Bashkim Ulaj dhe Lake View (kulla të ndërtuara më herët prej tij)

Ekonomi

‘Tirana Lake‘ me 58 kate, botuesi Bashkim Ulaj nis punën për ndërtimin e kullës gjigande te Liqeni Artificial

26 Shtator, 15:53| Përditesimi: 26 Shtator, 17:58

  • Share

TIRANË- Botuesi Bashkim Ulaj ka nisur ndërtimin e një tjetër kulle në Tiranë. Kësaj radhe bëhet fjalë për kullë me plot 58 kate në një prej zonave më të lakmuara të kryeqytetit, pranë Liqenit Artificial. Leja për kullën “Tirana Lake” është dhënë me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit më datë 25 qershor 2025. Mes 40 lejeve të firmosura, objekti me lartësinë më të madhe që mori dritë jeshile, ishte kjo kullë që do të ndërtohet nga botuesi Bashkim Ulaj.  

Vendimi titullohet “Ndërtimi për objektin: “Strukturë akomoduese me 58 kate mbi tokë dhe 6 kate nëntokë”, me vendndodhje në Rrugën “Llazar Pulluqi”, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Aba Tower” sh.p.k. Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Biznesit, shoqëria “Aba Tower” me administratore Artila Ulajn, ndërsa aksionerët janë “Aba Hospitality” shpk dhe Bashkim Ulaj.

Kulla e Bashkim Ulajt do të ngrihet buzë digës së Liqenit Artificial të Tiranës dhe do të ketë pamje të plotë mbi sipërfaqen e tij. Trualli që zhvillohet përmes këtij projekti është 32 mijë e 450 metër katrorë. Po në këtë zonë, Bashkim Ulaj ka ngritur të tjera kulla me emrin “Lake View”.

Rruga Llazar Pulluqi ku do ngrihet kulla me 58 kate dhe kompleksi "lake View" i ndërtuar po nga Bashkim Ulaj

Bashkim Ulaj është edhe pronar i Gener 2. Ulaj ka lidhje të ngushta me Sali Berishën dhe ka fituar vazhdimisht tendera dhe koncesione publike pa pasur pengesa as akuza. Më 31 dhjetor 2024, biznesmeni Bashkim Ulaj, botues dhe pronar i stacionit televiziv A2 së bashku me dy vëllezërit e tij Astrit dhe Ahmet Ulaj morën statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për ndërtimin e resortit turistik Blue -Borgo” nga "Gener 2"  “Aba Blue Borgo”, sh.p.k. në Velipojë.

Ky fshat turistik me vila e hotele luksoze do të ndërtohet në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër dhe ka sipërfaqe prej 147.2 hektarësh, por është pritur me protesta nga banorët. Po ashtu, kompania Gener 2 ka marrë me koncesion dhe segmentin Thumanë-Milot, aks me pagesë dhe tarifën e vjel kompania e Ulajt.

Ndërkohë, në gusht Enti Rregullator i Energjisë ka pezulluar procedurën për licencimin e shoqërisë “Fier Thermoelectric” për ndërtimin e termocentralit në Roskovec, kompania e cila ka aksioner kompaninë greke GEK TERNA Holdings dhe GENER 2 të Bashkim Ulajt. Edhe ky projekt ka hasur kundërshtinë e banorëve.

SI.E./K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?