Mbrëmjen e djeshme Tirana ndezi driat e festave të fundvitit, ashtu siç kanë bërë edhe disa qytete të tjera të vendit tashmë. Në një lidhje skype për “Sot Live në Shqipëri” me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, nënkryetari i bashkisë, Andi Seferi tha se është konceptuar një qytet për të mos u fikur gjatë 24 orëve.
Ai tha se ajo çfarë do jetë risi në këtë fundvit do jetë një autobus i animuar që do të kalojë në zonat rurale të Tiranës për të shpërndarë dhurata për fëmijët.
“Dritat e pemës dhe të gjithë qytetit u ndezën mbrëmjen djeshme. Tanimë Tirana është ndezur që me paradën e shqiptarëve. Ajo ndihmoi në klimën festive. Na pret një muaj shumë i bukur dhe i gëzuar. Ky fundvit është i suksesshëm nga këndvështrimi jo vetëm lokal por edhe qëndror në ekonomi dhe në fusha të tjera. Tirana do jetë shumë e pasur me aktivitete. Por risia është se nuk do mendohet vetëm për qendrën e Tiranës por edhe për fëmijët që ndodhen në zonat rurale, të mos i privojmë nga gëzimi që kanë bashkëmoshatarët e tyre. Çdo ditë do jetë në dispozicionin e tyre një automjet i animuar që do kalojë në çdo fshat për të shpërndarë dhurata. Në sheshin Skënderbej, janë planifikuar aktivitete çdo ditë nga data 22 deri më 31 çdo ditë do ketë koncerte për të gjitha tipologjitë e moshave. Për fëmijët paradite, për të rinjtë pasdite, në mbrëmje me aktorë dhe këngëtarë shumë në zë.”- tha Seferi.
Nënkryetari theksoi se në sheshin Skënderbej do të ketë subjekte që do të tregtojnë produkte bio dhe do të ofrojnë shërbime të ndryshme, duke shtuar se nga data 22 deri dhjetor deri në mbyllje të vitit, do të ketë koncerte çdo ditë në shesh.
Me drita deri te Ministria e Drejtësisë, ndërsa nga Ministria e Drejtësise deri te Bulevardi i Ri, i pazbukuruar.
Përgjigju