Tirana, Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025, Veliaj: Misioni ynë, që të shërbejë si një 'Urë e Mesdheut

7 Shkurt, 18:00| Përditesimi: 7 Shkurt, 20:01

  • Share

Tirana u shpall sot zytarisht Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025 dhe për të pritur një tjetër vit të rëndësishëm për kryeqytetin, Bashkia e Tiranës organizoi një festë me pjesëmarrës përfaqësues të botës së artit dhe kulturës. 2024-a do të jetë një vit përgatitor për të zbatuar më pas në 2025-ën titullin "Tirana, kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut". 

Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se kryeqyteti ka mbajtur tituj të rëndësishëm dhe kjo falë bashkëpunimit pa kushte nga të gjithë. 

“Nëse do e ndajmë mendjen që do bashkëpunojmë, i gjithë qyteti do gjallërohet nga një energji e jashtëzakonshme. Kur e filluam këtë punë, edhe në qeveri, edhe në bashki, Tirana kishte një jetë të vobektë kulturore. Ti përgatiteshe, madje për një event në 2-3 javë ose në muaj. Sot shumë nga kolegët do të mbarojnë aktivitetin këtu dhe do shkojnë në skenat e tyre ose në galerinë e tyre. Më kujtohet e njëjta gjë ishte edhe me Galerinë e Artit. Sot kur dëgjon që kemi edhe ekspozita nga Japonia në Galerinë e Arteve, ti kupton vërtet se ne e kemi në dorë që t’i prekim, t’i ndryshojmë këto realitete. Unë besoj që është vetëm çështje kohe, sa ta vërë re gjithë bota. Ne sot jemi votuar unanimisht nga 43 shtete, kanë votuar 43 ministri të Jashtme dhe 4000 organizata që janë pjesë e rrjetit të Unionit të Mesdheut, në një situatë që nuk është një situatë ideale për Mesdheun. Tirana duhet të shërbejë si një urë e Mesdheut, misioni që na është ngarkuar është jo vetëm të jetë një vit i madh me këngë e valle në Tiranë, por ky vit do jetë një mundësi për ta kthyer Tiranën në një sofër, në një agora, në një piacë, një skenë mesdhetare për të lidhur njerëzit", u shpreh Veliaj. 

Mandej, ai tha se ky do të jetë viti i kulturës për Tiranën dhe për Shqipërinë. Ndërsa, shtoi se ka ardhur koha për të rikthyer Bienalen e Tiranës. 

"Komuniteti i Kulturës sot mund të ketë aprovuar mbi 100 projekte në kulturë dhe në sport. Ne duam që të vazhdojmë në këtë frymë. Ky qytet e meriton këtë titull, këtu po rrisim familjet tona, këtu po jetojmë jetët tona, këtu kemi parë shumë ndryshime, këtu jo çdo gjë është perfekte, por kemi pasur mundësi të ndryshojmë realitete të vogla. Formula e suksesit e qytetit tonë është vetëm kur mbështesim njëri tjetrin, vetëm kur i themi njëri-tjetrit bravo të qoftë, ec përpara, jemi me ty, do të brohorasim për çdo Opera, për çdo shfaqje, për çdo film, për çdo teatër, për çdo ekspozitë, për çdo art digjital dhe për çdo koncert të mundshëm, për t’i dhënë këtij qyteti jetë, për të prodhuar ekonomi dhe sigurisht, për të rritur imazhin e vendit tonë dhe të njerëzve tanë. Ju falënderoj të gjithëve nga zemra", tha Veliaj.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku u shpreh se sot progresi në Tiranë është i jashtëzakonshëm. Ai theksoi se tashmë qyteti ka një identitet të qëndrueshëm dhe një kryeqendër për kulturën dhe dialogun në Mesdhe.

“Sot jemi në një moment në të cilin Tirana, pasi ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë, ishte Qyteti Europian i Sportit, sot në këtë vit gjatë 2024 drejton Rrjetin e Bashkive të Ballkanit dhe në 2025 do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës. Progresi i qytetit është i jashtëzakonshëm. Tani jo vetëm që kemi një identitet të qëndrueshëm, kemi një kulturë të qëndrueshme, por kemi mundësi që ta rrezatojmë këtë përjashta nesh dhe të jemi një kryeqendër për kulturën dhe për dialogun për gjithë Mesdheun".  

Blendi Gonxhe, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inavacionit, tha se Bashkia Tiranë  është gjenerator i një lëvizje artistike kulturore.

“Ky është një moment i rëndësishëm për qytetin dhe për kryetarin e Bashkisë, kolegun, mikun, shefin tim. Sot jemi bashkëvuajtës në një drejtim të caktuar sepse duhet të investojmë bashkë për kulturën dhe artin. Duhet të investojmë bashkë për një ekonomi kreative, për një industri rekreative të artit por dhe të gjithçka që lidhet me qytetin, i cili është i njerëzve. Mirë se na gjeni dhe mirë se jemi në një kryeqytet i cili sot është në garë për të qenë përfaqësues rajonal, pse jo europian dhe duhet të bëjmë ç’është e mundur të gjithë që ta ngremë edhe më lart këtë emër që sot Tirana ka marrë”, deklaroi Gonxhe.

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?