Përplasja e 3 të miturve 9 dhe 11 vjeç në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga një makinë, pasi hynë me 2 monopatina elektrike me semafor të kuq, ishte pika e kthesës për reflektim mbi përdorimin e tyre. Ligji i paplotë u pamundëson autoriteteve ndjekjen, gjurmimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të këtyre mjeteve. Të dhënat zyrtare të Policisë së Shtetit që iu vunë në dispozicion Report Tv mbi aksidente me monopatina në harkun kohor të 17 muajve të fundit, tregojnë tendencë në rritje të përplasjeve, përkeqësim që sa vjen e shtohet në 5 muajt e parë të viti 2025.
Gjatë gjithë vitit 2024 u regjistruan 20 aksidente me monopatina në të gjithë vendin. Tirana mbajti peshën më të madhe, me 13 ngjarje, ndërsa në 11 qarqet e tjera u raportuan edhe 7 aksidente të tjera. Dukshëm përdorimi i një mjeti të tillë është më masiv në kryeqytet. Nga janari në fund të majit 2025 u regjistruan 15 aksidente, 5 prej të cilave në Tiranë. Pra, 75% e totalit të vitit të kaluar, duke sinjalizuar rritje drastike të fenomenit. Për fat të mirë, asnjë aksident fatal me vdekje nuk pati gjatë kësaj kohe.
Por shifrat e policisë, reflektojnë vetëm pjesërisht, fenomenin problematik. Për ndihmë mjekësore paraqiten jo vetëm përdorues monopatish të aksidentuar me makina, por edhe ata që rrëzohen vetvetiu gjatë lëvizjes, duke e shtuar numrin e kërkesave për ndihmë. Raportimi në polici nga spitalet nuk bëhet njëlloj si për rastet e aksidenteve automobilistike, për të cilat hynë më pas në punë barra e sigurimit apo detyrime të tjera ligjore. Sipas burimeve pranë policisë, spitali njofton blutë kur përplasjet janë me pasoja të rënda. Ndërkohë që vetëm në spitalin e Traumës, siç mjekët kanë treguar për Report TV, paraqiten raste shumë më të larta në numër, 3 deri në 4 të lënduar në ditë.
Në të gjitha vendet europiane, përdorimi i tyre është përfshirë në legjislacion, i cili ka ardhur vetëm duke u ashpërsuar. Këtë të martë, në Greqi, hynë zyrtarisht në fuqi ndryshimet e fundit të Kodit Rrugor, i cili përfshinë vendosjen e kaskës mbrojtëse të përdoruesve të monopatinave. Në një njoftim për mediat Policia Greke njofton tolerancë zero për shkelësit e këtij rregulli.
Në Shqipëri, një vëzhgim i situatës në terren, dëshmon se përdoruesit e monopatinave lëvizin duke thyer çdo rregull, qoftë dhe minimal të qarkullimit. Ata përfitojnë dhe nga një mungesë e theksuar ligjore për këto mjete. Me ndryshimet minimale të bëra më herët në Kodin Rrugor, monopatinat hynë në kategorinë e biçikletave dhe si të tilla, mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, ndëshkohet më gjobë.
Gjatë vitit 2024 u vendosën 192 gjoba me vlerë nga 250 në 1000 lekë, ndërsa vetëm gjatë periudhës janar–maj 2025, u vendosur 721 masa ndëshkuese, një rritje gati 4 herë më shumë në vetëm 5 muaj.
Komente

Ja sa te mblidhet parlamenti i ri dhe e zgjidh Zeqineja kete pune o Sokol. Mos na i thauj keto ne se e di shume mire qeveria si i ka hallet ky popull. Ata nuk flene mendjem tek ty e une e kane.
Përgjigju