Tirana Kryeqytet Evropian i Rinisë, hapet në Muzeun Kombëtar ekspozita unike 'Ne jemi heronjtë tanë' (FOTO)

18 Mars 2022, 22:57| Përditesimi: 18 Mars 2022, 23:15

  • Share

Kongresi Rinor Kombëtar, në kuadër të titullit “Tirana, Kryeqytet Evropian i Rinisë 2022” sjell në Shqipëri ekspozitën e parë “Street Art” në Tiranë me titull “Ne jemi heronjtë tanë”. Koordinatorja e Përgjithshme e titullit “Tirana, Kryeqytet Evropian i Rinisë 2022” pranë Kongresit Rinor Kombëtar, Aspasjana Kongo, vlerësoi portofolin artistik të artistit grek “Same84” dhe theksoi rëndësinë e artit duke shprehur vëmendjen që Tirana EYC 2022 i ka dhënë nëpërmjet programit “Rinia prodhon Kulturë”. 

“Shumë faleminderit Muzeut Historik Kombëtar dhe ambasadës greke për mbështetjen që na jep për realizimin e projekteve për të rinjtë. Për ne është një mbështetje që do të vijojë për të rinjtë dhe do të vazhdojmë angazhimin tonë për të mbështetur një kalendar me shumë aktivitete përgjatë këtij viti”, u shpreh Kongo.

Ajo ftoi të gjithë të rinjtë që të vizitojnë ekspozitën deri më datë 22 Mars në ambientet e Muzeut Kombëtar të Tiranës.

Titulli i ekspozitës “Ne jemi heronjtë tanë”, i referohet pikërisht asaj që përmend titulli “Tirana, Kryeqytet Evropian i Rinisë 2022”. Siç shprehet artisti grek, “të gjitha veprat në ekspozitë janë të frymëzuara nga fuqia jonë njerëzore dhe nevoja për të nxjerrë nga vetja heroin që të gjithë e fshehim në shpirt. Nisur nga ky arsyetim, jam përpjekur me veprat e mia të ‘ndërlidh’ njerëzit e përditshëm që takojmë në përditshmërinë tonë, me heronjtë ‘modernë’. “Dhe në një mënyrë që njëri ‘hijezon’ tjetrin, duke treguar se është detyra jonë të ‘kapim’ vetë jetën tonë dhe më në fund të bëhemi heronjtë tanë”.

Në këtë ekspozitë artisti grek i rrugës “Same 84”, prezanton shumë nga punimet e tij të reja në telajo, të cilat janë punuar me teknikë të përzier, duke mbajtur kështu të njëjtën teknikë me të cilën punon muret në hapësirën e hapur publike. Ky fakt jep një ndjesi të veçantë te rrugës në kanavacë, ndërkohe që teksturat e çimentos dhe shkrimi me spërkatje e theksojnë ketë ndjenjë. Karakteristikë e veprave të tij janë kontrastet shumë të forta.

Ekspozita “Same84” është pjesë e aktiviteteve të “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”nën kujdesin e Kyriakos Iosifidis (UrbanAct) dhe Helidon Halitit dhe me organizimin e Kongresit Rinor Kombëtar e mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe Ambasadës Greke në Tiranë.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?