TIRANË - Tirana dhe Torpedo Kutaisi nga Gjeorgjia luajnë këtë të enjte ndeshjen e kthimit në turin e parë kualifikues të Conference League. Në "Elbasan Arena" duke nisur nga ora 20:00 bardheblutë do kërkojnë të paktën një gol për të kaluar më tej, pasi ndeshjen e parë në transfertë e mbyllën 1-1.
Përpara medieve këtë paradite doli Bledi Shkëmbi, me trajnerin e Tiranës që kërkon mbështetjen e tifozëve.
“Mendoj që kemi bërë një paraqitje të mirë duke pasur parasysh kohën në dispozicion, sinjalet e asaj ndeshje janë pozitive. Unë personalisht dhe stafi jemi të mendimit që kemi bërë një ndeshje pozitive por kemi vlerësim maksimal për kundërshtatin.
Është një skuadër shumë e fortë. Për skemën nuk ndryshon gjë, Ismajli kthehet, na vjen keq për çfarë ndodhi ndeshjen e parë. Lojtarët duhet të japin maksimumin, të vrapojnë pafund dhe të kenë besim për kualifikimin. Unë pres një Tiranë që të luajë në mënyrën që të kualifkohet, do ta shohim në fushë, por do të jemi me dëshirë për t'u kualifikuar. Duhet të dimë se çfarë mund të bëjmë.
Mundësitë? Para ndeshjeve shanset janë 50 me 50, të barabartë, por kundërshtari është disa hapa para nesh për shumë arsye. Mua personalisht më bëri përshtypje ardhja e tifozëve deri atje, më pëlqyen djemtë. Shpresoj t'i kemi afër përsëri, nuk iu premtohet fitorja, por do të japin maksimumin në fushë”, deklaroi Shkëmbi.