'Tirana nga ajri', ndryshimi përmes një dokumentari! Alket Islami: Ta shohin brezat e rinj si ka qenë! Rama: Do jetë kryeqyteti europian i të gjithë rajonit (VIDEO)

27 Mars, 19:05| Përditesimi: 28 Mars, 09:24

  • Share

"Tirana nga Ajri" është dokumentari prezantues i ndryshimeve spektakolare të kryeqytetit, përmes fotove të realizuara nga fotografi i ajrit Alket Islami të përmbledhura në një libër, album me pamje të Tiranës së viteve ‘90, të krahasuara me kryeqytetin e ditëve të sotme.

Përmes këtyre pamjeve shohim edhe skajet e Tiranës ashtu siç ndoshta nuk i keni parë asnjëherë. Vet fotografi Alket Islami, në eventin ku u përurua botimi, tha se përmes dokumentarit ka dashur të përcjellë një punë të nisur që në 1994, dhe që paraqet tirtanën në dy kohë.

"Është një fillim frymëzues i një projekti me dy tre volume për gjithë Tiranën si ka qenë dhe si do jetë me ndryshimet, me fotografi në të njëjtat kënde. Shiko çfarë pasurish kemi që t’ia tregojmë brezave që nesër pasnesër nuk do mbajnë mend, dhe si është një gjë tjetër që do ndryshohet. Është shumë e rëndësishme që të gjitha këto fotografi që janë shkrepur, ne duam t’i fusim në letër. Ti bëjmë libra që të jenë për brezat në vazhdim", tha Alket Islami. 

I pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama i cili foli për transformimin e kryeqytetit, kryebashkiakut Erion Veliaj, diplomatë të përfaqësive të akredituara në vendin tonë e shumë të ftuar të tjerë.

"Ky është një prezantim libri ndryshe nga prezantimet që bëhen zakonisht, ku kam pasur fatkeqësinë të marr pjesë në disa raste, ku vendosen disa tavolina rrumbullake me kikirikë dhe me disa pije të trukuara për rastin dhe ku të gjithë flasin nëpër tavolina, asnjëri s’dëgjon çfarë ka për të thënë autori. Prandaj kam hequr dorë nga vajtja nëpër prezantime”, tha Rama.

Më tej kryeministri u bëri thirrje të pranishmëve që të blejnë librin, pasi, theksoi kryeministri, “është një kontribut për këtë dëshmitar fluturues të Tiranës, por edhe të Shqipërisë më gjerë, edhe për gjithë zogjtë që ka mbledhur rreth vetes dhe që pjesën e ditës që ne e kalojmë në tokë dhe rëndom ulur, e kalojnë në ajër mbi kokat tona dhe na japin mundësinë që të kemi këtë lloj trashëgimie që e parë në albumet e Alketit merr një rëndësi të veçantë”.

“Fatkeqësisht një aksident, për të cilin nuk jam i autorizuar të jap detaje, ka djegur një pjesë të këtij arkivi që i përkiste Tiranës të viteve 90 dhe për këtë arsye ne nuk kishim mundësi t’i përfshinim në libër, sepse do të ishte shumë e dëshiruar që kontrasti dhe ajo që ne kemi pasur fatin e mirë dhe të keq të shohim në 2 epoka të ishte prezentë në mënyrë ulëritëse, gjë që modestisht, me pak detaje, u përpoqëm ta bëjmë me fotografitë e kahershme që erdhën në dorën e gjysmës time më të mirë, si rezultat i magnetizmit që ka dora e saj për të mbledhur artefakte të lidhura me historinë dhe me trupin e Tiranës”, tha Rama.

Tirana është shndërruar në një destinacion arkitektonik,  një vend në mes të Ballkanit, tha Rama, i cili shtoi se do të disponojë një koleksion veprash të arkitekturës të mbledhura së bashku nga arkitektë nga më të mirët, "jo thjesht më të famshmit, se ka dhe të famshëm që s’janë të mirë, të kësaj kohe dhe që do të krijojë një trashëgimi të denjë për gjeneratat e tjera”.

 

Ora 23:00
Premiera 'Tirana nga ajri', Veliaj: Qyteti i transformuar, rezultat i një bashkëpunimi të shkëlqyer

1711577012_tirane.jpg

Në premierën “Tirana nga ajri” të zhvilluar sot në Kinema “Millenium”, ku u prezantua para të pranishmëve transformimi i jashtëzakonshëm që ka pësuar kryeqyteti shqiptar përgjatë këtyre dekadave ishte edhe kreu i Bashkisë Erion Veliaj. Sipas tij Tirana evropiane që sot shohim të gjithë është një projekt dhe një vizion që nisi dhe u bë i prekshëm me Edi Ramën, si kryetar Bashkie, me synimin për ta kthyer nesër në metropolin më atraktiv të rajonit.

“Ka qenë shumë e thjeshtë për të mbështetur këtë projekt dhe një vizion që nisi me Edi Ramën kryetar bashkie, që ne të tjerëve na e bëri jetën më të lehtë, se u hap një brazdë, një hulli ku uji shkon më kollaj për këdo tjetër që do ta çojë ujin tek hulliri i  punëve të mira, punëve të mbara”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se sot Tirana sot ka një dimension tjetër, duke e cilësuar si pjesë të një rrugëtimi fantastik arritjet dhe punën e deritanishme për transformimin e metropolit shqiptar, i cili - siç u shpreh kreu i Bashkisë, sot është kthyer në një destinacion.

“Tirana që gjeti Edi ishte Tirana e botës së tretë. Sot diskutimet tona janë të botës së parë, dhe çfarë rrugëtimi fantastik ka qenë ky për ne që punojmë në Bashkinë e Tiranës, që vazhdojmë marrim stafetën nga skuadra e Edit dhe që nisi atë transformim të jashtëzakonshëm që për disa u quajt si një debat për ngjyrat dhe për Lanën, kurse për 90 e ca për qind të qytetit ishte debati që transformoi qytetin nga kështu, kështu dhe që sot e ka kthyer Tiranën në një destinacion”, u shpreh ai. 

Për Veliajn, kjo punë transformuese është rezultat i frymës së bashkëpunimit, teksa falënderoi të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e energjinë e tyre, për ta bërë Tiranën, atë destinacion që të gjithë shohim sot.

“Qyteti është pak si ai tapeti, ku secili është një fije, vetëm kur ndërthuremi bashkë, kur kryqëzohemi ndonjëherë edhe kur përplasemi, mund të krijojmë atë qilimin e bukur. Për secilin prej jush që i ka dhënë me zemër Tiranës, frymën e vet, energjinë, jetën e vet, dijet e veta, unë ju jam pafundësisht mirënjohës, duke filluar nga Edi deri tek pastruesja e fundit që sot, edhe pas Iftarit është duke pastruar qytetin. Faleminderit të gjithëve nga zemra!”, përfundoi Veliaj.

Ora 20:20
‘Tirana nga ajri’; kryeministri Rama: Do jetë metropoli më atraktiv i Ballkanit! 5-6 vitet e ardhshme, bum zhvillimi

 

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në premierën "TIRANA NGA AJRI' me sytë e një dëshmitari fluturues - Metamorfoza spektakolare e kryeqytetit të Shqipërisë, nga rrumpalla e viteve ‘90 tek rrokaqiejt e shekullit të ri”, falenderoi kryebashkiakun Veliaj për gjithë punën e bërë për tranformimin e kryeqytetit.

“Shumë faleminderit për durimin edhe dua të falenderoj Erionin për punën, dua të falenderoj Erionin për fjalët. Dhe mbi të gjitha dua të falenderoj edhe atë që Makjaveli thotë: Gjysma e rrugëtimit të një lideri që është fati. Dhe në një farë mënyre për Tiranën janë “puqur yjet” dhe është bërë e mundur që të krijohet një alkimi e plotë dhe ndërveprimi intesiv dhe i bazuar në të kuptuarit e gjërave njësoj dhe i bazuar në nëj vizion të ndarë plotësisht mes qeverisë dhe bashkisë, ka qenë kyç dhe do të mbetet kyç në këtë histori”, tha Rama.

Nga ana tjetër, kryeministri foli mbi projektet e ardhshme për kryeqytetin duke parashikuar një bum zhvillimi.

'Unë besoj që në 5-6 vitet e ardhshme, këto që shohim do të jenë një pjesë, jo shumica e atyre që do të shohim, sepse ka shumë akoma projekte, dëshirë, ambicie dhe një lloj gare që është futur në shpirtin e sipërmarrjes që të bëjmë ndërtesa jo thjeshtë të mira, por edhe të bukura, duke i dhënë Tiranës mundësinë që të bëhet një destinacion arkitektonik.

Tirana do të jetë metropoli me atraktiv i Ballkanit dhe do të jetë kryeqyteti evropian i të gjithë Rajonit tonë.', përfundoi Rama.

“Tirana nga Ajri" përmban pamje të qytetit, të lagjeve, të çdo cepi të kryeqytetit e filmuar nga Alket Islami, drejtor i Aeronautikës dhe premiera u shfaq sot në kinema "Millenium".

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?