Roberto Bordin, trajneri i KF Tiranës

Sport

Tirana në vend të fundit, Bordin para derbit kundër Dinamos: S'dorëzohemi, është fillimi i kampionatit

26 Shtator, 12:10| Përditesimi: 26 Shtator, 12:26

  • Share

TIRANË - KF Trana dhe Dinamo do përballen të shtunën në orën 16:00 në "Selman Stërmasi" për raundin e pestë në Superligë. Bardheblutë mbajnë vendin e fundit në klasifikim dhe ende nuk e kanë shijuar fitoren e parë këtë sezon, teksa trajneri Roberto Bordin e kërkon kthesën në derbin kundër 'Bluve'.

Për mediet ai tha se ekipi i tij nuk dorëzohet dhe tifozët të kenë besim, pasi është vetëm fillimi. Tirana ka shumë mungesa këtë fillim sezoni, duke shtuar edhe Dembele.

"Derbi është një ndeshje shumë e rëndësishme në veçanti nga ndeshjet e tjera, kemi folur me lojtarët këto ditë, sigurisht me lojtarët shqiptarë edhe më shumë përsa i përket pjesës së ndjenjës. Kemi punuar shumë mirë, sot kemi stërvitjen e fundit që është para ndeshjes, është një ndeshje e vështirë, në një moment të vështirë, por ne jemi gati, nuk duhet të ulim kokën duke pritur që dikush të na ndihmojë, jemi vetëm ne që duhet ta ngremë kokën dhe të vazhdojmë përpara", tha italiani.

Bordin tha se ekipi i tij futet në fushë për të fituar.

"Ne duhet të fitojmë sigurisht, gjithmonë punojmë dhe futemi në fushë për të fituar, pastaj varet nga ndeshja si do të shkojë për të arritur rezultatin që duam, e dimë shumë mirë rëndësinë e fitores e cila na ndihmon për të ngjitur shkallët në klasifikim, do të bëjmë maksimumin për të marrë fitoren. Dembele është i dëmtuar si shumë të tjerë", vijoi ai.

Për Bordin, ekipi nuk duhet të dorëzohet kurrë.

"Unë mundohem që të mos jem asnjëherë negativ dhe normalisht ka ende shumë kohë deri në dhjetor dhe më pas kemi merkaton në janarin, mundohem të jem gjithmonë pozitiv sepse është vetëm fillimi i sezonit. Tifozëve iu jap shumë të drejtë, fola me skuadrën për mënyrën se si e interpretuan ndeshjen e fundit dhe sigurisht rezultati është i rëndësishëm por ajo që vlen më shumë është që nuk duhet të dorëzohesh kurrë, të japësh maksimumin", shtoi Bordin.

Italiani vendos theksin te koha, pasi është shumë shpejt për të parë statistikat.

"Nuk mund të shikojmë statistika pasi ndeshjet ndryshojnë gjithmonë nga njëra tjetra. Gjatë ndeshjeve dhe minutave ndryshon skuadra në taktikë, si vendosen lojtarët, ka shumë variacione. Është shumë shpejt akoma pasi e thashë më parë që është vetëm fillimi. Dinamo ka një skuadër të ndërtuar për të arritur katërshen e parë", tha trajneri i Tiranës para medieve.

Pas katër javësh, Tirana me dy pikë mban vendin e fundit (10), ndërsa Dinamo me katër pikë pozicionohet në vendin e gjashtë.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?