Superliga shqiptare e futbollit është rikthyer në ndeshjen e parë të vitit 2024, me elitën e vendit që prej 24 dhjetorit të vitit të shkuar ishte me pushime.
Në ‘Niko Dovana’ të Durrësit, Tirana fitoi 2-3 me përmbysje kundër Dinamos. Dueli i javës së 19-të foli për bardhblutë, që u kujdesën të merrnin tri pikë.
Ishte Dinamo që shënoi dy gola, si fillim me Zabërgjën në minutën e 25-të dhe më pas me Andonin në të 46’. Kur u duk se Blutë do siguronin tri pikë, ‘Nëndetësja’ filloi të ‘fuste ujë’ dhe pësoi tre gola.
Hoxhallari dhe Deliu në minutat 57 dhe 59 barazuan gjithçka, ndërsa goli me vlerën e tri pikëve u shënua në minutën e 80-të nga Latiti. Kaina Nunes i sapofutur në fushë pësoi një ndërhyrje të gabuar nga Behiratche brenda zonës, me Enea Jorgjin që akordoi penallti.
Nga pika e bardhë nuk gaboi Latifi, që i dha suksesin e parë bardhebluve. Tanimë Tirana mban vendin e tretë me 29 pikë, ndërsa Dinamo me 22 pikë pozicionohet në vendin e pestë. Të shtunë dhe të dielë do luhen katër ndeshjet e radhës për javën e 19-të në Superligë.