qyteti. Ai Partenon është arsyeja që në Athinë nuk lejohen ndërtime më të larta sesa 12 kate. Identiteti urbanistik i Tiranës është krijuar në afro njëqind vitet e fundit dhe, pra, “prishja” e tij nuk është e njëjta gjë si në rastin e qyteteve shumë më të vjetër dhe me vlera arkeologjike, historike, urbanistike, kulturore shumë më të mëdha. Këta qytete janë, në fakt, pjesë shumë të vyera dhe simbole të trashëgimisë historike e kulturore të mbarë njerëzimit dhe, si të tillë, ruajtja e identitetit të tyre është një domosdoshmëri që nuk vihet në dyshim nga askush.
Veç kësaj, identiteti urban i një qyteti (pra edhe identiteti kulturor i tij) – me çka kuptojmë përshtypjen dhe mbresat e krijuara te ne si banorë të tij, individualisht dhe kolektivisht, si dhe te të tjerët, nga tiparet dhe vlerat e dallueshme mjedisore, historike, socialkulturore dhe hapësinore të tij – nuk është një veçori statike, një identitet i ngurtë, i dhënë një herë e prgjithmonë, por ka një strukturë dinamike, të ndryshueshme, që i përshtatet ndryshimeve demografike, ekonomike e sociale të shoqërisë.
Industrializimi i shpejtë i shoqërive perëndimore gjatë shekullit të 20-të – dhe i shoqërive në zhvillim në gjysmën e dytë të atij shekulli – solli ndryshime dramatike në kushtet e jetesës, në mënyrën e prodhimit dhe në format e konsumit, në perceptimin dhe organizimin e kohës e të hapësirës, të mënyrës së jetesës dhe, rrjedhimisht, edhe në nevojat njerëzore dhe në transformimin e identitetit urban dhe arkitekturor të shumë qyteteve në Europë. Shqipëria dhe Tirana nuk mund të jenë përjashtime nga ky trend i përgjithshëm global.
Durrësi i lashtë dhe Tirana sot
Mua më dhemb shpirti për atë tragjedi urbane, historike e kombëtare që ka ndodhur në Durrësin tonë – qyteti i dukurshëm me emrin Epidamnos, apo Dyrrachium – themelet e të cilit janë gati po aq të vjetra sa ato të Romës. Një qytet për të cilin kanë shkruar Herodoti, Tukididi, Aristoteli dhe Diodor siçiliani, është varrosur përjetësisht nën dhé.
Veç faktorëve natyrorë, zhdukja thuajse e plotë e tij nën themelet e ndërtimeve të këtyre 30 viteve të fundit ka ndodhur për shkak të faktorit njerëzor – institucioneve politike të shoqërisë dhe njerëzve në pozita pushteti. Dikush do të duhej të përgjigjej për këtë krim të madh kulturor ndaj vendit tonë dhe ndaj kulturës së lashtë të njerëzimit.
Tirana, sidoqoftë, nuk është Durrësi. Edhe pse një vendbanim i hershëm, Tirana ka një histori urbane shumë të vonë dhe nuk ka qenë e nuk është një atraksion turistik par excellence. Si kryeqytet, Tirana ka qenë dhe është qendra urbane administrative, ekonomike, kulturore e arsimore më e madhe e vendit dhe, për këtë arsye, me ndryshimet e shumta demografike, ekonomike e shoqërore që kanë ndodhur nga vitet 1990 e këtej, transformimi urbanistik i kryeqytetit do të duhej të shihej si diçka e pritshme, e logjikshme dhe e nevojshme. Nga ky këndvështrim duhen parë edhe ndërtimet e shumta që janë bërë në qendër dhe në periferi të qytetit, edhe “kullat” që u “vrasin sytë” disave dhe i shqetësojnë ata, por jo autorin e këtyre radhëve.
Edhe pse Tirana sot nuk është ende kryeqyteti që do të donim të kishim, Tirana është sot një qytet dhe një kryeqytet shumë herë më i mire, shumë më i bukur dhe më i jetueshëm se sa ai që trashëguam nga koha e Mbretërisë së Zogut, nga ajo e periudhës së socializmit shtetëror dhe, sidomos, nga ajo Tiranë që e shkatërruan dhe e përdhosën “pa din e pa imam” Sali Berisha, qeveria e tij dhe kryebashkiakët e partisë së tij.
Nga filloi shkatërrimi i Tiranës dhe pse përgjegjësi kryesor është Berisha
Nuk po flas për periudhën e socializmit shtetëror dhe ndryshimet që u bënë në Tiranë në atë kohë. Ajo ishte një kohë diktature dhe në diktaturë askush, veç drejtuesve të saj, nuk gëzon lirinë dhe të drejtën për të dhënë mendime mbi organizimin më të mirë të jetës dhe mbi transformimin urban të shoqërisë. Këtu flas për periudhën pas shëmbjes së socializmit, për atë kohë kur shpresat dhe pritshmëritë e shqiptarëve për një trasnformim rrënjësor të shoqërisë së tyre ishin të mëdha. Dhe dua të përsëris atë çfarë kam thënë disa vite më parë:
Nëse Sali Berisha do të kishte munguar në këto më shumë se tri dekada të tranzicionit postkomunist në Shqipëri, sot nuk do të gjendeshim në këtë pikë ku jemi, por do të kishim bërë një progres shumë më të madh. Unë mendoj se Sali Berisha e ka drejtuar këtë vend shumë keq. Ai ka qenë shumë destruktiv, jo vetëm kur ka qenë – dhe tani që është – në krye të opozitës, por, sidomos, kur ka qenë në pushtet.
Sali Berisha është përgjegjësi kryesor i shkatërrimit total të ekonomisë shqiptare, i grabitjes dhe shkatërrimit total ludist të bazës materiale të industrisë e të ekonomisë bujqësore të këtij vendi, të ngritur për gjysmë shekulli me djersën dhe privacione të shumta të popullit tonë.
Berisha është përgjegjësi kryesor që solli përçarje krahinore, që ngjalli frikë dhe pasiguri në radhët e popullit tonë dhe që i vrau brutalisht shpresat e rinisë sonë për ta bërë Shqipërinë si tërë Europa. Qeveritë socialiste që erdhën pas tij, ose në intervalin mes dy sundimeve të tij, nuk bënë më të mirën që mund të bënin për ta përshpejtuar rimëkëmbjen ekonomike e morale të vendit dhe integrimin e tij në BE, por atyre u është dashur shumë mund dhe kanë marrë kosto të mëdha për të zhbërë bëmat antipopullore e antikombëtare të Sali Berishës.
Më në fund, Berisha është përgjegjësi kryesor i braktisjes demografike të pjesës më të madhe të territorit të vendit. Duke aplikuar strategjinë maoiste të rrethimit të qytetit nga fshati, ai lejoi “rrethimin” e Tiranës nga dhjetëra e qindra mijë njerëz që, me dijeninë, me bekimin dhe me premtimet e tij elektorale uzurpuan në kryeqytet dhe në rrethinat e tij toka e prona që u përkisnin pronarëve të ligjshëm të tyre. Me këtë strategji elektorale, Berisha u bë shkaktari i asaj katrahure të madhe në çështjen e të drejtave pronësore, që ndoshta nuk do të marrë fund për dekada të tëra.
Mbipopullimi dhe zgjerimi territorial i kryeqytetit të vendit nisi pikërisht në fillim të viteve 1990 për shkak të politikave laissez affair të Sali Berishës, por ai ishte krejt i çrregullt dhe kaotik. Ideologjia komuniste, me të cilën Berisha ishte mbrujtur deri atëherë, u manifestua në variantin më të shëmtuar maoist të një “revolucioni fshatar të dhunshëm”.
Kjo ideologji, e shoqëruar nga një vizion naiv mbi kapitalizmin si një kapitalizëm laissez-faire, në të cilin shteti duhej ta linte krejtësisht të lirë ekonominë e tregut, pa ndërhyrë në të, krijoi te shumë njerëz në atë kohë iluzionin tragjik të një kapitalizmi, në të cilin kushdo mund të bëhej shumë shpejt i pasur. Pasojë e këtij mentaliteti, të ushqyer nga vetë Berisha, ishte ajo marrëzi kolektive që çoi në krijimin e skemave “get-rich-quick” – firmat piramidale të tipit Ponzi – shembja shumë shpejt e të cilave çoi në një kaos total e të dhunshëm dhe në rënien e shtetit.
Të rinjve të sotëm u duhet thënë se…
Një pjesë e shqiptarëve të brezit që njihen si “millennials”, të lindur në gjysmën e parë të viteve 1990 dhe që atëherë ishin fëmijë, mund të ruajnë në kujtesën e tyre, në mënyrë krejt të mjegullt, diçka nga kaosi dhe ngjarjet tragjike që shoqëruan shembjen e firmave piramidale. Por, brezat më të rinj të shqiptarëve, ata që njihen si Generation Z (të lindur mes viteve 1997-2012) dhe Generation Alpha, që sot janë më të rinj se sa 12 vjeç, nuk kanë asnjë kujtesë për ngjarjet e asaj kohe. Në një formë ose në një tjetër, atyre u duhet mësuar se çfarë ka ndodhur dhe cili ka qenë përgjegjësi kryesor i asaj drame njerëzore që u luajt në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë.
Nëse sot janë në një moshë kur mund të votojnë, të rinjtë e gjeneratës Z duhet të dinë nëse mund të votojnë në krye të bashkisë së Tiranës, ose të bashkive të qyteteve të tjera, kandidatë të zgjedhur me pëlqimin e Berishës dhe që mbartin mentalitetin destruktiv të tij.
Çfarë ndodhi…
Si sociolog, unë jam mësuar të shoh përtej fasadës së gjërave që zakonisht, në jetën e përditshme, jo të gjithë i vëmë re. Unë dëshiroj që kushdo që kërkon të debatojë mbi problemet për të cilat shkuaj të përdorë imagjinatën sociologjike, të cilën, siç na mëson C. Wright Mills, një sociolog i madh amerikan, të gjithë e kemi si një aftësi të mendjes sonë, por jo të gjithë janë të vetdijshëm për këtë dhe, prandaj, nuk e kanë zhvilluar.
Imagjinata sociologjike na ndihmon t’i shohim e t’i vlerësojmë gjërat në kontekst dhe të gjykojmë duke krahasuar. Krahasimi është një kusht esencial i të menduarit dhe i të arsyetuarit saktë. To think without comparison is unthinkable!
Atyre që vetëm kritikojnë kryetarin aktual të Bashkisë së Tiranës, z. Veliaj, u lutem të më thonë se çfarë bënë për Tiranën në vitet 1990 kryebashkiakët demokratë të Sali Berishës përveçse e shndërruan kryeqytetin tonë në një Kandahar, e mbushën me kioska, e qelbën, e shndërruan në një nevojtore të madhe, e shkatërruan, i vodhën tokën, e tejpopulluan, e kthyen në një “shanty town”. Ju pëlqen disave ose jo, të vetmet ndryshime pozitive të mëdha në Tiranë janë bërë nga dy kryebashkiakë socialistë të saj, Rama në dy mandatet e parë të tij, dhe Veliaj gjatë tetë viteve të fundit. Këtë vetëm një i verbër nuk mund ta shohë.
Ndërsa i lejoi dhjetëra mijëra banorë nga të gjitha qytetet dhe nga të gjitha fshatrat e Shqipërisë të vendoseshin në Tiranë, shumë prej tyre duke uzurpuar padrejtësisht “tokat” e të tjerëve dhe duke ngritur pa asnjë rregull dhe pa asnje leje të ligjshme banesën e tyre mbi to, Sali Berisha nuk e vrau kurrë mendjen për ta dhe as donte t’ia dinte se cili ishte fati i tyre. Mjaft që ata të votonin për të.
Qeverive socialiste që erdhën më pas u është dashur të merren seriozisht me pasojat e kësaj politike të papërgjegjshme, madje të çmendur dhe me fatet mijëra familjeve që më vonë do të prekeshin nga vendimet e drejta të qeverisë e të bashkisë së Tiranës për të vënë rregull në territorin e kryeqytetit dhe për zhvillimin urbanistik e infrastukturor të tij.
Shkatërrimi i tokës bujqësore
Dhjetëramijëra shqiptarë – të ardhur në Tiranë në vitet 1990 e në vijim nga të kater anët e vendit – do të duhej të strehoheshin, të punësoheshin, të dërgonin fëmijët në çerdhe, në kopshte e në shkolla. Banesat për ta dhe institucionet parashkollore e ato shkollore për fëmijët e tyre mungonin. Këto duhej të ndërtoheshin dhe deri vonë janë ndërtuar kryesisht jashtë territorit të Tiranës që trashëguam nga vitet 1980, kryesisht në tokë bujqësore, ose në kodrinat e kurorës së kryeqytetit, që dikur ishin të mbjella me ullinj dhe pemë frutore.
Një hapësirë shumë e gjërë tokë e punueshme, që në zhargonin popullor e quajmë “tokë buke” dhe kodrat e tarracuara rreth qytetit u “zhdukën”. Si një vend i vogël, në masën 70 për qind malor, kemi asgjësuar një sipërfaqe proporcionalisht shumë të madhe të tokës bujqësore – një prej pasurive kombëtare më të mëdha të vendit – me ndërtime çfarëdo. Pamja që sheh kur ulesh me avion në Rinas dëshmon katrahurën që nisi në vitet 1990 dhe që vazhdoi për shumë kohë, një krim rural edhe më i madh sesa krimi urban për të cilin flasin disa.
Tokë bujqësore e humbur në përmasa kolosale për një vend të vogël, në një kohë kur dihet se, veç ndryshimeve të klimës, dy nga krizat më të mëdha ekzistenciale me të cilat ka filluar të ndeshet njerëzimi (dhe që do të bëhen më serioze në të ardhmen) janë kriza e skaktuar nga reduktimi i tokës bujqësore dhe e burimeve të ujit të pijshëm.
A mendojmë vallë se ç’do të thotë kjo për një vend si Shqipëria dhe për një kryeqytet, popullsia e të cilit rritet nga viti në vit? Mos vallë popullsia e shtuar e kryeqytetit do të duhej të strehohej edhe më tej në banesa të ngritura në parcela toke bujqësore në periferi të qytetit, në një Astir tjetër, në një Bathore tjetër, apo në një tjetër breg lumi për të ruajtur të pacënuar identitetin urbanistik të Tiranës?
Pra, që Tirana të kishte të njëjtin “identitet” si në vitet 1970 apo 1980, por të mos kishte tokë buke?! Kjo është një pyetje, së cilës, deri më sot, nuk kam dëgjuar t’i japë përgjigje asnjë prej atyre që u vunë në radhë, si ushtarë të regjimentuar, të kandidonin për të marrë në dorë drejtimin e bashkisë së kryeqytetit.
Çfarë dinë (duan) të bëjnë ata që kërkojnë të “marrin” bashkinë e Tiranës?
Kandidatët që gjoja garuan në “primaret” e Partisë Demokratike për të marrë postin e kryebashkiakut të kryeqytetit në zgjedhjet e pranverës, të cilët i anatemuan në të gjitha mënyrat z. Veliaj dhe “krimin urban” që bashkia ka bërë në Tiranë, nuk i dëgjova të thonin asgjë për të cilën shumica e qytetarëve të Tiranës do të duhej t’u jepnin votën e tyre.
Njëri prej tyre (e mbajta shënim sepse më “pëlqeu” veçanërisht), tha vetëm se “duhet ta provojmë një herë ndryshe”, sikur të bëhej fjalë për të bërë seks në një pozicion tjetër dhe jo për të administruar një qytet me një milion banorë.
Një tjetër kandidat në ato “primare” premtoi se, nën drejtimin e bashkisë prej tij, në asnjë lagje të Tiranës nuk do të prishej dhe nuk do të ndërtohej asgjë pa pëlqimin e banorëve të lagjes! Një marrëzi e pashoq. As Zvicra dhe asnje vend tjetër në botë nuk e bën këtë!
Një kandidate grua deklaronte se, nëse zgjidhej ajo për të administruar punët e kryeqytetit, e para gjë që do të bënte do të ishte të hidhte në erë me tritol gjithçka që asaj nuk i pelqen dhe do të ndërtonte nga e para, në të njëjtin vend dhe njëlloj siç ishte, Teatrin Kombëtar!
Një kandidat tjetër në ato “primare” gjithë zemërimin dhe indinjatën e vet e kishte për betonin e përdorur në ndërtimet e sotme, për “kullat”, për “vrasjen” e gjelbërimit në kryeqytet dhe për rrugët e ngushta mes pallateve. Kaq!
Personi që fitoi në ato “primare” për të qenë kandidati i PD-së për kreun e bashkisë së kryeqytetit mohoi thuajse çdo arritje në Tiranë dhe nxiu çdo gjë. Ai tha se Tirana është qyteti më i ndotur i planetit, më i pajetueshmi, pa ajër dhe pa diell, pa drita dhe pa ujë, me më shumë krime dhe me cilësinë më të ulët të jetesës – dhe, nëse zgjidhej në krye të bashkisë, ai, vetë ai, Belind Këlliçi, “tironci 24-karatsh”, që i dhimbset Tirona më shumë sesa të gjithëve ne të tjerëve, që u lindëm në këtë qytet, ose erdhëm këtu fëmijë dhe u bëmë burra – ai pra, neodemokrati i Sali Berishës, që paska bërë disa vite shkollë në Amerikë dhe tani thotë se gjoja “e fton” Kongresi amerikan, do ta transformojë këtë kryeqytet në katër vite, duke e bërë Tiranën një kryeqytet krejt tjetër.
Dikur, në vitet 1980, mbaj mend një ministër komunaleje, edhe ai tironc, që thoshte se kishte “për ta bo Tironën si Kajro, ose si Çikago”.
Po i lë në ëndrrat e tyre dhe në mallkimet e tyre për ata që e kanë “shkatërruar” Tiranën tonë. Por, më parë, njerëzve të tillë do u duhet t’u shpjegojnë banorëve të kryeqytetit krimet që kanë bërë ndaj Tiranës lideri i tyre Sali Berisha dhe kryebashkiakët e tij. Ç’përgjegjësi do t’i njohë Këlliçi bosit të vet, të shpallur persona non grata në Shtetet e Bashkuara, të cilit ai i dedikon karrierën e vet në politike? Dhe përse Këlliçi do të dijë të bëjë punë më të mira sesa i ndjeri Sali Kelmendi, apo Albert Brojka apo, së fundmi, Lulzim Basha që, si ai, të zedhur nga Berisha, u vunë në krye të bashkisë më të madhe të vendit?
Më shumë se sa retorika anti-Veliaj dhe premtimet në erë për një transformim rrënjësor të kryeqytetit, ky djalë, i cili nuk e ka njohur Tiranën e para viteve 1990, por që u rrit në Tiranën e ndotur e të përçudnuar nga Sali Berisha dhe jo nga kryebashkiakët socialistë të saj, ka një shpjegim për të bërë lidhur me politikat e partisë së tij dhe të qeverisë së Berishës për zhvillimit urban të kryeqytetit.
Por një shpjegim i tillë është një mal i madh për t’u kapërcyer nga dikush që s’ka dhënë kurrë asnjë provë se di të bëjë diçka të mirë për qytetin e tij veç një a dy fushatave elektorale për partinë e vet.
“Kullëfobia” e kundërshtarëve të z.Veliaj dhe Tirana e brezit të ri
Nuk e di pse ndërtesat shumëkatshe dhe “kullat” e larta në kryeqytet i trembin disa njerëz, edhe pse sot “kullat” janë bërë jo vetëm diçka e zakonshme në shumë kryeqytete dhe qytete europianë, por edhe më të sigurta për shkak të cilësisë së materialeve dhe të teknologjive të reja të ndërtimit. Nuk po flas për arkitekturën, e cila, në shumë prej tyre, ështa cutting edge.
Nuk di nëse kritizerët e sotëm të “kullave” kanë pyetur ndonjëherë se çfarë mendojnë për “kullat” dhe për ndryshimet që po ndodhin dita-ditës në Tiranë të rinjtë e kryeqytetit dhe, përgjithësisht të rinjtë shqiptarë – ata që nuk e kanë njohur identitetin e Tiranës së 80, 50, ose 30 viteve më parë. Në fund të fundit, Tirana është edhe kryeqyteti i tyre. Në të ardhmen, Tirana do të jetë qyteti i tyre, jo atyre që sot kanë moshën time.
Nëse edhe kur ndërtojmë mendojmë për të ardhmen, për brezat e rinj të sotëm dhe për ata që do të vijnë, duhet të ndërtojmë me vizionin e tyre, për shijet e tyre estetike dhe për nevojat e tyre jetike e rekreative. Kjo është dialektika e jetës, një lëvizje historike që nuk e frenojmë dot. Në një fare kuptimi, njëlloj si procesi i globalizimit të shoqërisë.
Sado nostalgji që unë dhe bashkëmoshatarët e mi të kemi për Tiranën e viteve 1960 dhe 1970, pak nga ne do të donim që fëmijët tanë, dhe fëmijët e tyre të jetonin sot e në të ardhmen në një Titanë si ajo në të cilën u rritëm ne. Madje, edhe nëse do të donim, kjo do të ishte moralisht e papërgjegjshme dhe praktikisht e pamundur.
Unë nuk arrij të kuptoj dy gjëra:
E para: si mundet t’u “dhemb shpirti” më shumë se sa mua dhe shumë të tjerëve si unë, që tërë jetën tonë – gëzimet, miqësitë, familjen, hallet dhe dhimbjet tona – i kemi lidhur me Tiranën, atyre që janë vendosur në këtë qytet shumë vonë dhe që kanë pak gjëra të përbashkëta me qytetin tonë?
E dyta, cilat objekte arkeologjike apo historike i janë prishur qendrës së Tiranës vitet e fundit, duke e dëmtuar identitetin e saj? Mos më thoni godina e Teatrit Kombëtar ju lutem. Për këtë jam shprehur publikisht mëse një herë dhe mezi pres ta shoh të përfunduar ndërtesën e re të atij teatri ndërtuar në vend të së vjetrës. Mua qysh në fëmijëri më janë dukur shumë të bukura dhe pëlqej t’i shoh të ruhen (siç janë ruajtur një pjesë e mirë e tyre) shumë vila të bukura, ndërtuar në vitet 1930, në Rrugën e Kavajës, në Rrugën e Dibrës, në atë të Durrësit etj., por godina e bukur e Komitetit Ekzekutiv apo Kafe Kursal, që ishin landmarks të kryeqytetit tonë, janë prishur shumë dekada më parë, pra jo nga socialistët. Pazari i Vjetër, gjithashtu, për të krijuar hapësirë për Bibliotekën Kombëtare dhe Teatrin e Operas. Zëvendësimi i atij pazari me Pazarin e Ri, siç është ky i fundit sot, në një plan etno-gastrologjik dhe urbanistik simbolizon një ndër transformimet më të dukshme që kanë ndodhur në kryeqytet.
Ndërtesat historike në qendër të Tiranës (ministritë), bulevardi i madh dhe korpusi universitar në fund të tij kanë mbetur po ato, shenja qartësisht të dallueshme të identitetit urbanistik të kryeqytetit tonë – dhe nuk ka gjasa që ato të zhbëhen. Këto ia kanë ruajtur identitetin Tiranës në një mënyrë të patjetërsueshme. Gjithçka e menduar mirë dhe e realizuar bukur që i shtohet qendrës së Tiranës dhe bulevardit të madh në të dy krahët e tij, për mua, nuk e dëmton identitetin kryeqytetit tonë – identitetin që duhet të ketë sot dhe nesër për brezat e ardhëm kryeqyteti ynë.
Tirana nuk mund të mbetej ajo e viteve 1930, Tirana e vilave të bukura për disa dhe e shtëpive me qerpiç për shumicën e banorëve të saj.
Tirana nuk mund të mbetej ajo e pallateve të ndërtuara me punë vullnetare apo me parafrabikate.
Tirana nuk mund të mbetej ajo e këmbësorëve dhe e xhiros së mbrëmjes në bulevardin e madh, sado e bukur të ketë qenë ajo xhiro si një pastime për rininë e asaj kohe dhe sado nostalgji të kemi për të.
Tirana nuk mund të mbetej për shumë kohë një qytet me 150 apo 200 mijë banorë, por do të rritej në popullsi e do të zgjerohej në territor.
Në një mënyrë a në një tjetër, Tirana do të bëhej një qytet për vitet 2020 dhe për dekadat që do të vijnë të këtij shekulli.
Çfarë dëshiroj të shoh më shumë në Tiranë?
Sigurisht, transformimi urbanistik i Tiranës kërkon që, bashkë me ndërtimet e reja e shumë të bukura, të rehabilitohen cilësisht edhe ndërtimet e vjetra dhe, sidomos, të përmirësohet në mënyrë të ndjeshme e gjitha infrastrukturora rrugore, mundësitë e parkimit, të zgjerohen sipërfaqet e gjelbra, të garantohet uji i pijshëm për çdo banesë, qyteti të mbahet edhe më pastër dhe të krijohen më shumë qendra rekreacioni për fëmijët dhe të rinjtë, por edhe për të moshuarit. Veç këtyre, unë vetë do të dëshiroja të shihja më shumë parqe, disa shatërvanë në sheshet kryesorë të qytetit dhe më shumë vepra arti, skulptura monumentale ose jo të tilla në sheshe, buzë rrugëve dhe në hapësirat mes lagjeve.
Për mua, ndryshimet që janë bërë në Tiranë gjatë këtyre viteve të fundit janë një provë që më bindin se kryeqyteti ynë mund të bëhet edhe më i bukur dhe se në të do të jetohet gjithnjë e më mirë. Unë nuk mendoj se zgjedhja e Tiranës si “Kryeqyteti Europian i Rinisë” këtë vit dhe si “Kryeqyeti Europian i Sporteve” vitin që po afron ishin të rastësishme. As nuk mendoj se ky nder Tiranës iu bë për shkak të korrupsionit në Parlamentin Europian, siç kam dëgjuar të shprehet njëri prej atyre që, si kandidatë të PD-së, synon të zgjidhet kryetar i bashkisë së kryeqytetit. Ky është një argument mjeran dhe vërtet qesharak!/Dita
O ZAGAR I EDI RAMES,,,KULLAT DUHET TI BEJE TEK BULEVARDI I RI,,,SEPSE KESHTU THE NE FUSHATEN E PARE ELEKTORALE,,,,JO NE QENDREN HISTORIKE TE TIRANES,,,I VURE ZJARRIN KAFES ME TE BUKUR NE TIRANE,,,BAR -KAFE SAHATI...TI MORE ERION DUHESH VARUR ATY TEK TEATRI,,,SKENA JOTE E KRIMIT....
PërgjigjuJa militantet e Sales. As nuk kane haber nga e bukura . Jane pikerisht ata te zbriturit nga mali apo ardhur nga fusha, e zaptuar prona … per votat e Berishes. Por asgje nuk ndalet, per Tiranen tone ku lindem dhe u ritem. Sala i ardhur nga mali me valixhe druri, nuk mund ta beje Tiranen as me zagar tironc. Tirana kerkon kulture e perkushtim dhe jo zagar politik