Politikë

Rinumërimi për Fierin, hapen 84 kutitë e para! PD humb 19 vota, PS-së i shtohen 2! Lapaj kërkon t'i marrë mandat socialistëve, por i zbriten 4 vota

30 Qershor, 07:27| Përditesimi: 30 Qershor, 13:43

  • Share

TIRANË- Pasi rinumërimi i qarkut të Tiranës tregoi se nuk pati trafikim votash, sot në pallatin e sportit “Farie Hoti” ka nisur procesi i rinumërimit për Fierin, qarku i dytë më i madh, i cili prodhon 16 mandate. Deri më tani janë hapur 84 kuti, nga 587 në total. Po rinumërohen si votat për partitë, ashtu edhe për kandidatët (rreth 160 mijë vota në total).

Rinumërimi i këtij qarku po bëhet pas kërkesës së koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt, i cili kërkon t’i marrë një mandat Partisë Socialiste. Që Lapaj të fitojë këtë mandat, duhet që partia e tij të marrë nga procesi i rinumërimit 519 vota më shumë, çka do të bënte që Azmer Duleviç të merrte mandatin e deputetit dhe të lërë jashtë socialistin Ramion Kurti.  

Deri më tani janë hapur 84 kuti votimi (ora 13:30), ku reflektohen pasaktësi të vogla. PD sërish kryeson me numrin e votave të pamerituara dhe nga procesi i rinumërimit deri më tani humb 19 vota, ndërsa PS-së i shtohen 2 vota. Bie në sy fakti se deri tani edhe Nisma Shqipëria Bëhet humbet 4 vota, pra i zbriten nga numërimi i 11 majit ku i kishte marrë padrejtësisht (teksa po kërkon t'i heqë mandat PS-së). PSD i shtohen 3 vota, Djathtas për Zhvillim i zbriten 2 vota, Koalicionit Euroatlantik 1 votë dhe Lëvizjes Bashkë 1 votë.

Që PS të humbasë edhe një mandat tjetër, në favor të PD, kjo e fundit duhet të marrë rreth 6300 vota më shumë nga rinumërimi, ose PS të ketë rreth 19,000 vota më pak. Pra krejtësisht e pamundur. Por, lufta në kampin socialist është mes dy kandidateve, Zegjine Çaushi dhe Maldita Bardho, të cilat nga numërimi i 11 majit kanë një diferencë prej 64 votash. Mbetet për t’u parë nëse Bardho do arrijë t’ia marrë mandatin Çaushit. Deri më tani asaj i janë zbritur 15 vota, ndërsa Çaushi ka të njëjtin rezultat si më 11 maj.


Tabela e rinumërimit të deritanishëm për Fierin

Në rinumërimin e qarkut të Tiranës, që përfundoi të premten, nuk pati ndryshim rezultati por vetëm lëvizje të vogla votash që u konsideruan gabime njerëzore dhe jo trafikim votash nga KAS. 

Kliko KËTU për të lexuar rezultatet e rinumërimit

Ora 12:29
A do mund t’ia marrë mandatin PS? Duleviç për Report TV: Nuk jam entuziast, por kam parë parregullsi! Sikur një votë të marrim për kuti, mbetemi në lojë (VIDEO)

 

Kandidati i Nisma Shqipëria Bëhet Azmer Duleviç, i cili po ndjek nga afër procesin e rinumërimit të votave të qarkut Fier, foli për mundësinë që ka për të hyrë në parlament nëse partia arrin të rikuperojë 519 votat që i duhen për t’i rrëmbyer marrë mandatin PS-së. Në një intervistë me gazetaren e Report TV Esiona Konomi, ai tha se nuk është entuziast, por shtoi se kanë vërejtur parregullsi gjatë këqyrjes së pamjeve filmike.  

“Është pak herët për të parë nëse do ta marrim apo jo mandatin. Por ne jemi këtu, jam personalisht këtu për respekt të çdo qytetari që më ka votuar por edhe ekipin që përfaqësoj. Pastaj gjykimet do t’i bëjmë në bazë të votave që do të dalin nga rinumërimi. Jam me këmbë në tokë dhe nuk jam shumë optimist dhe entuziast se do të ketë ndryshim pasi çfarë është bërë, është bërë para procesit të numërimit dhe mbetet për t’u parë.”, u shpreh ai.

Duleviç theksoi se ka parë që disa vota të tyre janë shpallur të pavlefshme ndërkohë që vota të pavlefshme të PS, janë shpallur të vlefshme. Sipas tij, sikurse edhe një votë shtesë të mund të rikuperojnë në çdo kuti nga 587 që janë në total, do të mund të marrin 519 votat që iu duhen për të përmbysur rezultatin dhe t'i marrin mandatin PS.

“Ne kemi marrë pamjet filmike nga 9 KZAZ dhe kemi vërejtur në disa kuti që disa vota tona padrejtësisht janë shpallur të pavlefshme dhe disa vota të pavlefshme për PS janë shpallur të vlefshme. Kjo na ngriti dyshimin se mund të ketë manipulime ose edhe gabime njerëzore. Na ndajnë vetëm 519 vota për të marrë mandatin. Duke qenë 587 kuti, sikur edhe një votë për kuti, ne na mban në lojë për pjesën e mandatit. Kam kërkuar nëpër disa qendra votimi edhe pamjet ambientale të KQZ, ditën e votimit pasi ka shumë zona që nuk kemi pasur komisionerë dhe anëtarë dhe s’kemi pasur mundësi ti mbulojmë me vëzhgues. Dhe në disa që kemi indicie, kemi kërkuar pamjet e ditës së votimit për të parë se çfarë është bërë me 11 maj.”, shtoi ai.

Pyetjes nëse ka pasur përplasje mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, ai tha se “Kjo është pyetje që duhet t’i japin përgjigje drejtuesit e partive, por mesa shikoj çdo gjë duket normale dhe jam besimplotë që koalicioni duhet të vazhdojë për të mirën e të gjitha palëve.”

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis gjyqi për aferën Partizani, a besoni se do ketë drejtësi?