Basha dhe Kryemadhi

Tirana, Stalingradi i koalicionit PD-LSI

10 Shtator 2018, 10:42| Përditesimi: 10 Shtator 2018, 10:46

  • Share

Pas një viti sulmesh të përditshme kundër Moskës, kryeqendrës së qeverisë sovjetike, strategët gjermanë të Luftës së Dytë Botërore, vendosën t'i përqendrojnë forcat e tyre drejt Stalingradit - pikë strategjike në jug të Moskës. Marrja e tij do ta bënte të sigurt rënien e kësaj të fundit, e cila nuk kishte rënë nga sulmet e drejtpërdrejta ndaj saj. Strategjia ishte më e mira e mundshme në ato kushte, paçka se forcat gjermane nuk arritën ta marrin Stalingradin – beteja ishte e përgjakshme për të dyja palët, por rusët e fituan atë, duke i hapur kështu rrugën fitores së luftës.

Në një situatë të ngjashme (në përmasa e kushte krejt të tjera), ndodhet sot opozita shqiptare. Pavarësisht sulmeve të përditshme të drejtuesve dhe eksponentëve të PD-së e LSI-së ndaj qeverisë qendrore, ajo nuk duket se do të bjerë prej tyre. Por në nëntë muajt në vijim, ata kanë mundësi të zhvillojnë betejën për bashkinë e Tiranës, të cilën po e fituan, mund t'u hapë rrugën për marrjen eventuale të qeverisë qendrore.

Përqendrimi i energjive të opozitës për marrjen e Tiranës, duket strategjia më racionale, por kjo nuk do të thotë se marrja e saj është e sigurt. Përkundrazi, marrja e saj është shumë në diskutim.

Është e vërtetë se, në zgjedhjet e vjetshme parlamentare, PS-ja mori vetëm 51% të votave në territorin e bashkisë Tiranë, por 49% u morën nga 16 parti me axhenda dhe elektorate të ndryshme. Kështu, PD-ja e PR-ja morën 28% të votave në territorin e bashkisë Tiranë, LSI-ja mori 13%, PDIU-ja mori 3%, LIBRA 3%, dhe të tjerat (së bashku) morën 2% të votave (shihni grafikun 1).


Që strategjia e opozitës për marrjen e Tiranës të jetë e suksesshme, duhet që ajo t'i bindë të gjithë votuesit e vjetshëm të PD-së e LSI-së, (por edhe të PDIU-së, LIBRA-s dhe partive të tjera më të vogla) që të votojnë për kandidatin e përbashkët të opozitës. Dhe prapë, kjo s'do të mjaftonte.

Strategjia dhe kandidati i përzgjedhur nga PD-ja dhe LSI-ja, duhet të sjellin në kutitë e votimit edhe ata që nuk morën pjesë në zgjedhjet e vjetshme. PD-së i munguan vjet në kutitë e votimit rreth 30 mijë vota, nga ato që kishte marrë kandidati i saj për Tiranën (Halim Kosova) në zgjedhjet e 2015-ës.


Duke llogaritur 88 mijë votat që mori vjet në bashkinë Tiranë PD-ja (plus PR), 42 mijë votat që mori LSI-ja, 25 mijë që morën partitë e tjera të vogla dhe 30 mijë opozitarët që nuk morën pjesë në zgjedhjet e vjetshme, mund të thuhet se rezervuari potencial i kandidatit të përbashkët të opozitës është rreth 185 mijë vota (shihni grafikun 2). Ndërkohë, rezervuari natyral i kandidatit socialist është 165 mijë vota (kaq mori vjet PS-ja, e cila garoi e vetme kundër të gjithëve).

Kuptohet që llogaritë në letër janë shumë më të lehta se sa beteja në terren. Ndërkohë që kandidati i opozitës e ka një rezervuar potencial prej 185 mijë votuesish, kandidati kundërshtar dhe makineria elektorale e tij do të mundohen që sa më shumë prej tyre të mos shkojnë në kutitë e votimit, e madje t'u prishin mendjen disave të votojnë për të. Për ta arritur këtë objektiv, ai mund të sulmojë kandidatin e opozitës te pikat e dobëta, duke i nxjerrë në pah të meta, të qena e të paqena. Dhe meqenëse partia e tij është në pushtet, ai mund të përdorë forcën joshëse të pushtetit, për  të shkaktuar sa më shumë dezertime në radhët e elektoratit opozitar.

Duke patur parasysh vështirësitë e mësipërme, drejtuesit e opozitës duhet që, përveçse të mendojnë për aksionet e tyre ditore, të mendojnë edhe strategjikisht për zgjedhjet e Tiranës. Ata nuk duhet ta bëjnë këtë gjë, duke u bazuar në hamendjet e kafeneve të Tiranës, por duke pajtuar sa më shpejt një sondazhist serioz, tek i cili kanë besim të plotë. Ky i fundit duhet t'u zhvillojë një sondazh të detajuar në terren (jo elektronik ose me telefon), nga i cili drejtuesit e opozitës mund të mësojnë se ç'strategji mund t'u shërbejë më mirë për fitoren në Tiranë, e për më tepër, cili kandidat apo kandidate mund të marrë më shumë vota nga rezervuari potencial i 185 mijë votuesve të mundshëm të saj...Marre nga Albanian Free Press

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?