Rinumërimi i Qarkut të Tiranës, që prodhoi vetëm gabime njerëzore por asnjë lëvizje në mandatet e fituara më 11 maj, duket se po zbeh shpresat e kandidatëve opozitarë se edhe hapja e 587 kutive të Fierit, nuk do të ndryshojë gjësend në rezultatin e zgjedhjeve.
Azmer Duleviç i pari i listës së “Nisma Shqipëria Bëhet” nuk arriti të merrte mandatin për rreth 519 vota, e megjithatë edhe tani duket gati e pamundur pasi kur janë hapur mbi 33% e kutive, koalicioni i Lapajt jo vetëm që nuk ka rikuperuar por i janë zbritur vota, ndërsa socialistëve të cilëve mund t’ua merrte mandatin e 12-të i janë shtuar vota.
Deri më tani janë hapur 233 kuti votimi (ora 18:45), ku reflektohen pasaktësi të vogla. PD sërish kryeson me numrin e votave të pamerituara dhe nga procesi i rinumërimit deri më tani humb 71 vota, ndërsa PS-së i shtohen 25 vota. Bie në sy fakti se deri më tani edhe Nisma Shqipëria Bëhet humbet 4 vota, pra i zbriten nga numërimi i 11 majit ku i kishte marrë padrejtësisht (teksa po kërkon t'i heqë mandat PS-së). Partisë Mundësia i shtohen 3 vota. Djathtas për Zhvillim i zbriten 3 vota dhe Lëvizjes Bashkë i zbriten 4 vota.
Që PS të humbasë edhe një mandat tjetër, në favor të PD, kjo e fundit duhet të marrë rreth 6300 vota më shumë nga rinumërimi, ose PS të ketë rreth 19,000 vota më pak. Pra krejtësisht e pamundur.
Tabela e rinumërimit të deritanishëm për Fierin
Lufta në kampin socialist është mes dy kandidateve, Zegjine Çaushi dhe Maldita Bardho, të cilat nga numërimi i 11 majit kanë një diferencë prej 64 votash. Por, edhe balancat e PS në listën e hapur duket se nuk do të ndryshojnë. Zegjine Çaushi e ka forcuar mandatin me 3 vota të tjera plus, që i shtohen nga rinumërimi, ndërsa Bardho ka humbur 41 vota.
Te PD, edhe nëse lëviz diferenca mes kandidatëve në listë të hapur, kjo nuk do të ketë efekt në mandate, pasi demokratët nuk arritën të shteronin as listën e mbyllur, me një disfatë të thellë që prodhoi vetëm 4 mandate për ta.
Pas Fierit, rinumërimi i cili pritet të mbyllet brenda javës, radhën do ta ketë hapja e kutive të Durrësit. Aty janë 360 kuti për t’u numëruar, përfshirë edhe votën e diasporës.
Kliko KËTU për të lexuar rezultatet e rinumërimit
Kandidati i Nisma Shqipëria Bëhet Azmer Duleviç, i cili po ndjek nga afër procesin e rinumërimit të votave të qarkut Fier, foli për mundësinë që ka për të hyrë në parlament nëse partia arrin të rikuperojë 519 votat që i duhen për t’i rrëmbyer marrë mandatin PS-së. Në një intervistë me gazetaren e Report TV Esiona Konomi, ai tha se nuk është entuziast, por shtoi se kanë vërejtur parregullsi gjatë këqyrjes së pamjeve filmike.
“Është pak herët për të parë nëse do ta marrim apo jo mandatin. Por ne jemi këtu, jam personalisht këtu për respekt të çdo qytetari që më ka votuar por edhe ekipin që përfaqësoj. Pastaj gjykimet do t’i bëjmë në bazë të votave që do të dalin nga rinumërimi. Jam me këmbë në tokë dhe nuk jam shumë optimist dhe entuziast se do të ketë ndryshim pasi çfarë është bërë, është bërë para procesit të numërimit dhe mbetet për t’u parë.”, u shpreh ai.
Duleviç theksoi se ka parë që disa vota të tyre janë shpallur të pavlefshme ndërkohë që vota të pavlefshme të PS, janë shpallur të vlefshme. Sipas tij, sikurse edhe një votë shtesë të mund të rikuperojnë në çdo kuti nga 587 që janë në total, do të mund të marrin 519 votat që iu duhen për të përmbysur rezultatin dhe t'i marrin mandatin PS.
“Ne kemi marrë pamjet filmike nga 9 KZAZ dhe kemi vërejtur në disa kuti që disa vota tona padrejtësisht janë shpallur të pavlefshme dhe disa vota të pavlefshme për PS janë shpallur të vlefshme. Kjo na ngriti dyshimin se mund të ketë manipulime ose edhe gabime njerëzore. Na ndajnë vetëm 519 vota për të marrë mandatin. Duke qenë 587 kuti, sikur edhe një votë për kuti, ne na mban në lojë për pjesën e mandatit. Kam kërkuar nëpër disa qendra votimi edhe pamjet ambientale të KQZ, ditën e votimit pasi ka shumë zona që nuk kemi pasur komisionerë dhe anëtarë dhe s’kemi pasur mundësi ti mbulojmë me vëzhgues. Dhe në disa që kemi indicie, kemi kërkuar pamjet e ditës së votimit për të parë se çfarë është bërë me 11 maj.”, shtoi ai.
Pyetjes nëse ka pasur përplasje mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, ai tha se “Kjo është pyetje që duhet t’i japin përgjigje drejtuesit e partive, por mesa shikoj çdo gjë duket normale dhe jam besimplotë që koalicioni duhet të vazhdojë për të mirën e të gjitha palëve.”
Komente
