Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho në një deklaratë publike, ka renditur problematikat e kryeqytetit nisur që nga ndotja e madhe e deri tek trafiku, parqet për fëmijët dhe çmimet e larta të banesave, si rezultat i shtuar dhe faktit që Tirana prej muajsh është pa një qeverisje.
Përveç transportit publik që Xhixho e cilëson si të dobët me mbingarkesë dhe kushte skandaloze, një tjetër problematikë mbetet dhe parkingu si dhe trafiku që është kthyer në makth për qytetarët.
Ndër të tjera ajo përmend çmimet e papërballueshme të apartamenteve. Një problematikë tjetër e ngritur disa herë, është dhe mosfurnizimi me ujë dhe drita 24 orë në disa zona të Tiranës.
Deklarata e plotë e Erisa Xhixhos:
Të dashur qytetarë të Tiranës!
Kryeqyteti pa kryebashkiak është prej kohësh tërësisht pa shërbime, pasi u vodh për më shumë se dhjetë vite.
Paratë e taksapaguesve kanë përfunduar në gropat e zeza të korrupsionit, ndërsa Tirana është bërë e pajetueshme.
Ajri i Tiranës, ku jeton rreth një e treta e popullsisë së Shqipërisë, është 18 herë më i ndotur se norma e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Grimcat e pluhurit rrezikojnë mjedisin, por edhe shëndetin e banorëve, duke u bërë shkak për goditjet në tru, sëmundjet e zemrës apo kancerin e mushkërive.
Asnjë masë nuk është marrë për të reduktuar ndotjen, ndërkohë që qytetarëve të Tiranës u ka kushtuar 128 milionë euro inceneratori që nuk u ndërtua kurrë.
Cilësia e transportit publik në Shqipëri është shumë e dobët. Mbingarkesa, vonesat dhe kushtet skandaloze të urbanëve të linjave kanë kosto në jetën e secilit prej qytetarëve të Tiranës.
Nga ana tjetër, trafiku i çmendur i kryeqytetit është kthyer në makth për qytetarët që përballen përditë me orë të tëra të humbura.
E të mos flasim për parkimin ku opsioni i vetëm mbetet me ai pagesë dhe ku dita shkon deri 10 mijë lekë të vjetra sepse parkingje publike nuk ka. Kosto shtesë për qytetarët.
Tirana është në emergjencë për çerdhe, kopshte, shkolla publike. Shkollat me dy turne vijojnë edhe këtë vit në disa zona të kryeqytetit, ndërsa zona të tjera nuk kanë shkolla as kopshte publike. 70 mijë banorë të zonës së Astirit në Tiranë nuk kanë shkollë për fëmijët e tyre, edhe pse çdo vit u premtohet. Në të njëjtën situatë gjenden edhe banorët e Komunës Parisit, Saukut e Freskut. Qytetarët e Tiranës kanë paguar mbi 65 milionë euro përmes Taksës së Bashkisë për arsimin, por ato para nuk kanë shkuar kurrë për shkolla e kopshte.
Arsimi publik mbulon vetëm 20% të nevojave të qytetit, kurse pjesa tjetër i mbetet arsimit privat.
Tirana është betonizuar dhe është bërë e pajetueshme. Fëmijët nuk kanë qenë asnjëherë prioritet për këtë bashki, e cila ua ka grabitur hapësirat, këndet e lojërave e lulishtet, sepse kullat janë kryeprioriteti. Shqipëria renditet e para për numrin e vdekjeve si pasojë e ekspozimit ndaj ozonit dhe dioksidit të azotit. Ndotja e ajrit është bërë shkak për vdekjen e mbi 5 mijë qytetarëve shqiptarë në vitet 2017-2021.
Tirana me kulla luksoze që ngrihen përditë jeton ende me ëndrrën për ujë 24 orë. Premtimi i kryeministrit që përsëritet në çdo fushatë është mashtrimi më i madh që u është bërë qytetarëve të Tiranës. Të paktën 40% të furnizimit humbet në rrjet, ndërsa cilësia e ujit mbetet kërcënim për shëndetin publik. Ndotjes bakteriale për shkak të ujërave të zeza i shtohet ndotja kimike. Nivelet e klorit i tejkalojnë normat, duke e bërë të rrezikshëm për shëndetin ujin që pimë çdo ditë. Laboratorët privatë nuk i publikojnë analizat e ujit për shkak të presioneve nga Bashkia dhe UKT.
Sikur të mos mjaftonte kjo, lagje të tëra të Tiranës vuajnë ende mungesën e ujit në shtëpitë e tyre. Zona si Sauku, Liqeni i Thatë, Yzberishti dhe Kashari janë përballur me mungesa të gjata dhe të përsëritura gjatë muajve të nxehtë të verës. Sasia e ujit që ka në dispozicion UKT-ja mjafton për të furnizuar katër milionë banorë 24 orë në ditë, por qindra mijëra banorë të Tiranës vuajnë për ujë.
Tirana është e dyta në Europë për rritjen më të lartë të çmimeve të banesave. Çmimi mesatar i një metri katror i ka kaluar 2 mijë euro. Rritje kanë pësuar edhe qiratë, duke e bërë të papërballueshme jetesën sidomos për familjet e reja. Nëse një çifti të rinjsh i duhen 70 vjet për të blerë një apartament, stoku i apartamenteve bosh sot në Tiranë i ka kaluar 56 mijë. Sepse sektori i ndërtimit po ushqehet me para të pista. Kullat që ngrihen brenda pak muajsh janë mekanizmi për pastrimin e parave të krimit e korrupsionit, me bekimin e qeverisë!
Tirana nuk është më në shërbim të qytetarëve të saj, por është kthyer në një lavatriçe gjigante që pastron e gjeneron para për një grusht njerëzish.
Tirana duhet të kthehet në shërbim të qytetarëve dhe jo të oligarkëve.
Komente
