Bledi Shkëmbi, trajneri i KF Tiranës

Sport

Tirana udhëton drejt Korçës me mungesa, Shkëmbi: Pavarësisht ndjenjave, dua fitoren kundër Skënderbeut

11 Prill, 14:14| Përditesimi: 11 Prill, 14:15

  • Share

TIRANË - Bledi Shkëmbi, trajneri i FK Tiranës foli për mediet në prag të ndeshjes kundër Skënderbeut. Korçari sfidon skuadrën e vendlindjes në kushte jo komode, me dy klubet që garojnë për mbijetesën.

Të shtunën në orën 15:30 skena për dy skuadrat do jetë në stadiumin e Korçës dhe për javën e 34-t në Superligë Shkëmbi ka kërkuar vetëm tri pikët. Trajneri zbulon edhe mungesën e sulmuesit Ernest, një pikë e fortë e bardhebluve.

“Pritshmëria për tre javët e fundit? Objektivi i Tiranës, të fitojmë tre ndeshjet e mbetura duke nisur nga ndeshja e radhës kundër Skënderbeut. Më e vështira është ndeshja e radhës kundër Skënderbeut.

Tri pikët në derbi - Fitorja në derbi na dha qetësi, duhet të na japë moral dhe besim. Nuk i besoj shumë statistikave, di që është ndeshje e vështirë kundër Skënderbeut. Skuadër që po bën mirë, ka lojtarë dhe skuadër të mirë, po luan mirë futboll, duhet të bëjmë maksimumin si në derbi. Duhet ta mendojmë këtë ndeshje në atë mënyrë si menduam dhe luajtëm kundër Partizanit.

Mungesat - Ernest nuk do të jetë. Pjesa tjetër janë të gjithë lojtarët që ishin të gatshëm në ndeshjen e fundit.

Dallimi mes Skënderbeut dhe Partizanit? Nuk mendoj se ka ndryshim, edhe Skënderbeu do të luajë për të fituar. Llogaritë për pikët bëhen pas ndeshjes. Kryesorja si luan dhe çfarë kërkon. Për skuadrën tonë kjo është e rëndësishme, që të bëjmë ndeshje të mirë, të kërkojmë ta fitojmë, të shfrytëzojmë shanset dhe të jemi të kujdesshëm në ato minuta që kemi pasur probleme pothuajse gjatë gjithë kampionatit.

Rivalët dhe gara - Kemi thënë shumë herë deri tani, të paktën në javët e fundit, që është ndeshja më e rëndësishme e sezonit. Një moment më përpara, mendova se me Bylisin ishte më e rëndësishmja. Pavarësisht gabimit që bëmë, jemi akoma në garë, duke luftuar, por që në këto javë të mbetura, janë shumë pak dhe mendoj që patjetër është shumë e rëndësishme.

Patjetër që ndikon mungesa e Ernest. Skuadra kishte ndërtuar fizionomi me Ernest përpara si lojtar kryesor të sulmit. E kam thënë pothuajse në çdo ndeshje ku kemi pasur mungesa, një skuadër nuk duhet të varet nga një lojtar. Dhe pse kemi mungesën e Ernest, ne do bëjmë mirë.

Luani kundër ekipit të vendlindjes - Kundër Skënderbeut nuk do doja të ishim në këtë situatë. Unë do bëj maksimumin dhe dëshiroj shumë të fitoj këtë ndeshje, të marrim tre pikë, pavarësisht atyre ndjenjave që kemi për skuadra të ndryshme, në rastin konkret Skënderbeu", tha Bledi Shkëmbi para mediave.

Me 35 pikë Tirana mban vendin e tetë (i treti nga fundi), ndërsa Skënderbeu me një pikë më shumë ndodhet në pozitën e gjashtë.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?