Kosova & Rajoni

Tirana ngre tonet ndaj thirrjeve antishqiptare në Kumanovë. Osmani: Të papranueshme! Mickoski dënon koret raciste

4 Gusht, 14:16| Përditesimi: 4 Gusht, 15:43

  • Share

Prokuroria e Kumanovës ka nisur hetimet për thirrjet raciste dhe gjuhë urrejtjeje ndaj shqiptarëve gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedenisë së Veriut dhe Rumanisë të luajtur të dielën.

Pas ngritjes së toneve nga Tirana zyrtare përmes kryeparlamentares Elisa Spiropali dhe ambasadorit Denion Meidani, Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dënon thirrjet ksenofobe.

Ai thotë se ishte në sallën sportive, por nuk i kishte vënë re brohorimat dhe se bëhet fjalët për një grup të vogël tifozësh.

“E dënoj në mënyrë absolute brohoritjen e pazakontë dhe të papranueshme të disa individëve, të cilët nuk hasën në mbështetje nga asnjë prej të pranishmëve në sallë”, tha Mickoski.

Ministri i Sportit, Borko Ristovski, tha se Ministria mund të ndihmojë në identifikimin e tyre.

Politikanët shqiptarë në Maqedoni reaguan menjëherë për incidentin e ndodhur. Partia shqiptare në opozitë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), kërkon përgjegjësi politike për gjuhën e pastër të urrejtjes etnike të toleruar nga krerët më të lartë shtetërorë, disa prej tyre të pranishëm në gjatë ndeshjes.

“Shfaqje e tmerrshme e urrejtjes etnike e toleruar nga krerët më të lartë shtetërorë; Ministri i Brendshëm, Zv.Kryeministri. Kërkojmë përgjegjësi politike”, tha Emir Sulejmani nga BDI.

Reagim i ashpër erdhi edhe nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, se thirrjet antishqiptare “cënojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë”.

“Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës kërkoi që shteti maqedonas të veprojë dhe të ndëshkojë ata që nxisin urrejtje.

Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut parashikon dënime nga 1 në 5 vjet për këdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje apo jotolerancë mbi baza racore, fetare, etnike apo kombëtare.

V.GJ /r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë mendoni për ndryshimet e propozuara me draftin për Kodin e ri Penal?